• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA / Destinacioni “Altar” sipas Drilonës

Fotot: Pirro Beati / Hair & Make Up: Ujvara Hajdari / Veshjet: Altar

Tringëllima e derës paralajmëron ardhjen e dikujt dhe disa hapa të shpejtë, por të vendosur që përshkojnë sallën, të thonë se mysafiri i radhës ka mbërritur tashmë. Në fakt ardhja jonë pak para orarit, nuk bëri që pritja të dukej e gjatë, sepse ajo çka të ofron “Altar” në vizitën e parë është vërtet mbresëlënëse. Duket sikur gjithçka është në vendin e vet. Buzëqeshja e pakushtëzuar e vajzave që të presin e më pas kremastarët me veshjet e endura dhe qëndisura me dorë, të vendosura me aq shije na e rrëmbejnë kohën. E teksa minutat kanë fluturuar me sytë tek veshjet e mbrëmjeve, Drilona Boçi ka mbërritur për t’u prezantuar me ne. E përpiktë në orar dhe vezulluese. E thjeshtë dhe me një buzëqeshje që reflekton veç mirësisë edhe shumë besim e sofistikim. Drilona është miqësore që në shtrëngimin e parë të dorës e ndërsa i hedh një sy të shpejtë stilit të saj personal mund të bindesh akoma më shumë se moda nuk është as biznes e as punë që mund të bëhet nga kushdo. Ajo dhe “Altar” i rrinë për bukuri njëri-tjetrit. Madje duket sikur janë bërë për njëri-tjetrin. Shija dhe ambienti që na rrethon, ajo çfarë na është prezantuar tashmë, koleksionet e saj, i vijnë për bukuri për shtat edhe të zonjës. E reja e këtij prezantimi të Drilonës, fort e njohur në rrjetet sociale pikërisht për stilin e saj personal është se ajo këtë biznes ka dashur ta sjellë ndryshe, ta ndjejë në lëkurë sipas stilit të saj. Ajo ka dashur të jetë vetja brenda tij. “Altar” të jetë një destinacion sipas Drilonës. Dhe duket se kësaj here ia ka dalë. “Altar” ka krijuar dhe hedhur në treg tre koleksione, të provuara për suksesin e tyre: “Reflection”, “Shocking red” dhe “Attention”. Në bashkëpunimet e Drilonës, nga ato që vlejnë për t’u shënuar, është edhe ai me stilisten Bela Maçi, çka do të thotë se tanimë po flasim për një shtëpi mode me ide të qarta, jo vetëm për tregun shqiptar, por edhe atë të huaj. “Altar” ka hyrë në treg, por ambiciet shkojnë shumë më larg sesa vetëm krijimi i një “fashion house”. Këto Drilona i ka  bërë tashmë me të njëjtën finesë dhe stil që na ka mirëpritur edhe ne. Viti i ri që po vjen, do të ketë shumë të reja nga zonja sharmante që duket se nuk heq dorë nga asgjë që ka për zemër, dhe këtu nuk po flasim vetëm për modën. Drilona Boçi është edhe një juriste e zonja, por edhe një mama e bekuar e dy fëmijëve. Një nga ato zonja që di t’i ndajë pasionet e veta: e sigurtë në vetvete dhe profesioniste kur flet për modën dhe profesionin e juristes; e butë dhe plot dashuri kur flet për famlijen dhe më të shtrenjtët e saj. Si ia del mbanë: sekretin e mbart vetë Drilona, por mund ta gjeni edhe tek koleksionet që ka prezantuar dhe tek të tjerët që po realizohen në shtëpinë e saj, në “Altar”.

Një juriste që angazhohet me modën. Është një pasion i vjetër, një rastësi apo thjesht ndodhi?

Po, është një pasion i vjetër ky. Do ju tregoj një histori nga fëmijëria. Ndryshe nga të gjitha vajzat e vogla që vishnin këpucët e mamit, unë merrja vetëm fustanet, sepse atyre mund t’i jepja formën që doja, ndërsa për këpucët ngrihesha në majë të gishtave (buzëqesh). Siç thoshte ime më: S’e pranonte Drilona që këpuca të ishte më e madhe se këmba e saj. Ndaj, pasioni për modën tek unë, mbetet i tillë. Për sa kohë nuk dal nga vetja, më pëlqen gjithçka që femrës i jep më shumë klas, më shumë finesë, më shumë veçanti.

A është e lehtë të ndërtosh një biznes në Shqipëri, sidomos për një grua?

Nuhatja për biznes nuk njeh gjini. Unë mendoj se nisjet e vogla sjellin gjërat e mëdha, ndaj do të gjeja rastin për të inkurajuar çdo vajzë që ka dëshirën e madhe për të investuar në një biznes, por pa harruar në fillim të investojë te vetja, sepse është kryesorja. Në çdo iniciativë gjithkush mëson edhe nga gabimet, por ato nuk janë arsye për të hequr dorë, përkundrazi, duhet vazhduar përpara me shumë vendosmëri. Personalisht jam një person me këmbë në tokë. Kam zgjedhur që në “Altar”, të mos diktojë masa tek shijet, por të jenë detajet ato që bëjnë diferencën, duke iu servirur zonjave dhe zonjushave, në mënyrë që ato të gjejnë aty veten. Këtu kam dashur ta pozicionoj “Altar” dhe besoj që jemi në rrugë të mbarë.

Si ndodhi që futet edhe koleksione të reja veshjesh, nga erdhi kjo ide?

Mendoj që ishte e pritshme që “Altar” do të merrte formën timë. Tre koleksionet  e reja “Reflection”, “Shocking red” dhe “Attention”, kanë secili pak nga unë. Ato erdhën në“Altar” pas një reflektimi të nevojshëm. “Altar” duhet të përfaqësonte një shtëpi të mirëfilltë mode, jo thjesht një dyqan fustanesh. Jam e bindur se tashmë ia kemi arritur të sjellim atë që vërtet i duhet, jo vetëm vajzave në një ditë speciale, por të gjitha zonjushave e zonjave. Tre koleksionet vijnë në përputhje me konceptin e ri që ne kemi në “Altar”, për të patur linja të reja veshjesh: coctail dress, ready to wear, evening dress. Aty gjithsecila prej nesh e gjen veten.

Sa mendon se mund ta mirëpresë tregu një iniciativë të tillë?

Kërkon kohën e vet, por besoj se tregu e mirëpret atë çka vjen me një koncept të qartë dhe justifikon gjithçka që përfaqëson. Veshjet e “Altar”, të punuara me dorë duan t’i qëndrojnë besnike një femre të pavarur e më vetëbesim dhe jam e bindur që kjo filozofi do të mirëpritet akoma edhe më shumë.

Cilat janë konceptet e tre koleksioneve të krijuara në altar? A kanë një domethënie?

Identifikimi i koleksioneve me emrat përkatës është bërë jo pa qëllim. Në secilin prej tyre tregohet një hap i bërë nga “Altar”, për ta sjellë të plotë personalitetin dhe individualitetin e femrës, por edhe vetveten.

Koleksioni “REFLECTION” është i pari që ne lançuam. Reflektimi për atë që na dallon nga të tjerët, kam bindjen që është burimi i frymëzimit dhe kjo mbetet e vetmja rrugë për të gjetur energji të reja, për të krijuar, për të përcjellë atë çka është brenda, me siguri, klas, vetbesim dhe stil unik. Me këtë koleksion, ne bëmë kapërcimin e shumëpritur në “Altar”, në një dimension të ri. Tashmë kemi një shtëpi mode që nuk ndikohet nga shijet e masës, por vjen tek ajo duke u imponuar mes pëlqimit dhe veshjeve të punuara me dorë ku luhet me detajet. Në këtë koleksion me ngjyrat bardh e zi, “Altar”, përveç fustaneve, sjell veshje që theksojnë individualitetin e femrës.

Ne përzgjodhëm gjithashtu të kuqen ku përmes koleksionit “SHOCKIN RED”, ajo nuk është vetëm një ngjyrë festash, por e sjell femrën joshëse, plot pasion, duke shokuar me pavarësinë dhe energjinë që transmeton. “Altar”, preferon gjithashtu të provokojë reaksion këtë dhjetor, duke ardhur me një tjetër alternativë për të gjitha ato vajza të cilat nuk duan t’i rrinë “besnike” ngjyrave standarde të festave.

“ATTENTION” është koleksioni ku hyn në lojë ngjyra e verdhë, e cila gjithmonë tërheq vëmendje. Ajo përzihet me të zezën, thyen tabutë.

A janë provuar në treg? Si kanë rezultuar?

Koleksionet kanë dalë dhe janë mirëpritur. Interesi ka qenë i madh, pasi siç ju thashë, me veshjet e reja në “Altar” mund të eksperimentosh. Një pjesë e tyre vishen në evente, por mund të përshtaten edhe në përditshmëri. Jam vërtet e kënaqur që na kontaktojnë çdo ditë zonja me shumë stil, një pjesë e tyre edhe të njohura për publikun.

A keni në plan të prezantoheni me një sfilatë, një regjistrim marke, apo diçka që do të identifikojë emrin tani e tutje?

“Altar”, është tashmë një brand i regjistruar. Çdo veshje që ne prodhojmë identifikohet me këtë brand. Çka do të thotë, që është një veshje unike, e personalizuar. Sfilata është padiskutim një nga planet tona të afërta, por mua nuk më pëlqen të nxitohem. Ajo do të vijë në momentin e duhur dhe premtoj që do jetë si në formë ashtu dhe në përmbajtje diçka speciale.

Ju jeni një zonjë e njohur në rrjet për stilin tuaj të veçantë. A ndikon ky pasion për modën për t’u marrë më pas me të? A mjafton ai?

E përmenda dhe më sipër, që pasioni im për modën bën që punën në “Altar” ta bëj me më shumë përkushtim, por absolutisht që nuk mjafton për të qenë pjesë e rëndësishme e saj në treg.

Cilat janë bashkëpunimet me të çmuara që keni në këtë fushë?

Kam pasur bashkëpunime vërtet vërtet të çmuara, qoftë për përzgjedhjen e veshjeve të mia personale, por edhe në “Altar”. Janë bashkëpunime që i vlerësoj. Nuk do të doja të ndalesha shumë në emra të përveçëm, por mund të them që akutalisht bashkëpunimi me stilisten Bela Maçi, është një bashkëpunim shumë më pranë meje dhe konceptit tim fillestar për “Altar”, si një shtëpi mode që nuk ka asnjë arsye pse të qëndrojë brenda kufijve të Shqipërisë.

Sa e madhe është punishtja e “Altar”?

Është pjesa më e rëndësishme e punës në “Altar”, për të cilën ndjehem vërtet krenare. Stafi me zonjat e mrekullueshme që punojnë aty, duke qëndisur e duke punuar në një mënyrë artizanale e me profesionalizëm, bën që çdo veshje të jetë një copëz unike. Mund të them që punishtja e “Altar” është e madhe mjaftueshëm sa për të sjellë 3 koleksione brenda një kohe të shkurtër, ashtu sikurse për të përballuar brenda një kohe rekord, çdo porosi dhe ekzigjencë që kërkohet.

Cili është kulmi i ambicies në këtë fushë?

Nuk më ka pëlqyer asnjëherë të flas për pika kulmore të ambicieve të mia, pasi kam dashur që gjithmonë të komentoj apo edhe kënaqem në përfundimin me sukses të projektit të radhës. Gjërat e mira bëhen hap pas hapi. Natyrisht që e kemi të projektuar se ku do të jetë “Altar” pas disa vitesh. Po punohet çdo ditë për ta arritur këtë ambicie, por momentalisht ne duhet të përfundojmë projektet që do realizojmë së afërmi. Kështu “Altar” do ketë çfarë të ofrojë ditë pas dite, e muaj  pas muaji. Di të them me siguri se viti që vjen do të jetë shumë ndryshe tek ne.

Në fushën personale, juriste dhe me dy fëmijë… E ndiqni profesionin apo vetëm biznes?

Unë jam e lumtur që kam arritur që pasionin ta kthej në profesion. Njësoj vlen edhe për profesionin e juristes, të cilin e ushtroj me shumë pasion.

Jeni bërë akoma më shumë e njohur për publikun pas dasmës së shkurtit të kaluar pas 10 vitesh martesë. Sa e lehte/vështirë është jeta e një personi publik në një vend të vogël si Tirana?

Epo ne shqiptarët jemi të dashur, ndaj dhe çdo gjë që bëhet për hir të dashurisë e duam dhe e ruajmë gjatë në kujtesë. Prandaj po, e kam vërtet të lehtë të jetoj me dashurinë e Tiranës dhe njerëzve të saj.

Dhe… ku dhe si qëndron familja në të gjithë këtë panoramë?

Familja ime? Një bisedë e ngrohtë. Njeriu asnjëherë nuk di të flasë bukur për familjen, sepse duket sikur i bën padrejtësi ndjenjave të bukura që ka për shkak se asnjë fjalë nuk e përshkruan më së miri atë ndjesi, lumturi, dashuri e paqe.
Në familjen time nuk e njohim vetën e parë. Unë është zëvendësuar me Ne.
Ne tashmë jemi bërë Një, të pandashëm dhe jemi: NE për FAMILJEN. / revistawho.com