• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë

NË KOPERTINË / Vildane Zeneli, aksidenti që i ndryshoi jetën dhe projektet që askush s’i pret

Jeta pas aksidentit në Miami dhe risitë në muzikë. Modelingu, pasioni për zbulimin e talenteve, jeta e vërtetë pas fotove të ‘Instagram’-it, miqësitë në art dhe një mesazh për dashurinë. Vildane Zeneli rrëfehet…

Nga revistawho.com / Hair & Make Up: Suela Ccangu / Fotot: Pirro Beati / Video: Henri Kocci / Vendodhja: Vila ‘Toscana’

Vildane Zenelin e takojmë katër vite pas kopertinës së saj të parë në “RevistaWho.Com”… Shumë gjëra kanë ndryshuar tashmë. Disa plane i ka çuar në djall, për të ndërtuar të tjera, në themele më të forta se të parat. Një aksident gjatë punës i dha mundësinë e dy viteve pushim, gjatë të cilave ka menduar për gjithçka po bën tani. Në këtë intervistë ekskluzive për “RevistaWho.Com”, modelja që numëron disa fushata të suksesshme me kompani të rëndësishme ndërkombëtare zbulon se është gati të ndryshojë korsi… Modelingu nuk mund të vazhdojë përgjithnjë, ndaj Vildane ka bërë plane të tjera! Zbulojini dhe ju!   

Vildane si po kalon?

Shumë mirë, jeta është e mrekullueshme dhe jam e lumtur që po jetoj jetën që dua.

Me çfarë po merresh tani?

Fatmirësisht unë po vazhdoj të bëj atë që kam bërë gjithmonë, që është modelingu. Jam në një pikë ku mund të zgjedh punët që dua dhe çfarë bën sens për mua. Unë kam qenë duke zgjeruar brandin tim dhe jam fokusuar në diçka që është shumë më e rëndësishme sa modelingu për mua. Kam punuar në industrinë e muzikës për të zbuluar talente të rinj dhe i kam bërë pjesë të kompanive më të mëdha muzikore. Njëkohësisht edhe i kam ndihmuar për të punuar, duke marrë parasysh sa shumë e dua muzikën kjo eksperiencë më ka bërë shumë të lumtur, pasi nga ana tjetër po punoj edhe me projekte muzikore të miat.

Gjatë verës ke ndaluar për një kohë të gjatë në Kosovë e Shqipëri, ndonjë projekt i ri, apo vetëm pushime?

Kjo verë ka qenë një nga më të bukurat, sepse kalova shumë kohë në vendlindjen time duke dalë me miqtë e mi, familjarët që vazhdojnë të jetojnë atje dhe thjesht duke shijuar vendin tonë të bukur Kosovën dhe Shqipërinë. Nuk doja të bëja asnjë punë tjetër, përveç këtij seti fotografik, sepse unë të dua shumë ty dhe nuk mund të të thosha jo dhe doja të kaloja bukur e të shijoja verën. Kam punuar shumë në SHBA, kështu që kishte ardhur koha të kënaqesha.

Çfarë të pëlqen më shumë në Prishtinë dhe në Tiranë?

Ndihem si në shtëpi në Prishtinë dhe në Tiranë. I dua njerëzit e mi. E dua kulturën tonë. E dua dhe vdes për ushqimin tonë. Edhe pse unë jam rritur në Amerikë nuk ka gjë më të mirë se rrënjët dhe gjaku im.

Çfarë nuk të pëlqen fare?

Trafiku është pak i rënduar, por përveç kësaj nuk ankohem për gjë tjetër.

Je rikthyer në modeling, pas sa kohësh mungesë?

Po, unë kam pushuar për 2 vite nga puna, për shkak të një aksidenti që ndodhi dhe që më ndaloi të punoja apo të bëja diçka tjetër.

Por e ke fituar një gjyq për këtë, një dëmshpërblim shumë të lartë për një aksident që të ka ndodhur në një hotel në Miami. Çfarë ndodhi?

Theva kyçin e dorës së djathtë gjatë një seti fotografik në Miami. Unë kisha bërë një dush gjysmë orë para aksidentit dhe isha gati të rregulloja flokët e të bëja grimin. Dyshemeja ishte ujë, unë rrëshqita dhe theva kyçin e dorës shumë keq, ishte njësoj si të kisha prerë dorën. Bëra tre operacione brenda vitit dhe një vit më pas m’u desh të bëja fizioterapi për të rifituar fuqinë dhe lëvizjen e dorës. Ishte shumë e vështirë. E theva kyçin gjatë dimrit dhe nuk mund të vishja xhaketa, nuk mund të ushqeja veten apo të bëja dush pa më ndihmuar dikush, ishte një periudhë e tmerrshme për mua. E hodha në gjyq hotelin për pagat e humbura, për gjithë dëmin fizik dhe emocional dhe e përfunduam këtë çështje vitin e kaluar. Bëra mirë, sepse tani mund të shijoj paratë e mia. Bëj shaka. Unë e dashuroj punën.

‘Instagram’-i yt na prezanton me një jetë luksoze, sa në një shtet të SHBA në një tjetër. Si ia del?

Unë jam marr me këtë biznes për shumë kohë, kam punuar shumë dhe vazhdoj të punoj, kështu që mund të bëj gjërat që dua. Është shumë e thjeshtë, nëse punon fort mund të marrësh gjërat që do të kesh, por më e rëndësishme është të jesh i lumtur jashtë botës së mediave sociale, sepse të gjithë prezantojnë një stil jetese në ‘Instagram’, po a janë ata të lumtur? Unë jam e lumtur jashtë rrjeteve sociale dhe për këtë gjë ndihem mirë.

E ceke pak më parë që modelingu nuk është profesioni yt i vetëm?

Jo, e kam thënë shumë herë të tjera më parë. Modelingu ka qenë gjithmonë një punë legjitime për mua dhe kam fituar shumë para dhe sukses, por unë jam më shumë se një modele. Unë më shumë jam një sipërmarrëse, truri im punon shumë, unë jam një biznesmene, por nuk më pëlqen që të gjithë ta dinë se çfarë bëj, sepse disa gjëra dua t’i bëj në heshtje dhe thjesht të shijoj suksesin tim. Tashmë unë dua të drejtoj një label timin, me kontaktet dhe dashurinë që kam për muzikën dhe me aftësinë që kam në zbulimin e talenteve, është gjëja e duhur që duhet të bëj.

Mendon që ka një afat skadence si profesion?

Tani nuk ka një limit moshe, nuk ka standarde, mund të jesh e shkurtër, e gjatë, e re, e vjetër, e dobët, e shëndetshme, etj. Nuk ka qenë kurrë më e lehtë të jesh një modele, prandaj unë po mendoj për të lëvizur në gjëra më të mëdha dhe të mira.

The që po punon edhe me një ‘label’ për t’u ardhur në ndihmë talenteve të reja… Ndonjë plan më konkret?

Tashmë të gjithë e dinë që unë e dashuroj muzikën dhe kam punuar për shumë këngë, por jam kritikja më e keqe e vetes. Unë nuk jam nga ata njerëz që do të publikoja çdo gjë. Kujdesem shumë për atë që bëj, kujdesem që puna ime të jetë perfekte dhe më besoni herët apo vonë diçka do të publikohet. Ndërkohë unë po punoj me artistë të tjerë dhe po i lidh me kompanitë muzikore, po i ndihmoj të bëjnë këngë dhe po u jap këshillat e duhura. Unë i njoh njerëzit më të mirë në industrinë e muzikës, kështu që pse të mos i ndihmoj të lidhen me personat e duhur që ata duhet të njohin. Ndihem mirë kur ndihmoj të tjerët, sidomos njerëzit e mi. Për momentin unë po punoj me mikun tim të ngushtë, Seven Saraqi dhe ne kemi shumë gjëra të mira që pritet të publikohen së shpejti. Ne jemi një skuadër e mirë, po punojmë me një nga personat më të fuqishëm në industrinë e muzikës Alex DaKid, që është krijuesi i Imagine Draons, X Ambassador, Skylar Grey etj. Ai ka prodhuar disa nga hitet më të bukura si “I love the way you lie” me Rihanna dhe Eminem, lista është shumë e gjatë dhe do më duheshin ditë të tëra të numëroja sukseset e tij. Ai është CEO i ‘Kid in the Korner’, një label nën ‘Universal’. Ai është shoku im prej 10 vitesh dhe më beson për çdo gjë dhe e di që unë mund të zbuloj talentet më të mira se kam vesh të mirë për muzikë.

Nga intervista jonë e fundit paskan ndryshuar disa gjëra… Por ne nuk i dëgjuam kurrë në publik këngët e tua me Will.I.Am apo 50 Cent, pse ndodhi kjo?

Aksidenti që ndodhi më pengoi, sepse unë isha e frikësuar se nuk do e rifitoja më kurrë fuqinë, apo se nuk do e ndieja më dorën time. Kështu që nuk mund të fokusohesha në asgjë tjetër. Ju i keni dëgjuar ato, por nuk i publikova kurrë, sepse tani vokali im është më i mirë dhe kam gjëra më të mira me të cilat po punoj. Koha është gjithçka.

Miqësitë në showbiz të mbajnë të lidhur ngushtë me muzikën, dikur Era, sot Tayna, Seven, e shumë të tjerë… Çfarë ju lidh?

Pjesa më e madhe e miqve të mi janë këngëtarë/artistë të vërtetë. Ajo çfarë kemi të përbashkët është dashuria për muzikën, artin në përgjithësi. Era është sensacionale, ajo është artiste e vërtetë në zemër dhe unë e dija që do të ishte një yll i madh që nga dita e parë kur e njoha. E dua, ajo është unike. Tayna është mbretëreshë, ajo është padyshim një nga personat më të kompletuar që kam takuar në jetën time. Përveçse është një artiste super e talentuar, ajo është shumë e zgjuar për moshën e saj. Ajo çfarë ka Tayna është shumë e veçantë dhe ndihem me fat që e njoh dhe që e shoh tek shndërrohet në një superstar. Unë besoj se ajo do të bëhet një yll ndërkombëtar, se nuk kam parë një person që njerëzit ta duan kaq shumë dhe të ndiejnë energjinë e saj pozitive kudo që ne shkojmë. Personaliteti i saj është i artë. Unë e dua dhe e adhuroj atë, më kujton veten kur kam qenë më e re. Ajo shumë punëtore. Sinqerisht nuk mjaftojnë fjalët për të përshkruar se sa e jashtëzakonshme është ajo. Seveni është miku im më i mirë, ai është përkufizimi i një artisti të kompletuar. Ai shkruan, këndon, bën rap, prodhon, është edhe teknik. Unë dhe ai kënaqemi shumë duke punuar bashkë. Shkojmë shumë mirë bashkë dhe kemi gjëra të mëdha që do të vijnë së shpejti, premtoj! Ai i beson gjykimit tim dhe këshillave të mia. Ne kemi të njëjtën shije në muzikë dhe punojmë në mënyrë perfekte bashkë.

Nga jeta private ndonjë të re?

Nuk ka asgjë të re në jetën time private. Jam e lumtur duke dashuruar veten për momentin.

S’e ke takuar ende princin, a duhet të jetë ai shumë i pasur?

Jo, ende. Nuk jam kundër marrëdhënieve, thjesht nuk kam gjetur dikë që ta pëlqej mjaftueshëm sa t’i jepem 100%.

Fatmirësisht Zoti më ka bekuar me gjithçka dua dhe kam nevojë. Unë kam punuar për suksesin tim. Nuk jam e çmendur pas gjërave materiale. Unë dua dashuri, një njeri besnik, dikë që mund t’i besoj dhe dikë të zgjuar, sepse nëse je i zgjuar mund të gjesh një mënyrë për të bërë një jetë të mirë për veten. Ai duhet të jetë i lirshëm dhe i kompletuar, nuk dua një gjysmë, dua një të plotë.

Kur do të të takojmë sërish në Tiranë?

Do të kthehem në Tiranë për një punë që jam shumë entuziaste dhe mezi po pres të vij sërish.

Faleminderit për këtë intervistë!

Të dua! Faleminderit për këtë intervistë të mrekullueshme. / revistawho.com