• youuinsttaaffccbb
TEST
Lajme, Who Serial

Intervistë me Seherin: Marrëdhënia me Jamanin dhe skena që nuk do e harroj kurrë

Sila Turkoglu është vetëm 22 vjeç, por tashmë është kthyer në një nga aktoret më të njohura me rolin e saj në “Amaneti”, serial i cili ka thyer rekorde shikueshmërie në çdo vend që është transmetuar, si dhe në TV Klan ku transmetohet nga e hëna në të shtunë. “Revista Who” ju sjell një intervistë të aktores, ku ajo tregon më shumë për veten, çfarë ndodh në xhirime dhe marrëdhënien me kolegun e saj Halil Ibrahim Ceyhan ose siç e njohim me emrin Jaman.

Si vendose të bëheshe aktore?

Kam pasur shumë hobi, pikturoja, më pëlqente volejbolli, por nuk e shihja asnjërën si profesion. Por falë një mësuesi në gjimnaz, unë iu futa aktrimit. Më pëlqen shumë teatri dhe duartrokitjet që marr nga publiku. Mendoj që më pëlqen vëmendja prandaj vendosa ta bëja. I thashë familjes sime dhe nisa të luaja në teatër. Familja mendoi se do mërzitesha dhe do e lija, por nuk hoqa dorë.

Ti je Seher në sytë e të gjithëve dhe fansat të shohin si ky personazh. Por kush është Sila Turkoglu në të vërtetë? Do na tregosh më shumë për veten?

Në jetën reale jam person më dominant se Seher. I them gjërat troç dhe nuk bëj kompromise. Por kemi dhe gjëra të përbashkëta.

Ti po ngjit shkallët e karrierës në aktrim, por a ka ndonjë profesion tjetër që do ta bëje?

Kam studiuar për drejtësi. Do bëhem avokate sepse më pëlqen. Përpara aktrimit iu përkushtova drejtësisë, por në momentin e fundit ndryshova mendje.

Le të rikthehemi tek “Amaneti”. Ti dhe Jaman keni shumë kimi në ekran, por si jeni në prapaskenë? Keni patur probleme?

Ndodh rrallë që të mos biem dakort për diçka. Jemi të dy shumë energjikë. I shohim gjërat pozitivisht. Nëse ai mërzitet, përpiqem t’i jap energji dhe anasjelltas. Përpiqemi të bëjmë një punë të mirë duke mbështetur njëri-tjetrin. Ka raste kur nuk biem dakort, por mbi të gjitha shkojmë mirë.

Si është atmosfera në xhirimet e “Amanet”?

Është një atmosferë e paqtë, e lumtur, si një familje. Edhe nëse grindemi, pas dy minutash rikthehemi të lumtur sepse të gjithë e duam punën tonë dhe kemi një qëllim të përbashkët.

Cilën skenë nuk harron dot nga seriali?

Nuk do e harroj kurrë skenën kur më futën të gjallë në varr. Nuk e di nëse do xhiroj më një skenë të tillë sepse ishte një ndjesi e tmerrshme. Qaja midis skenave dhe e kisha shumë të vështirë. S’do e harroj kurrë.

Çfarë është dashuria për ty?

Më pëlqen shumë vetja kur bie në dashuri. I dashuroj gjërat që më bëjnë të lumtur dhe më motivojnë. Është një ndjenjë e bukur. Mbase jam e dashuruar me punën, mbase me diçka tjetër.

Çfarë personi je kur bie në dashuri?

Kur bie në dashuri i jap shumë personit tjetër. Bëj çdo gjë për ta bërë të lumtur. E vendos personin tjetër në qendër të jetës sime.