• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Dieta VIP, Këshilla

Regjimi ushqimor i Landit të “WSF”, këngëtari zbulon si e mban trupin në formë

Nga Rudina Laka/ “Një mendje e shëndoshë në një trup të shëndoshë”. Është kjo motoja me të cilën ecën një nga meshkujt më fit të showbizz-it shqiptar. Bëhet fjalë për Landin e “West Side Family”. Sa përmend emrin e tij të vjen në mend një fizik super i palestruar dhe plot muskuj, imazhe nga videot që ai vetë shpërndan nga rutina e tij stërvitore.

Sa herë e shohim të gjithëve na lind pyetja: Si ushqehet dhe çfarë programi stërvitjeje përdor që arrin të ketë këto rezultate?

Në një intervistë për “revistawho.com” Landi na ka treguar me detaje regjimin e tij të përditshëm ushqimor, përdorimin e suplementeve si dhe shumë këshilla sesi të kemi një fizik të adhurueshëm si ai.

Çfarë konsumon Landi në një ditë të zakonshme, të gjitha vaktet?

Nga eksperienca personale e deritanishme, e rëndësishme është që çdo vakt të përmbajë në mënyrë thuajse të barabartë sasi të proteinave, karbohidrateve, yndyrnave të shëndetshme dhe perime. Axhenda ime ngarkohet e ngjeshet dita-ditës si shkak i angazhimeve të cilave u kushtoj rëndësinë e duhur dhe kjo më ka mesuar që ushqimi duhet të përfshijë të gjithë elementët e përmendur më lart, jo vetëm për të qenë fit, por edhe për të pasur energjitë e duhura që të përballoj ngarkesën e ditës. Mundohem që ushqimi të ketë larmi në të gjithë përbërësit dhe duke qenë se nuk jam nazeli, kjo më ndihmon të konsumoj çka më pëlqen dhe shërben.

Çfarë konsumon përpara dhe pas palestrës?

Objektivi im mbetet i pandryshuar nga më parë. Minimalisht ruajtja e të njëjtës masë muskulare dhe minimizimi i përqindjes së yndyrës në trup . Përpara palestrës konsumoj një vakt që përmban proteina dhe që është lehtësisht i tretshëm siç mund të jetë vezë me perime ose nëse nuk kam shumë kohë, një proteinë shake. Kjo shërben për t’i ardhur në ndihmë muskujve që të kenë mbështetjen e nevojshme të proteinës. E njëjta vlen edhe pas palestrës, vetem se pas një seance intensive dhe voluminoze stërvitore, perveç ushqimeve me përmbajtje proteinike do të shtoja edhe karbohidrate siç mund të jenë oriz, patate, makarona etj. Nuk do të ndalem në gram pasi secila ose secili ka objektiva të ndryshëm.

Çfarë nuk konsumon asnjëherë përpara apo pas stërvitjes?

Nese do të stërvitem për të humbur masën dhjamore, ajo që do të bëja kujdes dhe minimizoja, është përdorimi i karbohidrateve (gjithçka konsiderohet e/i tillë), pra orari që do t’i përdorja më shumë do të ishte pas palestre. Nuk do të konsumoja para dhe pas palestre ushqime që do të më mbanin larg arritjes së qëllimit.

Në çfarë rasti e prish regjimin? Domethënë ushqimi që të tundon dhe nuk i reziston dot?

Tundimi është i padëmshëm pasi nuk jetoj me pendesa. Vizionin dhe objektivat i vendos vetë dhe i kam të qarta sa i përket zbatueshmerisë dhe arritjes së tyre, ndaj ndonjë trajtim ose shpërblim tek-tuk mendoj se ia vlen dhe është i merituar në kushte pune serioze.

 Çfarë bën Landi pasi ka ngrënë një vakt jo të shëndetshëm që mund ta bëjmë të gjithë për të mos u ndjerë fajtorë?
Sigurohem që vakti të jetë aq shumë i pashëndetshëm saqë të mos më vijë keq. Haha.
 Ushqimi që nuk ke konsumuar kurrë, edhe pse të pëlqen shumë por e di që nuk i bën mirë muskujve të tu?
Ushqimi është një kënaqësi jete dhe e shijoj së tepërmi. E thashë që nuk jam nazeli, por avantazhi është që e kam unë nën kontroll.
Çfarë zgjedh të konsumojë Landi kur e merr uria edhe pse mund të kesh ngrënë vaktin e planifikuar?
Në ato pak raste të rralla për shkak të punëve, mundohem ta konsumoj në vaktin pasardhës në një sasi më të madhe se sa ajo e planifikuar. Në disa raste ka rëndësi fakti qe ti të marrësh makronutientet e nevojshëm të planifikuar për ditën. Kini parasysh se gjithçka duhet të ketë një plan për të cilin duhet punuar çdo ditë dhe të zbatohet me durim, qetësi, dashuri, kohë vendosmëri, vazhdueshmëri dhe vizion të qartë. Arritja e suksesit është e lidhur ngushtë me gjithë sa thashë.
Përdor suplemente apo proteina? Çfarë u këshillon të gjithë atyre që duan të formojnë trupin lidhur me përdorimin e tyre?
Përdor suplemente dhe ato me vijnë në ndihmë për të arritur qëllimin, por nuk i besoj suplementeve energjitë e mia, mundin tim, ushqimin, kohën dhe volumin e punës. Suplementet, ashtu siç kanë edhe emrin, janë diçka shtesë në regjimin e gjithësecilës/it, por unë tregohem i kujdesshëm që të mos e kthej fokusin kryesisht ndaj tyre, por më mirë të fokusohem tek plani, ushqimi, regjimi stërvitor dhe të qenurit konsistent në arritjen progresive të rezultatit.
Dikush dëshiron të ketë një trup të tonifikuar për maksimumi tre muaj? Çfarë i këshillon lidhur me ushqimin dhe formën e stërvitjes?
 Eksperienca më ka mesuar që nuk ka rrugë të shkurtër. Përpiqem të ruaj një raport shumë të mirë të një trupi të shëndetshëm, energjik për të kryer punët e përditshme dhe gjithashtu estetikisht të bukur. Në disa raste kam vuajtur pasojat e veprimeve të mia të nxituara për të arritur rezultate duke pasur si qëllim vetëm anën estetike. Këto raste ku e kam pësuar, më kanë mësuar të jem i duruar dhe i përqëndruar dhe se nëse është e nevojshme, të filloj apo zgjas në kohë përgatitjet për të arritur X apo Y rezulat estetik. Jetesa e shëndetshme, trupi i shëndoshë në mendje të shëndoshë janë prej kohësh objektivi im afatgjatë.

Sa ditë në javë dhe sa orë në ditë duhet të stërvitet një person për të arritur objektivat e tij?

Çdo trup është i ndryshëm nga tjetri. Ajo që i bashkon ose ndan njëri nga tjetri, pavarësisht moshës, gjinisë nëse të pëlqen “Hou cike” apo “Mesazh”, është fakti që në fund, do të fitojë ajo/ai që e kupton filozofinë e jetesës së shëndetshme dhe është e/i gatshëm/me t’i dedikojë kohën e nevojshme, t’i besojë procesit pavarësisht se zgjat në kohë, të pranojë dhe njohë limitet e saj/tij, të pranojë faktin që pa mund e lodhje nuk do arrijnë atë që duan dhe të kenë vazhdueshmëri pasi është diçka që gjithmonë në fund ia vlen.\revistawho.com