• youuinsttaaffccbb
TEST
Lajme

8 vende në Tiranë ku mund të bëni foto yll

Nuk është asnjë çudi tani, që teksa nis një biznes të ri, bashkë me llogaritë ekonomike të kesh në mend dhe diçka që të siguron sukses: si do duket në Instagram. Sidomos kur ke të bësh me biznese shërbimi: hotele, restorante, bar-kafe dhe klube. Sa më shumë foto të bëjnë klientët dhe të të bëjnë tag (pa ua kërkuar, pa i sponsorizuar sigurisht), aq më shumë klientë të tjerë do të vijnë. Jo më kot shumë biznese kanë krijuar ato qoshkat e bukura ku vajzat vdesin të bëjnë foto për Instagram. Të tjerë akoma ia përshtatin edhe menunë tendencës për t’u shfaqur në rrjet. Më të suksesshmet janë sigurisht ato që bëjnë bashkë dizajnin, qoshkat e bukura e të ngrohta, pjatat e filxhanët bashkë me gatimet e bukura dhe ndriçimin. E keni vënë re që ka disa vende ku çdo shkrepje duket e bukur?! Epo dijeni: ata që i kanë ndërtuar kanë shpenzuar ca për këtë punë. Ndaj jo më kot disa vende në Tiranë bëjnë menjëherë sukses. Ne kemi listuar tetë prej tyre, që i shohim më shpesh në Instagram. Me siguri jashtë kësaj liste ka edhe shumë të tjera. Ndonjë emër më shumë keni? Që të bëhemi gati e të bëjmë një xhiro fundjavën tjetër.

1. Myfair
Këtu keni dritën natyrale që vjen nga lart, lulishten e gjelbëruar pranë, kolltukët me ngjyrë, pjatat e realizuar bukur dhe kokteilet me ngjyra. Nuk del vetëm me një foto të bukur Instagrami prej këtu, por me një album plot.

2. Salt
Këtu fotot nisin që në rrugicën e hyrjes, vijojnë tek shkallët dhe mund të realizohen tek kolltukët blu të katit të sipërm, ku vetrata të ndihmon me ndriçimin perfekt. Kuzhina speciale gjithashtu, sidomos brunch në fundjavë.

3. Lunaria
Eshtë pikërisht ai vendi ku keni parë fotot e fundit të Lori Hoxhës me kostumet sportive dhe ëmbëlsirat. Nuk ka nevojë për asnjë koment më shumë: kur e zgjedh Lori, ne thjesht i shkojmë pas.

4. Reka
Ndriçimi i bardhë i pastiçerisë, tapetet e çmuara antike bashkë me veglat njëshekullore të pastiçerisë, të shtyjnë të bësh foto dhe nëse nuk ke asnjë lidhje me rrjetet sociale. Ëmbëlsirat me ngjyra pastaj nuk lënë askënd indiferent. Mafishet me ngjyra pastel mund t’i merrni me vete në shtëpi për të vijuar postimet.

5. Cioccolati Italiani
Brioshi dhe kapuçinoja në mëngjes, shoqëruar me një tulipan të freskët bashkë me dritën e ëmbël, të bëjnë të kesh foto perfekte në Instagram, sidomos në fundjavë. Sigurisht që dhe krepat apo waffle me çokollatë, që s’u reziston kush.

6. Magnolia
Ka “çelur” kaq ëmbël tek pallatet Agimi në dyqanin e të bredshmeve që janë zhvendosur në kat të dytë. Shumë pak tavolina, lule pastel dhe perdet, e kanë kthyer në një nga qoshkat më të bukura për gjithë fashionistet e Tiranës dhe Instagramin e tyre.

7. Serafina Salon de Paris
I ka të gjitha: edhe dritën, edhe ngjyrat pastel, edhe gjelbërimin edhe menutë shumëngjyrëshe. Plus ajo fjala Paris në hashtage, përkthehet sukses në Instagram.

8. Hotel Arte
Eshtë një nga vendet më të instagramuara të Tiranës në të gjitha ambientet e tij: Dhomat, sallonet, restoranti, kafe – galerinë madje në Shën Valentin edhe për fasadën e dekoruar me arushat gjigandë. Çaji bio i pasdites bashkë me ëmbëlsirat, më të dashurat e të gjithëve.