• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Instant Articles, Intervista, Në Kopertinë, Personazh, Vetëm në WHO

HISTORI SUKSESI / Lida Hoxha, t’ia dalësh si grua!

Nga revistawho.com / Fotot: Geljant Kaleci

Bukuria nuk është më një ëndërr e parealizueshme. Të mos kesh frikë të dalësh para pasqyrës, gjithashtu. As eleganca – e njëherësh nuk është më ëndërr as të jesh ‘imazhi’ që mendon për veten. Shpesh duhen ndërhyrje krejt të vogla për të rikthyer te dikush vetëbesimin dhe dëshirën për ta jetuar jetën në plotësinë e vet. Jo doemos bota ndahet në njerëz me fat për fytyrën që ju ka dhënë natyra e në njerëz që kanë drojë prej saj. Nuk ka më asnjë arsye për t’iu fshehur vetes.

Së paku sekush mundet të jetë në kufijtë e normales dhe sa më pranë perceptimit që ka për të bukurën. Në fund të fundit, ç’do të ishte njeriu në mos ndërgjegjja për të pasur ato që do? Ç’do të ishte pra njeriu nëse nuk është dëshira për t’u ndjerë mirë, para të tjerëve e më së pari para vetes. Sepse bukuria në radhë të parë është një raport me veten, në pamjen e shkujdesur të mëngjesit.

Me këtë qëllim, për t’i ardhur në ndihmë çdo njeriu që do të rrisë vetëbesimin, doktoreshë Lida Hoxha, ndërtoi një dekadë më parë një klinikë estetike, që me vitet ka marrë formën e një spitali, nga ku të gjithë dalin duke qeshur.

Klinika ‘Dermolife’ ka ndryshuar jetën e shumë vajzave e djemve gjatë këtyre viteve përmes ndërhyrjeve korrektuese. E ndërsa vitet kalojnë dhe teknologjia ofron gjithnjë e më shumë, kjo klinikë sjell praktikat më të përparuara nga e gjithë bota. Sidomos për femrat që për shkak të gjenetikës a shtatzanive tanimë mund të rifitojnë linjat, të luftojnë celulitin, të rimarrin freskinë e fytyrës pas netëve të gjata pa gjumë me fëmijët, të heqin strijat pas shtimit e rënies nga pesha, të rimodelojnë këmbët, barkun, apo zonat ku dhjami ka ndryshuar vijat e së bukurës. Ndonëse jemi rritur me idenë se lindjet e zhbëjnë feminilitetin dhe se një femër duhet të jetojë vetëm për fëmijën, pos dietave edhe ndërhyrjet munden ta kthejnë trupin e dikurshëm. Dhe ‘Dermolife’ ka treguar se mundet ta bëjë madje duke bërë ndërhyrje e trajtime që janë njëherësh edhe të shëndetshme.

Por nëse emri i klinikës ngjall besim, metodat, operacionet, kremrat e masazhet po ashtu – arsyeja është gruaja që qëndron pas ‘Dermolife’. Doktoreshë Lida Hoxha ka bërë një rrugë të gjatë deri këtu dhe nuk ka qenë e lehtë.

“Udhëtimi drejt kirurgjisë estetike dhe plastike, ka nisur 11 vjet më parë. Fillimisht ishte klinikë për shërbimet dermatologjike. Më tej duke kërkuar për të sjellë gjithmonë risi vazhdova disa hapa më tutje duke krijuar një poliklinikë të mirëfilltë kirurgjikale me standarde europiane”, – thotë ajo.

TË KESH NJË ËNDËRR

Çdo gjë nis nga një ëndërr, nga një mendim. Sepse të kesh, do të thotë në fillim të duash, të dëshirosh e më pas të ndjekësh hapat e mundimshëm drejt saj.

Gjithçka që ka arritur deri tani Dr. Lida ka qenë vetëm puna, vullneti dhe ëndrra e saj. “Ka qenë dëshira për të avancuar dhe për të përparuar në mjekësi. Sigurisht gjatë kësaj odiseje kam pasur shumë pengesa dhe vështirësi, por puna dhe dëshira për t’ia dalë më ka çuar gjithmonë përpara”, – kujton doktoreshë Lida. Duke qenë e vetme përballë një botë sfiduese ajo i ka menduar që në fillim vështirësitë. Por kishte diçka që e shtynte përpara. “Ëndrra ime! Kam kërkuar me çdo kusht ta realizoja. Sigurisht që kam provuar edhe anën tjetër të medaljes përveç suksesit, por me shumë punë dhe rigorozitet çdo gjë mund të them që ka shkuar shumë mirë”.

NJË EMËR, NJË MARKË

Sot ka emër në tregun e kirurgjisë estetike, por në fillim, kur ende nuk e njihnin Dr. Lidën e nuk njihnin as kirurgjinë plastike ajo kishte me vete vetëm besimin se do t’ia dilte mbanë. Dhe dëshirën për të sfiduar veten, dëshirën për të qenë një emër a një markë që të jep besimin që t’i dorëzosh veten. T’i besoh fytyrën e trupin tënd, e t’i besosh pamjen, me shpresën se kur del aty do jesh më bukur se çke hyrë, por pa pasur dyshimin se mund të kesh probleme. “Frika nga dështimi asnjëherë nuk më ka ndaluar për të çuar përpara qëllimet e mia dhe për të punuar fort për të arritur pikërisht atë, një emërt të mirë”, – thotë Dr. Lida Hoxha.

Tani kur emri është vënë më e vështira është te jesh në lartësinë e tij. “Sot ka shumë klinika të së njëjtës fushë. Ekziston vështirësia, por profesionalizmi që karakterizon klinikën dhe punonjësit, cilësia e shërbimit, përkushtimi ndaj të gjithë pacientëve tanë si dhe novacioni, risitë që sjellim vazhdimisht, na kanë  mundësuar që të jemi një nga klinikat me të kërkuara në Shqipëri”, – pohon drejtuesja e “Dermolife”.

Mes punës cilësore dhe publicitetit si mënyrë për të pasur sukses ajo ka zgjedhur gjithmonë punën cilësore. “Kujdesi maksimal ndaj pacientit dhe kërkesave specifike të gjithsecilit është më e rëndësishme se asgjë për ne. Ata na besojnë dhe ne duam që kur të dalin prej këtu të ndihen mirë. Në fund të fundit kjo është jo vetëm detyra por edhe dëshifra jonë”, – shton doktoresha.

HAPAT DREJT SË ARDHMES  

Nga rimodelimet e pjesëve të fytyrës e të trupit te ndërhyrjet për dobësim apo trajtime që ushqejnë lëkurën për t’i rikthyer freskinë, “Dermolife” përfshin një gamë të gjerë shërbimesh. “Ambicia jonë është të jemi gjithmonë në kërkim të perfeksionit deri në detaj. Punojmë vazhdimisht që asnjë pacient të mos mbetet i zhgënjyer, por përkundrazi të jenë të kënaqur maksimalisht nga shërbimet tona”,  – thotë Dr. Lida.

Në klinikën e saj gjen disa punonjës që kujdesen për shërbime të ndryshme, gjen kushte moderne, mjekë të njohur ndërkombëtarisht dhe produkte cilësore. Stafi kujdeset edhe për detajet që bëjnë diferencën, pastërtia që nga shkallët deri në dhomat e veçanta, bardhësia e seteve të peshqirëve, apo thjesht muzika që dëgjon ndërsa duart e shpejta të vajzave të bëjnë një trajtim ushqyes lëkure. Të mbijetosh në treg dhe të ruash cilësinë, shpesh janë dy anë që shkojnë kundër njëra-tjetrës. Por doktoreshë Lida nuk bën kompromis as me kushtet, as me stafin që e përzgjedh me shumë kujdes dhe në bazë të disa kritereve profesionale. “Kam pasur një ëndërr: një klinikë me standarde europiane. Ndaj pajisjet janë të fjalës së fundit si dhe produktet janë tejet cilësore në kuadër dhe të bashkëpunimit tonë me linjat më në zë në vende të ndryshme europiane. Unë nuk kam pasur ëndërr të kem një biznes, unë kam pasur ëndërr të kem një klinikë të mirë. Dhe nuk bëj kompromis me ëndrrat e mia”, – buzëqesh Lida.

Ndaj para se të ofrojë në klinikë metoda të reja ndërhyrjesh e trajtimesh, ajo nuk magjepset vetëm nga emri apo nevoja për risi. “Para se të aplikojmë gjëra të reja që mund të kenë rezultat më të shpejtë ose në dukje më të mirë, paraprakisht kërkojmë rezultate, kërkojmë siguri, shohim studime të ndryshme që bëhen vazhdimisht në Europë dhe kudo në botë. Klinika “Dermolife” është gjithnjë në kërkim të risive që sillen vazhdimisht edhe me përparimin e teknologjive, por me kushtin që të dimë nëse ka dëme a efekte anësore. Me kushtin që të dimë nëse humbim diçka teksa fitojmë një rezultat të caktuar. Asgjë nuk merret e mirëqenë pa e ditur se ku na çon”, – thotë ajo.

Duke qenë në kontakt me klinikat simotra më në zë në vendet e ndryshme të Europës “Dermolife” merr më të mirën nga zhvillimet e fundit në fushën e estetikës dhe plastikës.

KONCEPTI PËR TË BUKURËN

Koncepti për të bukurën ka ndryshuar shumë ndër vite. Doktoreshë Lida kujton se në fillim pacientët kërkonin që ndërhyrjet të ishin shumë mbizotëruese në proporcion me trupin apo fizionominë e fytyrës së tyre, por tani shihet një kërkesë gjithmonë e më vazhdueshme drejt natyrales. “Të gjithë pacientët që vijnë për konsultë ne i këshillojmë vazhdimisht që të ruajnë sa më shumë origjinalitetin dhe kjo ka bërë që edhe mendësia mbi rezultatin e ndërhyrjeve të ndryshojë. Sigurisht që kemi pasur raste kur pacientët kanë kërkuar ndërhyrje që cënonin organizmin, apo fizionominë e tyre dhe patjetër që nuk kemi pranuar dhe janë kthyer mbrapsht”. Kujton se mjekët e dinë gjithnjë edhe marzhin e mundshëm të ndryshimeve dhe nevojat për kujdes ndaj proporcioneve që duhet të kenë pjesë të caktuara të trupit a fytyrës. Ndaj të thuash ‘jo’ nuk është mëkat as kur je mjek.

Sot, doktoreshë Lida zhbën edhe imazhin që ne kemi krijuar për të bukurën si një domen që ju takon vetëm femrave. Edhe meshkujt po kujdesen gjithnjë e më shumë për pamjen e tyre. “Edhe meshkujt ashtu si femrat kërkojnë vazhdimisht korrektimin e defekteve të ndryshme që kanë në fytyrën apo në trupin e tyre. Madje do thosha që në disa ndërhyrje raporti i femrave apo edhe i meshkujve është i barabarte në numër”.

Këshilla më e zakonshme që ajo ju jep atyre që vijnë në klinikë, e që nuk janë të sigurtë për atë që duan, është të pyesin veten: e duan vërtetë një ndërhyrje?

“Ne ju sugjerojmë së pari ta kryejnë ndërhyrjen vetëm në rast se është e nevojshme, pra nëse pacienti ka realisht një problem estetik apo funksional. Nëse çdo gjë është në rregull me pjesën që pacienti kërkon të ndryshojë dhe e ka thjesht kompleks atëherë ne i sugjerojmë të mos e kryejë ndërhyrjen duke i dhënë të gjithë argumentet e mundshme profesionale. Kjo është një nga rastet që personat largohen, siç ka edhe raste që binden dhe na falenderojnë që i udhëzuam drejt rrugës që është më e drejtë për ta”, – tregon doktoreshë Lida.

Në një botë ku e bukura është e paskaj dhe po ashtu mënyrat për të pasur bukuri e rini të përjetshme, pyetja është çfarë do sjëllë e ardhmja. Kirurgji plastike, fillera, acid hialuronik, peeling, lifting, pra shumë procedura, të disallojshme, disa me shumë seanca. Cila është e ardhmja e klinikave të bukurisë dhe çfarë po synon shkenca?

Sipas doktoreshë Lidës, rruga drejt së bukurës është një proces dinamik dhe gjithnjë e në lëvizje të vazhdueshme. “Mendoj që shkenca e së bukurës po synon të korrigjojë çdo defekt të mundshëm në aparencën dhe fizionominë e njeriut, t’i udhëheqë të gjithë drejt një jete cilësore dhe të shëndetshme, si dhe ruajtja e rinisë dhe natyralitetit të çdo personi. Këto mendoj se janë disa nga sfidat e vazhdueshme që synon shkenca sot”.

Tani që e bukura nuk është më ëndërr, duhet vetëm të ndryshojmë qasjen ndaj së bukurës që të zgjedhim bukurinë më fine dhe më estetike. Nuk mjafton vetëm të duash, e bukura është edhe sqimë, është edhe shije. “Jepini vetes suaj shijen më të mirë të mundshme”… Kështu e mbyll bisedën me “revistawho.com”, Lida Hoxha, duke na lënë të gjithëve shijen e mirë të një profesionisteje, tek e cila ke dëshirë të rikthehesh. / revisrawho.com