• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

Ana Golja, ylli shqiptar me këmbë në tokë! Rrëfimi i parë në shqip i showgirl-it që numëron shumë suksese

Talenti shqiptar që erdhi nga përtej oqeanit. Një rrëfim në shqip i Ana Goljas. Prezantimi i Festivalit të Këngës që solli edhe zbulimin e një shqiptareje të suksesshme që bën filma, luan përkrah aktorëve të mëdhenj, këndon dhe aspiron shumë më tepër se një moshatare e saj do të donte në jetë…

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Pirro Beati / Hair & Make Up: Suela Çangu / Vendndodhja: Divina / Video: Henri Koçi

Kur Inva Mula, më konfidoi në nëntor të 2018-tës, emrin e vajzës që do të drejtonte Festivalin, unë hapa sytë. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë më parë emrin e saj dhe zbulimi i suksesit të Ana Golja nga drejtorja artistike e Festivalit, ishte një surprizë e bukur.
Nga ajo ditë nisa ta ndjek në ‘instagram’, hyra të lexoj për të dhe ylli me origjinë nga Shqipëria, kishte vërtet shumë gjëra për t’u krenuar.
Një muaj më vonë, unë dhe Ana Golja ishim në të njëjtën sallë, në konferencën ku do të prezantohej për herë të parë emri i saj dhe ku do të lindte dhe ideja për këtë kopertinë.
“Çfarë të bën kaq të thjeshtë?”, – e pyeti një nga pjesëtarët e grupit organizativ bukuroshen Golja dhe përgjigjja e saj, më ka mbetur në mendje përgjatë gjithë asaj dite dhe më vonë. “‘Fajtore’ për këtë është mami im, ajo më vë të pastroj tualetin kur kthehem në shtëpi pas një suksesi… Nuk duan që unë të fluturoj dhe ndryshoj”, – tha Ana me buzën në gaz, duke na dhënë të gjithëve në sallë një leksion qytetarie dhe modestie. Mësim i dy prindërve shqiptarë, që me sakrifica dhe shumë dashuri rritën një yll si Ana Golja.

Ana, publiku shqiptar u njoh me ty nga ‘Festivali i Këngës në RTSH’, jo më kot do të donim shumë të dinim për emocionet e tua, si e kujton atë eksperincë, si e përjetove dhe do të donim të dinim më shumë për gjithë historinë që të sollën në Festivalin e Këngës. Pra ta nisim nga fillimi, si shkoi për ty pjesëmarrja në Festival?
Shkoi shumë mirë, më mirë seç e prisja madje. Në veçanti nata e parë, sepse atë natë kisha pak emocione. Duke qenë se anglishtja është gjuha ime e parë, sepse jam lindur dhe rritur në Kanada, kisha frikë për problemet me gjuhën shqipe. Kështu që bëra praktikë duke ndenjur për shumë kohë në Shqipëri dhe përmirësova shqipen.

Kush ta ka mësuar shqipen kaq mirë?
Njerëzit e mi sigurisht. Ka filluar kështu, gjyshja dhe stërgjyshja ime erdhën nga Shqipëria në kohë të ndryshme, kështu që nisa të mësoja disa fjalë ‘tek-tuk’. Më vonë erdhi edhe gjyshi. Ai këmbëngulte që t’i lexoja gazetën ‘Panorama’ çdo ditë. Në këtë mënyrë e mësova gjuhën shqipe më mirë.

Për t’u rikthyer tek Festivali, do të donim të dinim çfarë mendove kur të erdhi ftesa për të drejtuar Festivalin e Këngës?
Jam habitur shumë në fakt. Unë jam një vajzë nga Kanadaja, vërtetë kam origjinë shqiptare, por nuk kisha ardhur kurrë në Shqipëri. Kur Inva i tha mamit dhe më pas e mora vesh unë, kam pranuar pa u menduar dy herë. Kisha vendosur t’i anuloja të gjitha planet për të ardhur në Shqipëri, për Invën, për Festivalin.

Ti u përfshive në Festival? U bënë këngët të tuat? Duhet thënë që përveçse aktore, je edhe këngëtare. Të përfshinë edhe ty emocionet e garës?
Jo, nuk kisha shumë emocione për këtë pjesë, sepse nuk isha në garë. Unë i shkruaj vetë këngët, meloditë dhe në Festival këndova vetë. Kisha emocione vetëm për prezantimin për të qenë e sinqertë. Sa i takon konkurrencës mes artistëve pjesëmarrës, ajo është gjithnjë prezente.

Po për këngët e konkurentëve çfarë mendon? Tani që festivali ka mbaruar…
Kishte shumë këngë të bukura, teksti, meloditë, gjithçka. Për më tepër ishin këngë të forta. Sigurisht edhe kënga e Jonidës ishte shumë e bukur. Për mendimin tim ishte misterioze dhe e fortë. Jonida është vajzë e mirë dhe m’u bë shumë qejfi për fitoren e saj.

Për herë të parë në Tiranë, për herë të parë në Shqipëri, si e gjete ti këtë vendin për të cilin ke dëgjuar të flitet në shtëpi, por tani e ke vizituar nga afër?
Përshtypja e parë ishte ‘bukuri’. Ka shumë bukuri natyrore të cilat nuk jam mësuar t’i shoh apo t’i ‘prek’ atje ku jetoj pasi në Toronto ka më shumë ndërtesa dhe më pak gjelbërim. Në Tiranë ka lokale të bukura. Kam parë edhe vendet turistike. Mund të them që më kanë pëlqyer jashtëzakonisht shumë.

Do të vish sërish këtu?
Po, sigurisht. Sa më shpejt të jetë e mundur.

Si i gjete njerëzit në Tiranë? Të pëlqyen njerëzit këtu? Me siguri ke njohur shumë njerëz gjatë punës me Festivalin…
Të them të drejtën nuk takova shumë njerëz jashtë festivalit, sepse nuk kisha kohë të dilja. Ato 10 minuta që më mbeteshin në darkë, në orën 11 ose 12 të natës i kaloja me familjarët e mi. Por në festival njoha njerëz fantastikë. Mund të them që u bëmë si një familje, sidomos me Viktorin, partnerin tim skenik. Ai është një njeri i shkëlqyer.

Le të ndalojmë pak këtu, kur të thanë që do drejtosh Festivalin me Viktor Zhustin, cili ishte impresioni yt? Si u gjende përballë këtij propozimi?
Unë jam kënaqur shumë sinqerisht. Në radhë të parë e dija që Inva është profesioniste dhe nuk gabon në asgjë, kështu që isha e bindur se çdo gjë do dilte shumë bukur. Në radhë të dytë, duke marrë parasysh faktin që unë dhe Viktori kemi diferencë të madhe në moshë, e dija që do kishte humor. Ai mundësoi një eksperiencë shumë të bukur dhe unë isha e sigurt pranë tij sepse e dija që kisha një partner të fortë në krah.


Ne jemi shumë kuriozë të dimë për Anën përtej hapësirave shqiptare. Çfarë bën Ana në Toronton e largët? Dimë shumë pak për ty në krahasim me atë që vërtetë bën. Dimë që je aktore, që ke luajtur në seriale dhe filma të njohur që njihen edhe përtej Kandasë, kudo ku flitet anglisht. Ndërkohë bën këngëtaren. Gjithsesi ti do na japësh një pasqyrë më të gjerë të asaj që ti je dhe që shumë pak e njohim. Si ka nisur e gjitha kjo? Si u bëre pjesë e kësaj industrie?
Gjithçka ka nisur kur unë isha e vogël, 4 apo 5 vjeç. Në atë kohë, në shtëpi shikonim shpesh filmat e Shirley Temple. Ajo më inspiroi. Shkoja në banjë dhe mundohesha të bëja zhurmat e ‘tip-tap-it’. Kur isha 5 vjeç, mami dhe babi më çuan në kurs baleti dhe më vonë kur u bëra 9 vjeç shkova në një kamp 1-javor që i dedikohej artit. Në të zhvilloheshin programe për balet dhe aktrim, kështu që u detyrova t’i bëj të dyja. Në atë kohë, drejtori i kampit më tha: “Je e talentuar dhe duhet të bëhesh aktore”. Unë refuzova menjëherë, sepse më dukej profesion i avashtë dhe unë isha fëmijë i lëvizshëm, prandaj nuk më pëlqeu. Por ai këmbënguli dhe më tha të bëhesha pjesë e një konkurimi sa për ta provuar dhe të vendosja më vonë. Unë jam karakter tepër konkurrues dhe fitova çmim të parë pothuajse në çdo disiplinë. Më pas më mori një agjent në telefon. Ai më tha që donte të më prezantonte dhe pranova. Audicionin e parë që pata e mora dhe aq ishte. Sot numëroj plot 13 vite punë pa pushim.

Ka qenë një rrugë e vështirë?
Në fakt është tepër e vështirë, sepse nuk është vetëm talenti, ka edhe shumë gjëra të tjera. Në aktrim mund ta humbësh rolin vetëm për ngjyrën e syve. Ka kaq shumë gjëra që nuk janë në kontrollin tim. Është botë sipërfaqësore, por unë e dua artin kështu që nuk e shoh si problem.

Nga çfarë ke hequr dorë në fëmijëri dhe në adoleshencë për të qenë artiste? Kam idenë që ke shmangur disa gjëra për punën, ndoshta nuk luaje ose nuk dilje me shoqet…


Të them të drejtën nuk e kam ndjerë kurrë mungesën e këtyre gjërave. Unë kisha shumë dëshirë të shkoja në punë. Nuk më interesonte lodhja edhe kur punoja 18 ose 20 orë rresht, pavarësisht se isha 9 vjeç. E vetmja mungesë që kam ndjerë është fakti që nuk kam shkuar në shkollë si moshatarët e mi. Nuk e pata atë eksperiencë, por duke qenë se punoja me fëmijë e zëvendësova në një farë mënyre. Ndërsa për pjesën e të dalës në mbrëmje me shoqërinë apo gjëra të ngjashme, për mua mbrëmja perfekte është të rri në shtëpi, të shikoj filma dhe të ha nutella (qesh).

Me çfarë po merresh tani Ana?
Gjatë 2019-ës do dalin 3 filma për të cilët kam punuar. Gjatë kësaj kohe po bëj albumin e dytë muzikor dhe do jem shumë shpejt pjesë e një filmi tjetër si producente.

Ndalojmë pak këtu. Tek 3 filmat që do dalin, njëri prej tyre është pranë një aktori që shqiptarët e njohin dhe e duan shumë, siç është John Travolta. Kam idenë që edhe në SHBA dhe Kanada nuk është e lehtë të luash krah Travoltës. Si ka qenë kjo eksperiencë për ty Ana?
Ishte eksperiencë e mrekullueshme sepse John Travolta është ikonë, sidomos për mua që adhuroj ‘musical’ dhe jam fanse e filmit ‘Grease’. Ishte nder shumë i madh dhe pata një eksperiencë të jashtëzakonshme me John-in vetë, por edhe në vendin ku xhiruam. Ai ishte njeri i mirë, i çiltër, me këmbë në tokë dhe aspak egoist. Filmi titullohet ‘Muse’ dhe e ka premierën gjatë këtij viti.

Ndërkohë na fol pak për dy filmat e tjerë, çfarë zhanri janë? Çfarë historish sjellin?
Njëri film është ‘musical’, ka në qendër 5 vajza që mblidhen dhe bëjnë një grup muzikor, ndërsa tjetri është ai që kam krijuar vetë. Mban emrin ‘The Cuban’ dhe i dedikohet rolit që ka muzika tek truri i të moshuarve që kane sklerozë. Këtyre personave ju vijnë kujtimet nga muzika.

Nga çfarë u frymëzove për këtë tematikë?
Unë kam stërgjyshen me sklerozë, nga aty u frymëzova. Si të thuash qe baza e narrativit. Po ashtu partneri im në film ka gjyshen me sklerozë, prandaj u bëmë bashkë dhe vazhduam.

Ti je vetë aktorja protagoniste në film?
Jam edhe aktore protagoniste. Disa nga emrat që luajnë krah meje janë Louis Gossett (fitues i çmimit Oscar), Shohreh Aghdashloo, aktore iraniane (e norminuar për Oscar), Lauren Holly nga ‘Dumb and Dumber’ (prodhim i njohur në Amerikë) dhe Giacomo Gianniotti nga ‘Grey’s Anatomy’.

Ti i synon çmimet ndërkombëtare?
Sigurisht që po, do të ishte një nder i madh për mua si për të gjithë, por realisht nuk është një qëllim marrja e çmimeve. Unë dua të bëj punë që do të mbahen mend edhe pas shumë vitesh. Dua të punoj për atë që kam pasion.

Si ia del Ana që të jetë kaq e thjeshtë, një vajzë shqiptare që di shumë mirë shqip dhe që pavarësisht arritjeve që ka, vazhdon të jetë me këmbë në tokë?
Kam familjen që më mban me këmbë në tokë. Mami im akoma sot më detyron të laj tualetin, kur jam në shtëpi dhe unë e bëj, nuk kam zgjidhje tjetër (qesh).

Si është dita jote?
Dita ime fillon me palestër. Më pas vishem dhe e gjithë dita i dedikohet takimeve për filmat dhe muzikën. Më pas shkoj në kurs baleti ose në studio për të inçizuar këngë të reja. Pjesa tjetër e mbrëmjes i dedikohet familjes, ose në raste më speciale eventeve ku jam e ftuar. Dita ime fillon çdo ditë në 6 ose 6:30 të mëngjesit dhe mbyllet në 12 ose 1 të mëngjesit të ditës tjetër.

Ti studion për?
Shkollën nuk e kam filluar akoma, po së shpejti do nis të lartën për biznes.

Të pëlqen bota e biznesit apo do hysh në botën e mamit?
Jo, nuk do shkoj në botën e mamit. Unë mendoj se edhe bota ime është biznes, kështu që më hyn në punë si degë. Ndoshta në Shqipëri nuk është kështu, por në Amerikën e Veriut nëse shkon në shkollë për art nuk bën dot asgjë tjetër përveç kurseve. Sigurisht që unë nuk mund të hedh poshtë karrierën e ndërtuar me mund prej 13 vitesh për 3 vite shkollim në arte, kështu që vendosa për më të mirën dhe zgjodha biznesin, shkollim që do e ndjek online.

Cilën kujton si përvojën më të tmerrshme në sheshxhirim?
Nuk kam pasur të them të drejtën, madje e konsideroj veten me fat.

Me shqiptarët e Kanadasë je në kontakt? Si është Ana në këtë komunitet që mesa di nuk është i vogël?
Komuniteti në Toronto është goxha i madh dhe unë kam kontakt pothuajse me të gjithë. Marr pjesë kur mundem në eventen që organizohen prej tyre. Por të them të drejtën nuk kam shokë dhe shoqe shqiptarë, sepse nuk kam mundur dhe koha nuk më lejon që t’i vendos baza shoqërisë.

Megjithëse 2019-ta ka hyrë prej dy muajsh, do të donim të dinim pak për vitin që lamë pas. Çfarë kujton më shumë, çfarë të ka bërë të ndihesh krenare gjatë 2018-ës?
2018-ta ka qenë vit shumë i rëndësishëm për mua, sepse kam pasur shumë rritje në karrierë. Prodhova filmin e parë, bëra disa filma të tjerë dhe publikova albumin e parë. Për të mos harruar faktin që vizitova Shqipërinë për herë të parë.

Po gjatë këtij viti, do fokusohesh në një drejtim apo do i bësh të gjitha bashkë?
Do i bëj të gjitha! Do vazhdoj të jem producente, aktore dhe këngëtare.

Do i bësh gjithmonë kështu? Nuk mendon të fokusohesh vetëm në një drejtim?
Padyshim, gjithmonë kështu. Unë realisht nuk mund të bëj vetëm një gjë. Jeta ime nuk është e plot nëse nuk merrem me shumë gjëra njëkohësisht (qesh). / revistawho.com