• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Instant Articles, Intervista, Jetë, Këshilla, Lajme

Intervistë / Dermatologia Migena Gega ju përgjigjet pyetjeve tuaja për kujdesin e përditshëm të lëkurës

Si çdo javë edhe këtë të mërkurë, dermatologia Migena Gega është pranë jush me këshillat e saj për problematikat me lëkurën. Këtë herë, tema që kemi zgjedhur për të trajtuar është kujdesi i përditshëm për lëkurën. Dermatologia i është përgjigjur pyetjeve që ju keni drejtuar në ‘InstaStory-n’ e Revista “Who”.

Çfarë duhet të bëjmë kur kemi lëkurë të thatë?

Për lëkurën e thatë është mirë të përdoren serume dhe kremra specifikë për këtë problematikë, të cilat duhen zgjedhur edhe në përputhje me moshën. Maskat hidratuese 1-2 herë në javë ndihmojnë shumë në rritjen e hidratimit në lëkurë. Evitoni mjediset shumë të nxehta apo shumë të ftohta, lani fytyrën me ujë të vakët, me solucion të përshtatshëm për lëkurë të ndjeshme dhe të thatë.

Pas larjes së fytyrës, sa duhet të presim për të vendosur serumin dhe hidratantin?

Mbas larjes së fytyrës mund të vendosni serumin menjëherë pasi e keni tharë mirë lëkurën, e pasi lëkura të ketë përthithur serumin, 5-7 minuta më vonë mund të aplikoni hidratuesin. Ndryshon koha e pritjes kur përdorni medikamente për aknet apo problematikë tjetër të caktuar.

Si të luftojmë aknet?

Përsa i përket problemeve me aknet, duhet kohe dhe durim për t’i mjekuar.

Përdorimi i një larësi specifik për lëkura me akne dhe preparateve në formë kremi apo xheli është i rëndësishëm. Shmangni produktet që bllokojnë poret. Ju duhet patjetër konsulta me mjekun tuaj dermatolog për të përcaktuar gradën e aknes dhe mënyrat e mjekimit, pasi për kurimin e saj merren preparate si nga goja ashtu edhe në lëkurë. E njëjta gjë vlen edhe për problemet me shenjat që mbeten pas akneve.

Jam 28 vjeç dhe kam shumë rrudha në lëkurë. Çfarë do më këshillonit të përdor për ta rigjallëruar pak?

Në moshën tuaj mund të filloni të përdorni një larës për lëkura normale, më pas në mëngjes të përdorni një krem me faktor mbrojtës nga dielli dhe me veti hidratuese. Në darke serumin me acid hialuronik dhe vitamina në fytyrë dhe qafë.

Kam një lëkurë të thatë, por prapë kam akne. Përdor pomad cortizoni dhe dua të di a është e dëmshme?

Pomadat me kortizon nuk rekomandohen tek pacientët me akne. Vetë përdorimi i kortizonit me një kohë të zgjatur mund të shkaktojë akne.

Femrat që janë +30 vjeç, çfarë kremi duhet të përdorin?

Mosha mbi 30 vjeç ka nevojë për krem hidratues i pasur me vitamina dhe acid glikolik, por gjithnjë i përshtatur sipas llojit të lëkurës. E rëndësishme është të përdoret kremi i diellit me antioksidante.

A funksionojnë maskat në kushte shtëpie?

Maskat në kushte shtëpie mund të funksionojnë, por gjithnjë duhen zgjedhur përbërësit e duhur në lidhje me llojin e lëkurës tuaj.

Si të largojmë yndyrën e tepërt në fytyrë dhe çfarë të bëjmë për lëkurë të ndjeshme?

Yndyra e tepërt në lëkurë mund të pakësohet duke përdorur larës specifik për lëkurat e yndyrshme, si dhe kremrat matifikues dhe seborregullues. Për ndjeshmërinë e lëkurës mund të zgjidhni që produktet të mos jenë shumë agresive dhe për lëkura intolerante./revistawho.com