• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

NË KOPERTINË / Rrëfimi i Dren Abazit për Tiranën dhe famën, vajzat dhe muzikën…

Nga: Lorena Resulaj / Fotot: Shenoll Zehri

Një nga filozofët dhe poetët e shquar amerikanë, Ralph Waldo Emerson dikur ka thënë: “Të jesh vetvetja në një botë që është duke ndryshuar, është arritja  më e madhe”. E kur vjen puna tek Dren Abazi, mund të themi se ai me të vërtetë ia ka arritur. Ka 10 vite në skenën shqiptare dhe pavarësisht se rrymat dhe ndikimet muzikore kanë ndryshuar në 360 gradë, ai ka preferuar të qëndrojë i njëjtë. Nuk ka pranuar kurrsesi të bëjë kompromise për më shumë famë apo para, sepse më shumë sesa për to, dëshiron të mbahet mend për diferencën që bëri. Ndoshta nuk është e lehtë të jesh kundër rrymës, por artistët e vërtetë nuk i tremben kësaj. Dreni ka qenë gjithmonë i veçantë në stilin e tij, ndoshta duke e ditur edhe që dashurinë e publikut, në veçanti atë të vajzave, do ta ketë gjithmonë me vete. E kur vjen puna tek vajzat ai e pranon se është romantik dhe me shaka thotë se i pëlqen më shumë modeli i Casanova-s se sa ai i Don Juan-it. Në këtë rrëfim ekskluziv për “RevistaWho.Com”, Dren Abazi zbulon shumëçka dhe me pak doza ironie nuk ngurron të kritikojë pikat e dobëta të tregut muzikor shqiptar.

Në fund të 2017 publikove albumin tënd “Mes Yjesh”, i cili pati shumë sukses. Më vonë në shtator të 2018 realizove koncertin e tretë recital në Tiranë, për shkak të kërkesës së publikut. A mund ta quash vitin që lamë pas si më të suksesshmin në karrierën tënde?

Në dhjetor të 2017 unë fillova nga Tirana turneun e koncerteve recitale, që shënonte në mënyrë simbolike 10-vjetorin tim në skenë dhe lançimin e albumit të ri “Mes Yjesh”. Meqenëse interesimi i madh i publikut më entuziazmoi, unë nuk qëndrova dot indiferent dhe u desh të bëja edhe natën e dytë, të dyja “sold out” brenda 3-4 ditëve. Në shtator bëra edhe koncertin e tretë recital brenda më pak se një viti, sërish gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse ndërkohë kisha bërë edhe “live” më të vogla në Tiranë. Kjo flet më së miri për dashurinë që kam unë për Tiranën dhe për publikun e Tiranës. Gjithsesi, kjo duket të jetë reciproke. Sa i përket asaj se a është apo s’është viti më i suksesshëm, nuk më intereson shumë kjo gjë. Shpresoj që kjo që bëj të zgjasë edhe për shumë vite të tjera, me shije të njëjtë si kjo e koncerteve të Tiranës.

Po këtë vit a ke menduar të organizosh diçka të përmasave të mëdha si koncertet recitale?

Koncertet recitale që po bëj janë një iniciativë e imja për të krijuar një kulturë dhe trend tjetër të prezantimit të artistëve, jo vetëm në klube nate, bare, kafene. Një iniciativë që koncerti të trajtohet si një ngjarje kulturore, si shfaqje teatri, e jo vetëm si një aheng dëfrimi e vend për të pirë ca gota më tepër. Normalisht kjo do kohën e vet, por besoj se është një punë që nuk shkon huq assesi. Pas koncerteve recitale në disa qytete shqiptare dhe jo vetëm, momentalisht po merrem me organizimin e koncertit recital në Prishtinë, i cili do mbahet në qershor dhe uroj të jetë i përmasave si këta të Tiranës, ose Shkupit.

Çfarë e ka mbajtur Drenin kaq të lidhur pas kësaj rryme muzikore? A nuk ke menduar të paktën njëherë të bësh muzikë komerciale për të pasur më shumë fansa, para dhe famë?

E kam thënë shumë herë që gjëja më e vështirë në art, muzikë, kulturë, është krijimi i identitetit tënd artistik. Vetëm identiteti bën diferencën. Ai është vula e çdo krijuesi, artisti. Unë e bëj këtë që më pëlqen dhe ky jam unë. Nëse do bëja diçka tjetër, nuk do isha ky që jam. E rëndësishme për mua është që kur të më dëgjosh në radio të mos më ngatërrosh me dikë tjetër (qesh). Është një thënie e famshme e kompozitorit austro-amerikan Arnold Schoenberg, që mund të jetë një përgjigje e bukur në këtë temë: “Nëse është art, nuk është për çdokënd, e nëse është për çdokënd atëherë nuk është art”. Fama assesi nuk nënkupton prestigj. Këto janë dy gjëra jo domosdoshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. I famshëm mund të jetë secili, por për çfarë?

Ti ke bërë koncerte në shumë vende të Shqipërisë dhe Kosovës. Sipas teje publiku i Kosovës apo ai i Shqipërisë është më i kulturuar përsa i përket shijeve muzikore?

Publiku i Kosovës, ai i Shqipërisë dhe çdo publik tjetër në esencë janë të njëjtë. Kur flasim për Shqipërinë dhe Kosovën si dy vende me histori të ndryshme në gjysmëshekullin e kaluar, atëherë mund të them se dallimi esencial qëndron në shijet muzikore përkatëse. Kosova, falë të kaluarës së hapur që kishte, krahasuar me Shqipërinë, arriti të krijojë një diversitet muzikor, influencuar nga rrymat më bashkëkohore të kohës, duke pasur një ndikim tejet perëndimor, në dallim nga Shqipëria, që ngeli nën ndikimin kryekëput italian dhe grek. Prandaj edhe sot janë artistët shqiptarë nga Kosova ata që bëjnë diferencën në skenën tonë mbarëshqiptare dhe janë po ata artistët që diktojnë trendet muzikore në vend.

Duke qenë se babai yt është një nga muzikantët më të njohur, a ka qenë ai këshilluesi yt gjatë karrierës dhe a frymëzohesh ti prej tij?

Babai im, Feridi, patjetër që ka qenë dhe vazhdon të jetë një figurë shumë e rëndësishme në krijimin e personalitetit dhe shijes sime muzikore. Kur vjen puna te muzika, ai mbetet këshilluesi im më i afërt.

Këngët mbajnë vulën tënde përsa i përket tekstit dhe muzikës. Po në pjesën e videoklipeve a ndërhyn Dreni, a je kreativ për këtë pjesën vizuale?

Normalisht që përveç këngëve, një pjesë e rëndësishme e punës është edhe paraqitja vizuale e tyre, duke qenë dëshmitarë të rolit të madh që ka televizioni në kohën që po jetojmë. Sidoqoftë, videoklipet tentoj që gjithmonë të jenë në shërbim të këngës, e jo e kundërta. Një këngë e bukur me një videoklip modest, mbetet këngë e bukur. Ndërsa një këngë jo e denjë, është jo e denjë me çfarëdo videoklipi që ta maskosh.

Ke menduar ndonjëherë të ushtrosh profesionin për të cilin ke studiuar, pra të nisësh punën në një zyrë avokatie apo diçka tjetër që të ketë lidhje me drejtësinë?

Nuk e kam menduar dhe nuk dua ta mendoj edhe për shumë kohë. Puna që bëj momentalisht është diçka që do doja ta bëja deri në fund. Për shembull, deri në 80 vjeç (qesh).

Ti konsiderohesh “mbreti i natës”. Po një ditë e zakonshme e Drenit si është?

Një ditë e imja është njësoj si çdo ditë e secilit prej nesh. Të vetmet ditë që mund të jenë më ndryshe, janë ditët e koncerteve kur mund të kem angazhime më të mëdha dhe jam i detyruar të zgjohem më herët.

A nuk të ka lodhur jeta e natës dhe a nuk ke menduar që të heqësh dorë nga muzika “live”?

Nuk më ka lodhur, përkundrazi më ka dhënë energji edhe më shumë. E vetmja natë kur mund të jem i lodhur është nata kur s’kam asgjë për të bërë. Koncertet janë puna që e bëj me dashurinë dhe përkushtimin më të madh, prandaj nuk do doja ta privoja veten nga gjëja që dua më së shumti.

Thuhet se djemtë e natës janë pak “Don Juan”. A është ky rasti yt?

Gjithmonë më është dukur më serioz Casanova (qesh).

Si sillesh ti me një vajzë që flirton hapur me ty gjatë një koncerti?

Mundohem të sillem shumë mirë (qesh).

Kur e ke menduar kohën ideale për të ndërtuar një familje? Kaq të vështirë e ka Dreni të gjejë njeriun e duhur?

Janë disa gjëra në jetë që nuk i planifikon dot. Pastaj kjo puna e martesës nuk është aq e thjeshtë sa ta shtypësh butonin dhe ja gjithçka është gati. Secili proces në jetë është më i bukur kur vjen natyrshëm, pa sforco… avash-avash.

A është Dreni po aq romantik në jetën reale sa shfaqet në këngët e tij?

Po, mund të them që unë jam ai (qesh).

Në repertorin tënd muzikor a ke ndonjë këngë dedikim që ti e ndjen shumë kur e këndon?

Shumë këngë që kam shkruar, në një mënyrë ose tjetër, mund të jenë dedikime, por janë edhe një mori këngësh të tjera që mund të jenë shkruar, frymëzuar nga filma të ndryshëm, tregime, këngë apo libra që kam lexuar gjatë jetës.

Je shprehur në intervista të ndryshme se Tirana të ka dhuruar shumë momente të paharrueshme. Cilat janë këto momente të paharrueshme, a mund të na tregosh njërin prej tyre që të ka bërë ta dashurosh kaq shumë këtë qytet?

Në Tiranë ka nisur gjithçka për mua. Në sensin që gjithçka është bërë më serioze këtu. Kur unë erdha nga Prishtina, para 7-8 viteve, nuk më njihte njeri këtu. Tirana m’i hapi dyert dhe më fali gjithçka që unë nuk e kisha përjetuar në asnjë qytet tjetër të botës. Prandaj, Tirana për mua është shtëpia e dytë.

A ke një person që të këshillon për stilin tënd, qoftë edhe në përditshmëri, sepse ti je gjithmonë i kuruar në detaje…

Nuk besoj se kam nevojë për dikë të më tregojë si të vishem. Veshja dhe stili është diçka që ka të bëjë me karakterin, me personalitetin. Stilin nuk ta jep dot një kreator ose një vitrinë në dyqan. O e ke, o s’e ke!

Sa e vështirë është të jesh origjinal në një botë ku një pjesë e mirë janë si fotokopje e njëri-tjetrit?

Jetojmë në një kohë të “fast food-it” dhe “reality show-t”. Jetojmë në një kohë, mbase kur secilit i jepet e drejta të dalë në televizion dhe të bëhet i famshëm, qoftë dhe për një ditë. Shumica e njerëzve në botë vishen me “Made in China”, por diçka tjetër e bën diferencën.

A të ka ndodhur të zhgënjehesh gjatë karrierës tënde dhe nëse po për çfarë?

Çdo njeri gjatë jetës përjeton momente të mira dhe momente jo të mira, që shumë herë mund të jenë zhgënjyese. Kjo nuk më përjashton as mua. Sidoqoftë unë si natyrë jam i prirur të mbaj në mendje vetëm ato të mirat, të eci para, qoftë edhe në drejtim të gabuar, por para, asnjëherë pas.

Je ndër të paktët këngëtarë që nuk i pëlqen bashkëpunimet. Për çfarë arsye?

Nuk i shoh bashkëpunimet si diçka të domosdoshme. Aq më tepër në këtë skenë të çoroditur që kemi, ku shohim bashkëpunime çdo ditë e shumë pak krijime individuale. Unë s’di ndonjë vend në botë që mund të ketë prodhuar më shumë bashkëpunime se vendi ynë. Të paktën për diçka jemi të parët.

Gjithmonë të kemi parë në formë fizike. Si kujdesesh për trupin tënd, bën palestër apo mban dietë?

Pjesa e fizikut është më tepër gjenetike. Gjithsesi unë edhe bëj palestër kohë pas kohe edhe jam i kujdesshëm, më shume se kur isha 20 vjeç, kuptohet. Birrat nuk i pi se nuk më pëlqejnë.

Në familjen tënde mes Rinës dhe Artit, me cilin ke lidhje më të ngushtë dhe me cilin prej tyre ke më shumë kujtime?

Me të dy kam lidhje të ngushtë dhe kujtime të shumta. Normalisht Arti është 3-4 vite më i madh se Rina dhe me të kam kaluar mbase më shumë kohë. Gjithsesi mendoj që Arti dhe Rina kanë një lidhje me njëri-tjetrin shumë më intensive se sa me mua. Unë si fëmija më i madh në familje mendoj që gjithmonë kam qenë me i parëndësishëm karshi tyre (qesh). / revistawho.com

CLOSE
CLOSE