• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

NË KOPERTINË / Suada Sherifi rrëfen ditët si nënë: Deizi, lulja ime e çdo dite

Nga revistawho.com / Fotot: Rezarta Shkurta (Hera Company)

Një mama me kohë të plotë, por edhe një grua e suksesshme në biznes, që e di çfarë është kujdesi per veten dhe sidomos që di të çmojë çfarë fati i ka dhuruar: mëmsinë dhe një familje të lumtur. Kështu e gjeti ky 8 Mars bukuroshen Suada Sherifi. E lumtur dhe e organizuar në jetën e saj, pa u privuar nga asgjë. I vetmi i lënë pas dore është televizioni. Kjo sepse Suada ka të tjera prioritete në këtë moment, për të cilat flet në këtë intervistë të gjatë për “revistawho.com“: kujdesi per vajzën dhe për veten, marrëdhënia me bashkëshortin dhe një biznes që njeh vetëm rritje…

Suada, ky është 8 Marsi i dytë që e feston si nënë, cilat janë përjetimet?

Ne koleksionojmë kujtime të veçanta në ditë të shënuara dhe unë kam fatin t’i kem mbresëlënëse, jo sepse festoj fuqishëm, por sepse vlerësoj edhe gjërat e vogla. Deizi më ka dhënë  statusin e nënës dhe kjo është dhurata më e bukur, por edhe bashkëshorti është i kujdesshëm për të më bërë të lumtur, aq më tepër që ne jemi takuar në datën 8 mars për herë të parë.

Çfarë ka ndryshuar tek ty statusi prej nëne?

Kanë ndryshuar prioritetet e mia, jam përkushtuar totalisht familjes dhe punës. Për mua familja është gjithçka, por edhe puna dhe pavarësia financiare, sepse procesi që kalojmë për t’u realizuar në aspektin profesional bashkë me sfidat dhe lodhjen sjellin edhe kënaqësi.

Je rikthyer në formë shumë shpejt pas shtatzënisë, cili ka qenë sekreti?

Duket për të qeshur, por sekreti im ka qenë lodhja, sepse jam perfeksioniste. Mendoj që asnjë nuk di t’i bëj gjërat më mirë se unë (gjë që e kam shumë të gabuar) sepse nuk është e vërtetë! Përshembull Deizin e çoj dhe e marr vetë në çerdhe pavarësisht se shkolla i ofron edhe transportin e bebeve. Pasi e çoj Deizin në çerdhe, me rrobat e palestrës futem një orë bëj pak stërvitje, muskuj barku pak vegla dhe pastaj nis ditën me takime pune kryesisht në zyrë. Falenderoj Zotin që kam mamin që më bën pazar dhe më gatuan me dorën e saj gjëra të shëndetshme shtëpie. Këto janë “sekretet” e mia, pak nga të gjitha.

Qumësht pluhur apo qumësht gjiri për Deizin?

Qumësht pluhur dhe një dietë me ushqime të shëndetshme perime dhe fruta.

Është fëmijë i qetë apo i grindur?

Kur ishte më e vogël ishte më e qetë, tani është në fazën që nuk shpreh dot me fjalë çfarë do dhe ulërin nëqoftëse nuk ja plotëson tekat. Është një fazë delikate, sepse nuk dua që ajo të bëhet tekanjoze dhe ua kam ndaluar të gjithëve t’ia plotësojnë tekat kur ajo sillet ashtu! I themi vetëm “Jo” dhe ia shpjegojmë. Ajo kuptohet vazhdon të qajë, por unë e lë deri sa lodhet dhe pushon vet. Është shumë e sikletshme për një prind.

Kujt i ngjan më shumë në tipare dhe karakter?

Është ende e vogël ndryshon shumë gjatë gjithë kohës. Herë është kopja ime, herë duket kopja e të atit. Mendoj se është shumë miks prandaj na bën lëmsh edhe neve. Përsa i përket karakterit është shumë e vogël akoma.

Dado apo gjyshja? Kush kujdeset për Deizin?

Gjatë gjithë kësaj kohe kam tentuar edhe me dado, por tani jo më sepse Deizin e çoj në çerdhe 8 me 4. Gjatë kësaj kohe unë mbaroj punët e mia dhe më pas unë qëndroj  me të. Nëse kam ndonjë darkë e çoj nga mami im ose vjen ajo nga ne. Mendoj se nuk ka si kujdesi dhe dashuria e gjysheve.

Mami, juriste, biznesi, udhëtime dhe shumë përkujdesje ndaj vetes. Si e menaxhon kohën për t’i bërë të gjitha këto?

Po ta organizosh kohën e shfrytëzon në mënyrën më të mirë. Unë nuk kam më kohë për shumë gjëra, por nga kujdesi për veten nuk heq dot dorë sepse është pjesë e natyrës dhe kulturës sime, çdo ditë jam në punë dhe dy herë në vit i lejoj vetes pak pushim me familjen, por nuk udhëtoj shpesh si dikur, sepse kur je me fëmijë të vogël është e lodhshme.

Je rikthyer me kohë të plotë në punë?

Po jam kthyer me kohë të plotë, sepse nuk më mban shtëpia (qesh). Kur ti bën një investim nuk investon vetëm paratë, por vazhdon investon për të realizuar ëndrrat e tua që unë i kam shumë të mëdha dhe vetëm me përkushtim dhe punë mund të realizohen. Jam shumë e lumtur dhe krenare për suksesin e klinikës, por kjo nuk është vetëm për meritat e mia. Ne si staf kemi të njëjtin qëllim dhe punojmë si një ekip për më të mirën e biznesit.

Pse vendose të përfshiheshe edhe në një biznes?

Biznesi im i përket fushës së bukurisë, gjë të cilën unë e kam shumë merak vet. Tregu i Tiranës me gjithë përpjekjet nuk ofronte kualitetin që ofrojnë klinikat jashtë. Ndaj edhe shpesh kemi parë edhe makabritete në fytyrat e vajzave të reja. E pashë si një domosdoshmëri edhe për veten time pasi nuk kisha një vend të sigurt ku të shkoja.

Sa të ndihmon bashkëshorti në rritjen e vajzës?

Bashkëshorti nuk më ndihmon fare, madje ma vështirëson punën sepse ai e llaston dhe kur ai vjen në shtëpi, e vogla tërbohet nga lumturia. Ata luajnë bashkë dhe ajo lodhet pak më shpejt dhe bëhet gati për gjumë. Kjo është njëfarë ndihme po ta mendosh. Unë mendoj se i takon nënës të kujdeset për fëmijët sidomos kur është akoma bebe.

Mami apo vjehrra, kush kujdeset më shumë për vogëlushen?

Të dyja janë të jashtëzakonshme dhe bëjnë maksimumin e tyre. Jemi me fat, edhe unë, edhe Deizi.

Çfarë ëndrrash thur për të voglën?

Sa mirë do ishte të bëhej mjeke e kirurgjisë plastike sepse kemi nevojë për staf te klinika “Sibel”.

Çfarë planesh ke lidhur me rikthimin në televizion?

Nuk kam asnjë plan sepse nuk e përballoj dot. M’u propozuan shumë gjëra të bukura këtë vit, por është e pamundur për mua ta ndjek një obligim të tillë.

A ka patur ndonjë moment kur nga lodhja e tepërt apo orët e gjata pa gjumë të merr malli për ditët kur zgjoheshe kur doje?

Një moment the? Kjo gjë më ndodh çdo ditë.

Sa e plotësuar ndihet Suada në këtë moment të jetës?

Jam e lumtur, zemrën e kam plot me dashuri dhe kjo është gjëja që më mbush më shumë!

Cilat janë planet e afërta?

Lidhen me biznesin. Presim të zgjerohemi sepse jemi rritur dhe kemi nevojë për më shumë staf dhe më shumë hapësirë. / revistawho.com