Keith Williams, nga Britania e Madhe, kishte kaluar gjithë jetën e tij duke mbajtur mbi shpatulla thasë me qymyr, vetëm për të zbuluar se ishte djali i një sulltani që jetonte në një pallat luksoz, në një vend ekzotik shumë larg prej tij.
Ai kishte marrë nofkën ‘Keith qymyri’ – dhe një dhimbje kronikë në shpinë që e detyroi të hiqte dorë nga puna 6 vjet më parë. Por jeta do të kishte qenë krejtësisht ndryshe për Keith Willimas si pjesëtar i familjes mbretërore malajziane dhe trashëgimtar i fronit të sulltanit të 35-të të Perak.
I dhënë për adoptim kur ishte vetëm 4-muajsh, ai e zbuloi përrallën e jetës që nuk e pati kurrë kur vendosi të punësonte një dedektiv privat për të mësuar kush ishin prindërit e tij biologjikë.
Nëna e tij biologjike, Elizabeth Rose në moshën 17-vjeçare punonte si infermiere praktikante në një spital fëmijësh në Carshalton, Surrey, Britani e Madhe, kur u takua dhe pati një lidhje me princin e Malajzisë, që studionte në Londër.
Pasi mbeti shtatzënë, Elizabeth u kthye në shtëpinë e saj në Swansea dhe e dha për adoptim djalin në moshën 4-muajshe, ndërsa princi u dërgua në Malajzi për të shmangur skandalin. Keith nuk e kishte idenë se kur ai mbushi 12 vjeç, babai i tij, Idris Iskandar Al-Mutawakkil Alallahi Shah u bë sulltani i 33-të i Perak. Sulltani i ri u vendos në pallatin e mrekullueshëm Istana Iskandariah, ku jetoi derisa vdiq nga një atak kardiak në vitin 1984.
“Isha mbi 40 vjeç kur e gjeta nënë time biologjike dhe mësova historinë time të pazakontë. Mora vesh se babai im kishte vdekur në vitin 1984 dhe se ishte përpjekur të binte në kontakt me 10 fëmijët e tij”, – thotë 64- vjeçari.
Keith së bashku me një nga gjysmëvëllezërit e tij shkuan në Malajzi për të vizituar mauzoleun e babait të tyre, por nuk u lejuan të futen në pallatin mbretëror, ku tashmë sundon kushëriri i tyre. (gazeta-shqip.com)