Nga dasmat tek lindjet, dedikimet e përzemërta, nga momentet e karantinës, kufizimet e çdo gjë tjetër që po lëmë pas këtë vit, bënë që të vazhdonim të ishim rrjeti juaj më i besuar për jetën e personazheve të njohur dhe gjithë ndodhive të tyre.
Duke iu falenderuar që na keni lexuar në 365 ditë të vitit, me një listë të gjatë kërkimesh, shifrash dhe komentesh, kemi nxjerrë një panoramë të 10 lajmeve më të klikuara brenda këtij viti në ‘RevistaWho.Com’.
10- Çfarë ndodhi me Orindën teksa ishte në Abu Dhabi? Moderatorja publikon videon nga policia
Një udhëtim drejt Dubait së bashku me Albana Nanaj për programin ‘Check In’ u kthye në kryefjalën e mediave rozë. Me anë të një videoje në llogarinë e saj, Orinda tregoi se udhëtimi drejt Abu Dhabi-t i kishte sjellë një problem pasi kishin përfunduar në polici.
9- Ata thanë ‘Po’ përgjithmonë, Klea dhe Elgiti zbulojnë fotot e dasmës në Marok
Pas lajmeve dhe spekulimeve të shumta rreth shtatzënisë se Kleas, dyshja vendosi që në 26 janar të konfirmonin lidhjen dhe historinë e tyre të dashurisë me disa foto të dasmës të realizuara në Marok.
8- Pas çmimit për kontributin në media, Bieta i dedikon këto fjalë Albanit: Ç’monopolizove skenën mediatike…
Në muajin shkurt, Alban Dudushi u vlerësua me cmimin ‘Barleti’ për kontributin e tij në fushën e gazetarisë. Si çdo herë tjetër, partnerja e jetës apo e dashura e tij siç e quan ai, Bieta nuk hezitoi t’i dedikojë disa fjalë duke pohuar se Albani ç’monopolizoi skenën mediatike. Dedikimet dhe mbështetjet brenda në çift mbeten gjithmonë më të preferuarat.
7- Karantina e Luana Vjollcës, moderatorja zbulon punën që ka bërë më shpesh këto ditë
Nëse të gjithë mendojnë se imazhet e kuruara apo daljet perfekte në publik janë më të lexuarat, atëherë ky është rasti që provon të kundërtën. Në një lidhje për programin ‘Ftesë në 5’ në muajin mars kur sapo nisi izolimi, karantina e Luanës, punët në shtëpi e duart e thara prej larjes së shpeshtë u kthyen në një nga lajmet më të lexuara.
6- Vajzë apo djalë? Jonida Vokshi zbulon gjininë e fëmijës së saj të parë
Në finalen e ‘Top Talent’, Jonida Vokshi vendosi të zbulojë gjininë e pritjes së saj të ëmbël. Duke çarë një tollumbac në ngjyrë rozë, moderatorja zbuloi se ishte në pritje të një vajze.
5- Elvana Gjata jep mesazhin e rëndësishëm ‘live’ në ‘Top Channel’: Ju lutem mos u panikosni…
E ftuar në një lidhje ‘skype’ në ‘Open’, Elvana Gjata iu lut të gjithë shqiptarëve të mos panikoseshin dhe të bënin shumë kujdes për të respektuar izolimin. Vetë këngëtarja tregoi se si po e kalonte izolimin duke larë duart çdo 5 minuta. Mesazhi i Gjatës duket se mbërriti në veshët e të gjithë shqiptarëve, e këtë e provuan dhe klikimet e shumta në momentin e parë të publikimit të lajmit.
4- Alketa Vejsiu flet shqip në ‘Sanremo 2020’: I dua të gjithë shqiptarët
Në muajin qershor, Alketa Vejsiu u ngjit në skenën e ‘Sanremo-s’ për të moderuar krah producentit të njohur, Amadeus. Moment i cili ka dalluar ka qenë ai kur Alketa zgjodhi t’i përshëndeste të gjithë shqiptarët në gjuhën shqipe duke thënë: “I dua të gjithë shqiptarët”.
3- Pritjes së ëmbël i erdhi fundi, Arbana Osmani sjell në jetë Diellin
Në 19 tetor Arbana dhe Eduarti u bënë prindër të djalit të tyre, Dielli. Shtatzënia e moderatores ka ngjallur gjithë kohës shumë kureshtje, duke qenë se ajo refuzonte të zbulonte barkun e rrumbullakosur. Kureshtja vazhdoi deri në momentin kur fëmija erdhi në jetë dhe Arbana ndau një foto të duarve të gjithë pjesëtarëve të familjes.
2- Olta Boka konfirmon shtatzëninë me foton më të ëmbël dhe zbulon gjininë: Prej 9-muajsh unë…
“Prej 9-muajsh unë shoh vetëm me sy të ngjyruar rozë. Prej 9 muajsh, roza është ngjyra ime e dashurisë së përjetshme”, ishin këto fjalët e Oltës në muajin qershor, e cila konfirmoi shtatzëninë e saj të parë. Deri më tani ndjekësit nuk kishin dëgjuar asnjë detaj për jetën private të këngëtares, ndaj dhe ky moment mori vëmendjen maksimale, duke sjellë një “lumë” klikimesh për shkak të kureshtjes së madhe.
1- EKSKLUZIVE / S’ka më ekran për Xhemi Shehun, tani është vetëm e Visit dhe e djemve
Kopertina e fundvitit e publikuar në ditën e Krishtlindjeve u kthye në kryefjalën e të gjitha mediave të shkruara një javë më parë. Rrëfimi i parë pas ikjes nga ‘Portokalli’ u përkthye në rekord leximesh në revistë për shkak se u riprodhua në të gjitha portalet dhe gazetat shqiptare./revistawho.com