Më duket sikur kam një jetë që e njoh Çiljetën. Dhe e dini pse? Se asaj nuk i mban gjë barku! T’i tregon të gjitha pa doreza, edhe pse takimet mes nesh nuk janë aq të shpeshta. Është si ato shoqet, me të cilat edhe pse mund të rrish me javë pa u takuar, biseda nis aty ku e keni lënë herën e fundit. E tillë është edhe intervista e sotme me Çiljetën. Një vazhdim i asaj të fundit. Mbaj mend që në gusht të 2014-ës, më tha se është momenti i rikthimit të saj dhe disa javë më vonë u shfaq në “Kënga Magjike” me një baladë dashurie, që rezultoi edhe më e klikuara në internet. Ka vetëm pak ditë që ka mbushur 30 vjeç dhe intervista e kopertinës vërtitet rreth këtij argumenti. Sigurisht kemi folur edhe për muzikën, për Fernandon dhe për planet që ta bëjë me vëlla së shpejti. Të gjitha në një intervistë ‘alla Çiljeta’, 100% të vërtetë.
Çiljetës 30-vjeçare, çfarë i intereson dhe çfarë jo?
Me kalimin e viteve, kam kuptuar se boshti më i rëndësishëm në jetën e një njeriu është familja, pjesë e së cilës bëhen me kohën edhe miqtë e ngushtë. Sado keq të të përplasin dallgët, është e sigurt që në breg, do të jenë dy a më shumë njerëz duke të pritur e duke u lutur për ty. Janë ata të parët që fluturojnë nga gëzimi kur u jep një lajm të mirë, e janë po ata që mërziten kur u thua se diçka nuk shkon. Kështu që, Çiljetës 30-vjeçare, sot më shumë se çdo herë tjetër, i intereson që t’i ketë mirë me shëndet të gjithë anëtarët e familjes dhe të rrethit të saj të ngushtë.
Çiljeta e para 10 viteve, çfarë mendonte për veten në këtë moshë?
Çiljeta 20-vjeçare, më shumë se çdo gjë tjetër ëndërronte që pas 10 vitesh të kishte një familje të bukur dhe, falë Zotit, këtë e ka.
A ke bërë diçka për të cilën ndihesh keq ose je penduar, në këto 10 vitet e fundit?
Çdo vendim në jetën time e kam marrë duke u udhëhequr nga zemra… Sigurisht kam gabuar, por asnjëherë s’e kam lejuar arsyen ta dënojë zemrën se ka bërë gabim.
Çfarë do të jetë duke bërë Çiljeta e pas 10 viteve?
Në ëndrrat e mia jetojnë dy Çiljeta; e para është ajo që s’njeh moshë, por vazhdon të sundojë skenën si një bishë, dhe tjetra është ajo që ka vendosur të heqë dorë nga gjithçka për t’iu përkushtuar totalisht familjes, të shtuar në numër, me dy a më shumë fëmijë… Duke e njohur veten, mendoj që do t’i afrohem më shumë këtij variantit të dytë, po shpresoj që të paktën të arrij të gjej një balancë mes të dyjave.
Duhet thënë në fakt, që ke bërë goxha pushim pas lindjes së Fernandos. Pse kështu?
Doja t’i jepja atij dhe vetes gjithë kohën e duhur për të shijuar njëri-tjetrin. Nuk doja të kisha pengun e dhëmbit të parë, as atë të hapit të parë. Doja ta dëgjoja tek belbëzonte fjalët ‘ma’ e ‘ba’, doja ta shihja tek rrëzohej e ngrihej përsëri.
Kemi gati dy vjet që e presim bashkëpunimin tënd me Noizy-n, aq sa për një kohë menduam se hoqët dorë. Pse tani?
Sepse tani u poqën kushtet për të dy ne. Tashmë Fernando është rritur disi dhe mua nuk më duhet më që të jem gjithë kohës me të. Noizy ndërkaq, pas vrullit të madh të koncerteve në fundvit, këtë periudhë e ka pasur disi më të lirë. Ndonëse, edhe tani që flasim, ai është sërish jashtë për koncerte.
Edhe ty, megjithëse pa këngë të reja, nuk të kanë munguar koncertet…
Është shumë e vërtetë kjo që thua. Ndonjëherë më bënte habi sesi vazhdonin të më ftonin club-e me klientelë të re në moshë, të cilët këngët e mia, ndonëse i dinin përmendësh, i kishin nxjerrë prej kohësh nga repertori. Po ja që publiku më do dhe falë tij unë do vazhdoj ta ushtroj aktivitetin tim artistik edhe për shumë vite.
Deri kur? Kur do të heqësh dorë?
Kur të lodhem, kur të mos kem më çfarë të jap. Nuk po them që këngët e mia janë vulë floriri në muzikën shqiptare, por mendoj që një kontribut sado të vogël më takon ta marr…
Qëndrojmë pak këtu. Ti je një artiste komerciale, por megjithatë herë pas here në festivale shfaqesh me këngë-balada, siç ndodhi dhe këtë fundvit në festivalin “Kënga Magjike”; pse kjo zgjedhje?
Balada është gjinia ku këngëtari jep pak edhe nga shpirti i tij, ndaj dua që hera-herës të jap edhe unë pak nga shpirti im…
U hallakatëm nëpër disa shtigje, po duke u kthyer te bashkëpunimi me Noizy-n. Sa vite keni që njiheni dhe cilët janë autorët e këngës?
Me Noizy-n kam gati një dekadë që njihem. E kam vlerësuar në gjithë këto vite për stilin e veçantë, ndaj dhe ideja e një bashkëpunimi me të më erdhi shumë natyrshëm. “Gangsta love” nisi si projekt gjatë kohës kur unë isha shtatzënë me Fernandon dhe është punuar nga miku im i mirë Elgit Doda.
Pse “Gangsta love”?
Sepse kështu jam unë, dashuroj gangsterët (qesh). Bëj shaka! ‘Gangsta love’, sepse çdo dashuri ka pak rrezik, pak sakrificë, pak luftë, pak vuajtje…
Nuk kemi folur fare për Fernandon deri tani…
Vërtet? Unë po mendoja se do më thoshe: Si nuk e heq nga goja Fernandon?! Hë, më pyet, çfarë do të dish për ‘my lil gangsta’?
Si është ai? Kujt i ngjan?
Ai është kopja e të atit, akoma ke dyshime ti?!
Në karakter doja të thosha…
Edhe në karakter… Është kokëderr si i ati, edhe si unë në fakt, se kot po bëj si gocë e mirë. Edhe pse kaq i vogël, ka shumë sedër, tregon kur bën gabim, mërzitet kur e qorton. Do bëhet djalë i mirë, dashtë Zoti!
Do ta bësh këngëtar Fernandon?
Për këtë mos dashtë Zoti (qesh)! Ai do ta zgjedhë vetë rrugën e tij, por mua nuk do të më pëlqente; të paktën jo këtu.
Pse?
Pse jo këtu? Apo, pse jo këngëtar? Për të parën, përgjigjja është shumë e thjeshtë: Nuk ia vlen sakrifica. Për të dytën: Do të më pëlqente më shumë sikur të bëhej futbollist, ose aktor të paktën.
Mirë, edhe për Fernandon folëm. Do flasim pak për ty tani. Çfarë po ndjen me ikjen e viteve?
(qesh) Që po plakem mo…
Vazhdojnë të të komplimentojnë po njësoj?
Me thënë të drejtën, komplimentet kurrë s’më kanë munguar. I kam marrë edhe kur s’i kam merituar, ose më saktë, kur unë kam menduar që s’i kam merituar.
Të vjen keq që po dalin vajza të reja në skenë?
Jo, nuk ka pse të më vijë keq, përkundrazi, gëzohem që po rritet konkurrenca, se konkurrenca na bën më të mirë (qesh)!
Gjithsesi duhet thënë që, me gjithë hyrjet e reja në showbiz, ti vazhdon të mbetesh e preferuara e mediave… Të ka lodhur kjo gjë?
Ka momente kur lodhem, sikundër ka të tjera kur kënaqem… Siç ishte kjo intervistë dhe ky set fotografik, për shembull. Ju më keni thënë që vazhdoj të jem e shitur dhe kjo ma përkëdhel pak sedrën, sepse në një farë mënyre tregon që vazhdoj të jem një personazh populist.
Paske ardhur e përgatitur, ëëë… Mirë, se dua ta mbyllim tani. Meqenëse na e ke treguar që do bësh të tjera operacione plastike kur ta shohësh të nevojshme, nuk po të pyes më për këtë, por dua të di çfarë do bësh pas kësaj këngës me Noizy-n?
Do bëj koncerte dhe këngë të reja, do bëj pushime… Ku i dihet, nga viti tjetër ndoshta e bëj edhe një djalë tjetër (qesh). Ju dua shumë të gjithëve!
Nuk ka nevojë për shumë fjalë, kur vjen puna te Noizy. Tanimë të gjithë e dinë që ai është reperi më i kërkuar në trevat shqipfolëse, madje edhe më i paguari. Gjatë setit për kopertinën, e pyetëm mbi projektet e së ardhmes, por Noizy nuk flet për ato që do të sjellë pas një viti. Nisi të na numërojë koncertet që kishte të nesërmen, që i takonte të ishte e enjte, të premten, të shtunën, e kështu me radhë. Na numëroi edhe tre tituj këngësh të reja, që do të publikohen së afërmi prej tij, pa përfshirë këtu bashkëpunimin me Çiljetën. Reperi më i adhuruar nga gjinia femërore, pohoi gjithashtu për “WHO”, se për momentin nuk është i përfshirë në asnjë marrëdhënie serioze. Ai sakaq pritet që gjatë këtij viti t’u rikthehet skenave të festivaleve, por nuk dëshiron të japë detaje mbi këtë. Kohët e fundit Noizy është përfolur për një largim të përhershëm nga Shqipëria, por reperi thotë se në çdo rast ai do të vazhdojë të prodhojë muzikë për fansat e tij shqiptarë.
Discussion about this post