Nga RevistaWho.Com / Fotot: Endrit Mërtiri / Veshja: Cacharel
Ermal Mamaqi është rasti tipik i shprehjes “të nxjerr më këpucë të kuqe”. Përveçse t’i merr të gjitha lekët kur vjen puna për biznes, është një fitues i lindur edhe në betejat për audiencë. Në këtë intervistë ekskluzive për revistawho.com, Mamaqi ndan me lexuesit të pathënat e tij, ato që s’duken në ekran, vështirësitë që ka për të bërë për të qeshur Amin, kritiken e tij më të madhe. Çfarë ëndërron për Joelin dhe si janë ditët e tij të qejfit? Të gjitha përgjigjet i merrni sot, në një rrëfim siç vetëm Ermali di ta bëjë.
Ermal, thonë se është shumë e vështirë t’i bësh njerëzit të qeshin? Është e vërtetë?
Shumë e vërtet, por unë e kam shumë të thjeshtë. Tani kam filluar t’i bëj njerëzit të qeshin pa folur.
Tani që emisioni “Xing” ka nisur, si po të duket? A është pikërisht kjo çka kishe në mendje?
I ka kaluar pritshmëritë e mia, por mendoj se do bëhet shumë më mirë vitin tjetër.
Pritshmëritë e njerëzve si janë parë nga këndvështrimi yt? Je mirë, çka, apo shumë mirë?
Jam mirë.
A ka një njeri në jetën tënde që përpara të thotë “fjalën e keqe” për ato që bën? Pra a ke një kritik personal?
Këta lloj njerëzish i largoj dhe nuk i dal nga para. Energjia negative nuk duhet asnjëherë për asgjë. Pres nga miqtë e vërtetë që më tregojnë problemet, por besoj që çdo njeri e di mirë ku i pikon çatia.
Fitove shumë lekë nga kontrata me “Klan”-in? Me sa zero nga pas ishte shifra, do të na e tregosh?
Nuk e tregoj dot se marr gjobë. Por jam i lumtur për shifrën time…
Çfarë ka “Klan”-i më shumë se “Digitalb”-i?
Janë dy gjëra të ndryshme, por kanë diçka të përbashkët. “Digitalb” është platforma më e madhe e të gjithë shqiptarëve. “Klan” është televizioni më i madh i të gjithë shqiptarëve.
Ami ç’mendim ka për emisionin?
Ami mendon se duhet të shkurtohet pak dhe të ketë më shumë ritëm. Dhe mbi të gjitha mendon që duhet të punoj më pak dhe të rri më shumë në shtëpi.
A qesh më ajo me batutat e tua? Të ka thënë ndonjëherë “mjaft se na lodhe”?
Ajo është publiku më i vështirë. M’i ka mësuar të gjitha hilet. Lodhem shumë që t’i vjedh një të qeshur me lot.
Po ti ndihesh ndonjëherë i lodhur nga njerëzit që presin prej teje vetëm humor?
Sigurisht. Atë moment vë kapuçin, syzet dhe kaloj si ninxha nëpër rrugë.
Intervistën me Berishën me çfarë note e vlerëson nga 4-10? Pse?
7, nuk duhet të ishim thelluar aq shumë…
Çfarë të tha Doktori kur mbaruat?
Më tha se jam njeriu më i bukur në botë.
Ti konsiderohesh si një personazh pranë Partisë Demokratike, pra je I djathtë. Ke menduar ndonjëherë të bëhesh deputet?
Ma kanë propozuar si pozicion, por nuk e bëj dot. Kur të premtoja në fushata do shkriheshin duke qeshur njerëzit.
Mendon se do fitoje po të kandidoje?
Do fitoja patjetër.
Ç’mendim ke për kolegun tënd Julian Deda që gjithë ditën sulmon qeverinë?
Juli ka bërë zgjedhjen e tij. Dhe nëse je në opozite do sulmosh. Per shijet e mia mund të jetë më i përmbajtur pasi arti që ai bën i shërben edhe socialistëve.
A beson se me politikë fitohen më shumë lekë se me humorin?
Janë shumë pak kokrra ata që fitojnë me politikë.
Ti ke biznese, punën në Tv e kushedi çfarë tjetër që s’e tregon. Pra fiton shumë lekë. Ku i shpenzon? Apo thjesht nuk nxjerr kokërr leku, i mbledh dhe kaq?
Jam në fazë investimi për një projekt të madh. Po të më kthesh mbrapsht dhe të më shkundësh do më bien vetëm getat.
Me kë e pi përditë kafen?
Me stafin e “Xing”. Bashkëfrymëzohemi.
E kush paguan?
Sigurisht secili të vetat (qesh).
Për peshkim ke dalë më? Po peshqit që kap, i shet apo i ha?
Dashnor Diko ka që në vitin 2013 që po më pret në Ksamil. Nëse e shihni thuajini që unë u martova dhë nuk vij dot…
Folëm vetëm për punë, por për qejf çfarë bën Ermal Mamaqi? Për shembull, a udhëton çdo fundjavë?
Qejfin e kam tek familja. Kjo periudhë na lë shumë pak kohë për qejf, por kur gjejmë momentin nuk rrimë në Tiranë.
Për Joelin çfarë ëndërron? Do të doje që të ndiqte hapat e tu?
Dua të bëhet artist në shtëpi dhe biznesmen në punë. Mendoj që ai do ketë në pronësi 2 gradaçela të mëdha, të paktën…
I keni zbuluar ndonjë talent djalit apo është akoma herët?
Patjetër. Do që tani që kudo që të jetë të tërheqë vëmendjen. Ka vesh absolut muzike. Gatuan mirë dhe flet 5 gjuhë. Përdor shumë mirë exel-in dhe powerpoint. Ka veti udhëheqësi dhe sillet shumë mirë me stafin “Ami Event”. Hë do më?!
Për kë qan më shumë ai, për ty apo për Amin?
Më shumë për mua. I mungoj dhe aq kohë sa rri me të bëhem më i vogël se ai. Plus që unë tregoj përralla më mirë se Ami.
Fëmija juaj i dytë është në plan? Kur?
Po presim… Sa të kapi vala (buzëqesh).