• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA / Vasil Naçi zbulon formulën e suksesit në “WHO”. Biznesmeni ndan eksperiencën personale dhe ju fton në një trajnim shumë të vlefshëm!

Nga RevistaWHO.Com

Mund të jetë e thjeshtë të flasësh në teori për suksesin. Të lexosh e mësosh formula që premtojnë të të drejtojnë atje. Por është krejt tejtër gjë të përballesh me një njeri që suksesin e ka provuar, arritur dhe e shijon çdo ditë pa e humbur vëmendjen për të ardhmen. Sepse suksesi është një recetë që zgjat sa vetë jeta, që perfeksionohet me kalimin e kohës, që kërkon vëmendje të vazhdueshme për të mos humbur asnjë mundësi. E thënë kjo nga Vasil Naçi, një prej njerëzve më të suksesshëm në fushën e biznesit në Shqipëri ngjall kurreshtje për t’i shkuar më thellë këtij diskutimi. Për më tepër që ai, prej disa vitesh, ka vendosur të mos e mbajë vetëm për veten formulën që ka zbatuar për të arritur aty ku është.

Madje këtë fillim nëntori, në datat 8-10 nëntor, ai do të mbajë edhe event-trajnimin “Rruga Drejt Suksesit”, ku çdokush mund të përfitojë disa sekrete apo formula që padiskutim do t’i shërbejnë në jetë.

Por çfarë është suksesi dhe a ka formula për të shkuar deri aty? Po, përgjigjet Vasil Naçi në këtë intervistë për “RevistaWHO.Com”. Ka disa të tilla madje që nëse arrin t’i perceptosh siç duhet, mund të ngresh i sigurt themelet e jetës tënde.

A ka formula për të qenë i suksesshëm?

Çfarë do të thotë sukses ndoshta është e ndryshme për çdo individ, por unë suksesin e shikoj të lidhur ngushtë me progresin/rezultatet dhe lumturinë. Unë besoj se, sukses është të shfrytëzosh të gjithë potencialin tënd, duke marrë maksimumin e kënaqësisë nga jeta. Në këtë kontekst do të thoja se po, për suksesin në jetë dhe në biznes, patjetër që ka formula.

Formula nënkupton elementë të domosdoshëm të cilët duhen bërë pjesë e jetës, në mënyrë që suksesi të vijë natyrshëm. Gjithë event-trajnimi “Rruga Drejt Suksesit” në datat 8-10 nëntor i dedikohet formulës së suksesit që është ndërtuar bazuar në eksperiencën 29-vjeçare në biznes dhe njohurive që kam marrë nga librat që kam lexuar apo trajnuesit më të mirë botërorë.

FORMULA e suksesit është si një recetë, nëse dëshiron të ‘gatuash’ sukses duhet të respektosh të gjithë ELEMENTËT e recetës, si radhën, kohën, dendësinë, apo cilësinë.

JU (Gjendja juaj) x [Vizioni + Ndikimi + Skuadra + Strategjia + Burimet + Zbatimi] = REZULTATI.

Suksesi kërkon të jesh personi i duhur, të kesh vizionin, objektivat, ndikimin, skuadrën, filozofinë, strategjinë, burimet e duhura, t’i bësh gjërat në mënyrën e duhur dhe me nivelin maksimal të energjisë.

Të gjithë elementët e formulës janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin dhe çdo ndryshim i vogël në secilin prej tyre ndikon në rezultatin përfundimtar të suksesit.

Gjej rastin t’ju ftoj të merrni pjesë në event-trajnimin “Rruga Drejt Suksesit”, sepse ju premtoj që do të jetë një eksperiencë e pakrahasueshme, që do të sjellë ndryshime tejet pozitive në jetën tuaj, në arritjen e objektivave tuaja në jetën personale dhe profesionale. E them këtë, sepse sivjet është viti i katërt që zhvillohet ky event-trajnim dhe janë të shumtë pjesëmarrësit që e kanë përjetuar si një eksperiencë të jashtëzakonshme në jetën e tyre, që ka ndryshuar jetën e tyre pozitivisht përgjithmonë.

Përvoja njerëzore thotë që sado talent të kesh po nuk u gjende në vendin e duhur dhe kohën e duhur, zor se mund t’i gëzohesh mundësive të jetës. Si mendoni ju?

Që të gjendesh në vendin e duhur, në kohën e duhur, nuk është rrjedhojë e rastësisë, por e qartësisë, parapërgatitjes, dëshirës, pasionit, energjisë pozitive, etj. Pra, njerëzit që kujdesen për këto aspekte, gjejnë njëri-tjetrin. Kompanitë që kujdesen për këto aspekte, gjejnë njerëzit e duhur. Por do të shtoja këtu se kur ke gjetur njerëzit e duhur duhet të dish edhe si t’i mbash ata, pra duhet të kesh organizatën e duhur. Prandaj dua të theksoj rëndësinë e kulturës së koorporatës. Në themel të saj janë vlerat e duhura, filozofia dhe besimet e duhura.

Ju, kujt ia dedikoni suksesin në biznes?

Suksesin ua dedikoj prindërve të mi që më mësuan qysh fëmijë të besoj tek vlerat njerëzore e t’i kultivoj në çdo hap të jetës sime. Suksesin ua dedikoj të gjithë njerëzve që më kanë besuar të jenë pjesë e udhëtimit tim në jetë, ata më kanë mbështetur me këshilla apo kritika që të përballem me realitetin, por njëkohësisht të shikoj larg me sytë e mendjes e të ëndërroj e të punoj fort që ëndrrat të bëhen realitet. Suksesin ua dedikoj të gjithë njerëzve të suksesshëm që me trajnimet e tyre, apo librat e tyre, më kanë zbukuruar jetën, sepse njohuria të pasuron mendjen dhe shpirtin e të lehtëson jetën. Pra, njohuria ta ndriçon jetën, të kursen kohë dhe para, ta bën jetën më të bukur.

Cilat janë 3 mësimet e para që keni nxjerrë gjatë ngritjes së biznesit tuaj?

Duaje atë që bën. Dashuria, pasioni të japin energjinë që nuk shteron.

Gjej njerëzit e duhur, ata me të cilët ndan të njejtat vlera. I vetëm nuk shkon larg. Me njerëzit e duhur suksesi nuk ka limit.

Mëso çdo ditë dhe kupto se rritja është një proces që zgjat sa vetë jeta.

Marrëdhënia me paranë, dashuri e shfrenuar, modeste apo kursimtare?

Të mos kujdesesh për shpenzimet/kostot, është si të mos kujdesesh për frymëmarrjen çdo ditë. Pra, kujdesem që gjithmonë paraja të jetë e shpenzuar mirë, të marrë vlerë. Por kam kuptuar se paraja është e rëndësishme, por jo më e rëndësishmja. Të jep shtëpinë, por jo ngrohtësinë brenda saj. Të jep godinën, por jo sensin e përkatësisë së punonjësve brenda organizatës, dashurinë dhe dedikimin e tyre.

Në epokën e globalizmit dhe teknologjisë a kanë ndryshuar rregullat e biznesit?

Të dy këto elemente kaq të rëndësishëm, kanë ndryshuar thelbësisht përqasjen ndaj biznesit. Ato sjellin me vete shumë sfida, por edhe mundësi të pafundme. Tek “Agna” ne gjithmonë themi se duhet ta konsiderojmë veten qytetarë të botës dhe jo thjesht qytetarë të Shqipërisë. Vetëm kështu mund të kuptojmë sfidat dhe mundësitë e pafundme dhe t’i kthejmë ato në projekte fituese. Pra, kërkohet ndërgjegjësim, përgatitje, transformim brenda organizatës dhe veprim i shpejtë.

Si një personazh i njohur, biznesmen i suksesshëm dhe prej disa vitesh edhe këshillues/motivues për të rinjtë, cili është rregulli juaj i artë, atë që nuk e shkelni kurrë?

Janë shumë rregulla të arta që besoj se janë bazë për suksesin tonë dhe që i respektojmë fort. Por fjala “kurrë” do të thotë përfeksion dhe kjo nuk ekziston. Por do të thoja se në jetë përfiton më shumë ai që bën më pak gabime se të tjerët (buzëqesh).

Ju falenderoj për intervistën dhe ju ftoj ju dhe lexuesit tuaj në “Rruga drejt suksesit”, në 8-10 nëntor. / revistawho.com