• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Who VIP

KARTOLINA E FUNDVITIT / Urimet e Klodit, Enadës, Monikës, Irmës dhe Anjezës!

Kartolina e fundvitit në “WHO” që është kthyer tashmë në një zakon të revistës mbledh në këtë edicion të fundit të 2019-tës, katër zonja të suksesshme në profilin që prezantojnë, të cilat nuk vijnë këtë herë për të prezantuar arritje, as për të ndarë plane, por për të uruar me zemër të gjithë shqiptarët. Ajo që inicioi këtë projekt është fotografja ANJEZA DYRMISHI, e cila na tregon zanafillën e këtij seti fotografik, që bazohet tek tradita. “Kisha kohë që mendoja për të sjellë diçka që të bënte bashkë disa personazhe të njohur, të cilët i përkasin profesioneve të ndryshme, mirëpo secila e suksesshme në fushën e tyre. Edhe ky ishte momenti i duhur për ta finalizuar këtë projekt. Vlen të theksoj se do të kisha dashur të kisha shumë më tepër personazhe, por isha e limituar nga numri i veshjeve në dispozicion. Duke qënë se pikërisht këto veshje ishin dhe simbolika e këtij seti, e kisha të pamundur të përfshija edhe personazhe të tjerë. Megjithatë jam shumë e kënaqur me përzgjedhjen që bëra. Ato janë totalisht të ndryshme nga njëra-tjetra, e vetmja e perbashkët është suksesi që secila e ka prekur në fushën e saj, ndërsa në çdo dimension tjetër profesional, por edhe personal them që ishin një larmishmëri e bukur. Ndërsa për sa i përket veshjes siç theksova ato ishin dhe kryefjala e idesë time, janë të gjitha të frymëzuara nga veshjet popullore tradicionale shqiptare, të cilat janë realizuar me mjeshtëri nga Bela Meci. Padiskutim ishin të jashtëzakonshme edhe i dhanë jetë idesë time fillestare, e cila të them të drejtën ishte totalisht e bazuar në traditë, por e risjellë sigurisht në kohë, e gërshetuar me modernen. Këtu besoj qëndron edhe veçantia e tyre, e sjellim traditën, por me ndryshimet që na i kërkon vetë koha në të cilën jetojmë”, – shprehet Dyrmishi, e cila njësoj si zonjat protagoniste të këtij projekti bën urimin e saj për veten dhe për të gjithë shqiptarët. “Po e nis me veten per të vazhduar më pas me urimin për të gjithë shqiptarët. Vetes do t’i uroja shëndet në rradhë të parë sepse pa të e kemi të pamundur realizimin e çdo gjëje tjetër dhe sigurisht punë sa më të bukura e të veçanta në mënyrë që çdo njeri që vjen në studion time të marri me vete copëza kujtimesh nga më të bukurat e jetës. Ndërsa për shqiptarët uroj një vit të qetë së pari, pa trazimet e 2019-tës, shëndet edhe ditë sa më të lumtura të bashkuar pranë njëri-tjetrit, lutja ime e veçantë shkon për këdo të prekur nga ky tërmet, uroj nga thellësia e zemrës që t’i shoh të gjithë të akomoduar në shtëpi të reja, të shëndetshëm dhe të lumtur”, – përfundon Anjeza.

KLODIANA SHALA

Sportiste kalibri, me një karrierë të lavdërueshme dhe me dhjetëra medalje e çmime ndër vite… Herë për shkak të zgjedhjes së saj (nuk i pëlqen aspak protagonizmi) e herë për shkak të mungesës së vëmendjes nga ata që drejtojnë institucionet sportive, Klodi në këto vite është ndjerë në jo pak raste e pavlerësuar, ndaj edhe sot në urimin që i bën vetes ka nota revolte.

“Vetes i uroj të marr shpërblimin e një pune dhe eksperience të pandalur në sport. Një shpërblim që ndoshta është po aq shpërblyes për ata që ushtrohen në palestrën time, sepse ndryshon plotësisht mirëqenien e jetës. Ndërsa shqipëtarëve i uroj të prekin mirëqenien e munguar fizikisht dhe shpirtërisht, pse jo dashurinë e vërtetë për veten dhe ata që vlejnë!”, – përfundon Shala.

ENADA HOXHA

Primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, së fundi e angazhuar në një show televiziv si kryetare jurie uron veç dashuri për të gjithë shqiptarët. “Vetes i uroj shëndet dhe të jem e rrethuar me shumë dashuri dhe mirësi… Ndërsa shqiptarëve i uroj një Vit të Ri të paqtë, plot mundësi te reja për t’u zhvilluar e për të realizuar ëndrrat e tyre. Qofshin të rrethuar me dashuri dhe miq të mirë!”, – e mbyll Enada.

MONIKA LUBONJA

Ndërsa aktorja Monika Lubonja bëhet nostalgjike në këtë letër që ka disa doza trishtimi për atë çfarë kaloi Shqipëria në 2019-tën.

“Kur isha e vogël, e prisja me padurim t’i shkruaja kartolinën Babagjyshit të Vitit të Ri!

Ëndrrat që thurja i shkruaja në atë pak vend, sa më duhej që dhe shkrimin ta zvogëloja për të patur më shumë hapësirë për dëshirat e mia fëmijnore. Si fëmijë besoja shumë. Çdo vit që kalonte uroja dhe gëzoja për Vitin e Ri pasardhës.

Sot më duhet të bëj një kartolinë urimi. Vendi është po njësoj, vetëm se fjalët nuk ngjeshen si dikur edhe pse hapësirë kam boll… fjalët e gëzimi më janë rrudhur, por sërish një urim më duhet ta bëj.

O Babagjysh i Vitit të  Ri do dëshiroja shumë dëshira të të shkruaja, ashtu sikurse çdo vit kur ëndrrat i thurja.

Edhe pse dëshirat mbetën në kartolinë dhe nuk dolën asnjëherë nga thesi yt sepse ishin shumë, por sot kam vetëm një lutje në këtë kartolinë.

Dua për Vitin e Ri 2020 të mos kemi fatkeqësi NATYRORE. Nuk dua të shikoj fëmijë nën rrënoja.

Të lutem o Babagjysh këtë dëshirë ma plotëso.

Të  premtoj o Babagjysh që do i përballojmë të gjitha gënjeshtrat që do na thuhen, papunësinë që do përballemi, arrogancën që do ta kemi çdo çast të jetës, eprorët  e paaftë që do kemi, humbjen e lirisë së fjalës.

Me gjithçka do përballemi, do luftojmë e do durojmë se ky popull jemi.

Por të lutem fatkeqësi natyrore mos na jep.

Gëzuar vendi im i trishtë, Gëzuar edhe ju miqtë e mi .

Mos harrojmë mes lodhjes dhe stresit, pabesisë dhe intrigave të kemi pak dashuri të sinqertë për t’i buzëqeshur njëri-tjetrit e të duhemi mes miqsh.

Gëzuar 2020!”, – e mbyll letrën e saj Monika Lubonja.

IRMA LIBOHOVA

E fundit në radhë me urimet e saj për shqiptarët vjen këngëtarja e madhe e skenës sonë, Irma Libohova, e cila njësoj si në skenë edhe në këtë dedikim ka zgjedhur të flasë pak… “Do ta bëja zemrën një fjongo të kuqe për t’ju mbështjellë të gjithëve me dashuri! Gëzuar!”, – që me siguri në këtë mbrëmje këngë të bukura do t’u dhurojë Shqipërisë dhe shqiptarëve që kanë zgjedhur të festojnë me të.

Në fund, një urim vjen edhe nga “WHO” për këdo që na ka lexuar, me premtimin se 2020 do të jetë një vit spektakolar, ku do të prezantojmë plot projekte bukura. Paçi një vit të mbarë, plot dashuri dhe qofshi të bekuar nga Zoti! / revistawho.com