• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në shtëpinë e...

Në shtëpinë e Blerina Bombajt

“Pse zgjodha që të jetoj në fshat”

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Endrit Mërtiri

Tirana i ngjan një qyteti të zhveshur. Edhe gjethet, të fundmet e mbetura, po bien me crrak-crrake të rralla. Gjelbërimi i mungon këtij qyteti të grinjtë. Kemi marrë rrugën në të dalë të Tiranës. Sa më shumë i ikën qytetit, sytë të zënë ngjyrat e vjeshtës, të verdhën, të kaftën, të artën, të kuqerremtën e herë-herë ndonjë gjethe që mend po e humb para syve tanë jeshilen që mbajti kaq muaj. Crrak! Kërcyellin e saj, të drobitur tashmë, e lënë fuqitë. Ai shkëputet nga pema dhe gjethja bie mbi rrugët e mbuluara me simotrat e saj. Domja është pak kilometra nga kryeqyteti. Dikur një zonë kodrinore, plot brezare, sot fshati është një zonë ku vilat kanë ngritur krye bashkë mebizneset. Kemi lënë autostradën dhe jemi futur në të djathtë. “Po ju pres në shtëpi”. Prej kur fola me Blerinën, pyesja veten: Si është për një njeri të angazhuar të jetojë në fshat? Të marrë çdo ditë makinën, të vijë në qytet, ku mandej do kryejë detyrimet e përditshme? Si është t’i ikë atij qytetit të grinjtë, të zverdhur, plot pluhur, kuprapëseprapë janë baret, restorantet, miqtë, teatrot, kinematë, koncertet? Si është pra të jetosh në “izolim”, strukur diku në fund të këmbëve të qytetit, që është shtrirë si i sëmurë nga të katra anët, si të ishte lëshuar me forcë bëllduq? Në radhët në vijim, pikëpyetjet e mia përkthehen në një tablo. Blerina Bombaj jeton në Domje. I shoqi është nga ky fshat dhe kur u bënë me fëmijë vendosën të jetonin larg smogut, mbasi rindërtuan shtëpinë e vjetër. Një oborr i stërmadh me pemë e lule të zë sytë sapo hapet porta. Shegët i shquan prej së largu, mandej mandarinat. Është një oaz ku lodhja e stresi shkarkohen si me magji, për të të rrëmbyer mendjen tashmë, qetësia e një ambienti të kuruar deri në detaje. Një tavolinë zë vend në mes të barit, në krah të bredhave. Lule shumëngjyrëshe që nuk e kanë humbur bukurinë as nga temperaturat; palma, hurma, hardhi, ngërthehen në një hapësirë të bollshme, fare pak larg shtëpisë, me rregullin e një kopshti që zë një vend të rëndësishëm në familje. Shtëpia e Blerinës ka më shumë stil klasik. Në qendër të sallonit zë vend një oxhak ndjellës, dhe vetëm mendimi se në ditët e netët me shi, kur dimri e merr shtruar, mund t’i ulesh përkundruall një zjarri bubulak, të çon në një tjetër botë, pothuaj si një skenë filmash. Tryeza, shandanët, pikturat e varura në mure të sjellin ndër mend “le belle epoque”, zonja e zotërinj që kalojnë mbrëmje mondane në qytete të mëdha të Europës. Por, në fakt je veçse pak kilometra larg Tiranës. Çdo send në shtëpi duket elegant dhe është vendosur në harmoni me të tjerët, që nga dritaret, tek perdet, abazhurët, divanet, këndet dhe bufetë prej druri. Fshati ka jo vetëm aromë fshati; ai pos vetes përcjell aromë kujdesi, delikatese, nga njëra dhomë në tjetrën. Blerina Bombaj vjen në një rrëfim për shtëpinë e saj në fshat, këndin e preferuar, kuzhinën, recetat e gjyshes, sidomos byrekun me lakra të egra të Vlorës, arredimin e bërë në bashkëpunim me të ëmën me ngjyrat e natyrës, mbrëmjet kur mblidhet me familjen pranë oxhakut…

blerina1

Çfarë marrëdhënieje ke me shtëpinë? Shpenzon kohë në të?
Për shkak të punës dhe angazhimeve të shumta që kam, kaloj shumë pak kohë në shtëpi. Nuk arrij ta shijoj shtëpinë time, pasi më duhet të dal në mëngjes dhe të kthehem në darkë.

Cili është këndi yt i preferuar në të?
Sigurisht që këndi im i preferuar brenda shtëpisë është oxhaku. Ngrohtësia pranë tij dhe zjarri më japin një ndjenjë pozitive. Kur mblidhemi të katërt aty, ndiej sa shijon familja!

blerina-2

Çfarë marrëdhënieje ke me kuzhinën?
Gatimi më pëlqen, por e praktikoj rrallë. Të them të drejtën, tani që po bëj rubrikën “Nga duart e gjyshes”, jam frymëzuar me recetat aty, sidomos me hapjen e petëve, dhe e kam bërë disa herë, duke angazhuar dhe fëmijët me to. Gjithashtu më pëlqen shumë të gatuaj një supë me majdanoz, e cila është pak a shumë “shpikje e imja” dhe asnjëherë nuk e bëj njësoj! Atë mund ta quaj specialitetin tim.

Sa kalori ka kjo pjatë? Pse është e këshillueshme?
Nuk ka shumë kalori, sepse bëhet me lëng mishi dhe pak vaj ulliri, por është shumë e ushqyeshme, sepse përmban sasi të mëdha hudhrash dhe majdanozi, – dy përbërës që forcojnë imunitetin.

Cila është receta që të ka mësuar gjyshja?
Gjyshja ime më ka mësuar byrekun me lakra të egra. Ajo e bën të mrekullueshëm këtë byrek, sidomos në shtëpinë e vendlindjes së saj, në Brataj të Vlorës. Aty shijon më shumë se kudo tjetër, sepse lakrat mblidhen nga kopshti.

blerina-3

Mblidheni shpesh për dreka e darka familjare ose miqësore në shtëpi?
Për të qenë e sinqertë, mbledhjet familjare bëhen vetëm për rastet e ditëlindjeve të fëmijëve dhe festave të fundvitit.

Po me punët e tjera të shtëpisë, a merresh?
Me punët e shtëpisë nuk merrem. E vetmja gjë që më pëlqen është kompozimi i fotografive në korniza, gjë që e bëj me qejf të madh.

Për arredimin, je kujdesur vetë?
Për arredimin është kujdesur mamaja ime. Mendoj që ajo ka më shumë gusto se unë për sa i përket arredimit. Unë thjesht i tregoj se çfarë më pëlqen. P.sh., më pëlqejnë hapësira në shtëpi, druri dhe ngjyrat e natyrës. Realizimin e bën ajo më së shumti.

Pse zgjodhe që të largohesh nga metropoli për të jetuar në fshat?
Gjithmonë e kam ëndërruar një shtëpi private. Meqenëse bashkëshorti im është nga Domja, vendosëm që të rindërtonim shtëpinë e prindërve të tij dhe të jetonim larg zhurmës dhe ajrit të ndotur të Tiranës. Kjo ishte një domosdoshmëri në momentin që u bëmë me fëmijë. Dua që fëmijët e mi të rriten në hapësirë, të kenë mundësi të luajnë jashtë, të kujdesen për kafshët e tyre të preferuara, të thithin ajër të pastër dhe të kenë ku të shpenzojnë energji shëndetshëm.

blerina-4

Këtu tek ty ka shumë gjelbërim, lule; kujdesesh vetë për to?
Kujdesem për lulet sa herë që mundem. Më pëlqen kopshtaria shumë. Them se kur të jem më e lirë do t’u dedikohem më shumë kultivimit dhe prodhimit të ushqimeve dhe luleve. Për momentin, për oborrin tonë kujdesen vjehrra dhe mamaja ime. Të dyja kanë një bashkëpunim perfekt midis ideve dhe realizimit. Gjelbërimi për mua është çlodhje epazëvendësueshme. Më dhuron qetësi dhe siguri!

Leave a Reply