• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista

ADELINA JAM!

Nga Ervin Kurti

Revolucioni që solli në skenën muzikore shqiptare i dha asaj epitetin e Divës. E kjo jo rastësisht! E lidhur ngushtësisht me dritat e studiove televizive, me objektivin e kamerave, “psikovampirët” që të thithnin energjinë nga radhët e artistëve e paragjykimet shpotitëse, Adelina Ismaili tejkalonte çdo sfidë, duke u bërë gjithnjë e më tepër e paparashikueshme. E vetmja këngëtare që zhveshjen legjendare të dhjetorit të ‘96-ës nuk e përdori për të treguar hiret e saj, por për të përçuar një mesazh për të cilin shumë të tjerë kishin rënë në grackë duke u bërë njësh me sistemin e kohës. Perandoria e performancave unike që këngëtarja krijonte vit pas viti e furtunë pas furtune, futi në dejet e fansave etjen dhe dëshirën për të qenë ndryshe e për të mos u pajtuar kurrë me të zakonshmen. E sot, Adelina është një ikonë, por jo nga ato syresh që u nevojiten rolet në Hollywood e çmimet Oscar për t’u memorizuar, por nga ato që guximin e përdorën për të vulosur origjinalitetin ndaj bashkëkombësve të saj. Në këtë intervistë, këngëtarja 34-vjeçare bën një analizë “insight” të të gjitha marrëdhënieve të jetës së saj, duke filluar nga ajo me nënën, të fejuarin, fansat, miqtë e politikën, kolegët dhe veten, në përballje të vazhdueshme me të pamundurën, që ajo e konsideron thjesht si “karma” të radhës, njësoj si klipi që sapo ka lançuar në treg në bashkëpunim me reperin G4SHI…

Me videoklipin e fundit ke treguar një pjesë të karakterit të Adelinës. Me këtë këngë i ke thënë të gjitha?

Përshëndetje! Jo, nuk kam arritur t’i them të gjitha. Në momentin që puna kthehet në kënaqësi, me apo pa dashje njeriu humb sensin e realitetit. Atij realiteti që unë aq shumë dua ta përshkruaj. Por, e vërtetë që kam shfaqur një pjesë të gjendjes që po jetoj në profesion. Një mospërfillje karshi mitomanisë së njerëzve të poshtër. Një ironi timen, shumë të panjohur për publikun, ku unë tregoj që tashmë gjërat i kam lënë të ecin në rrjedhën e tyre të natyrshme. Mesazhi është i qartë: Nëse është gabim është zgjedhja ime, nëse është zgjedhja ime është mësim për mua, nëse është mësim për mua është jeta ime, e cila nuk është puna jote. Nëse të pëlqen, e gëzofsh!

Një “karma” e fortë, gati-gati shpërthyese me fuqinë që transmeton përmes klipit. Cila është simbolika e fshehur e saj?

Nuk më duket që kemi lënë gjëra të fshehura. Në fakt, është kënga ime e parë që nuk ka shumë mesazhe të fshehta brenda. Mund të them që, gjatë gjithë kohës që po punonim, mua më sillej në mendje një fjali që e kam lexuar diku: “Ndalo gënjeshtrat për mua, ose do filloj të them të vërtetën për ty”. Ndoshta kjo është simbolika. Ndoshta paraqitja ime si një malësore bionde glorifikon racën shqiptare. Racë e cila bën thashethemet, por asnjëherë nuk i beson ato. Ndoshta unë dhe G4SHI vendosëm të tregojmë që i dimë të gjitha që na bëhen pas fundshpinës (qesh). Simbolika? Nuk duhet të jesh gjeni që të kuptosh se, njeriu nuk guxon të humbë kohë në gjëra të vogla, gjatë kësaj jete të shkurtër që kemi në këtë botë.

adelina-1

Kam ndjekur rrjetet sociale e komentet poshtë tyre. Komentuesit nuk janë thjesht fansa, por ithtarë, të aftë të bëjnë gjithçka për ty; ata të konsiderojnë idhull. Po ti, si ndihesh përballë tyre?

Kam një jetë që mundohem të mësohem si të reagoj. Nuk jam mësuar kurrë. Me vite të tëra jam munduar ta thyej atë barrierën idhull-fans duke i përqafuar, duke kaluar kohë edhe fizikisht me ta, duke folur pa pushim për gjëra të rëndomta të jetës, duke u munduar të jem sa më shumë si ata. Kurrë nuk kam arritur. Filloj të dridhem njëjtë si ata, nuk kam kontroll të plotë mbi veten, sepse është energji shumë e fortë, e cila reflekton edhe tek unë. Është shenjtëri me të cilën nuk guxoj të luaj, as nuk e shes dhe as nuk guxoj ta përdor. Është një ndjenjë të cilën e kanë provuar vetëm ata që janë të bekuar. Dhe aty lind emocioni i përgjegjësisë enorme. Sforcimi për të pasur kujdes në çdo gjest, në një situatë ku asgjë nuk mund të kontrollohet. Puth, përqafoj dhe falënderoj fatin.

28 vite në skenë quhen të frytshme kur shënjon dhe mbetesh në memorien e të gjithëve. A mendon se tanimë je bërë e përjetshme?

Oh, jooooo. Kam një jetë që luftoj tabunë, dhe automatikisht i bie që luftoj dhe totemin. Përjetësia i takon vetëm veprës, asnjëherë njeriut. Nuk e kam pëlqyer kurrë megalomaninë, e kundërshton natyra. Sa herë ma përmendin këtë fjalë, mua më kujtohen ato përkujtimet në epitafet e varrezave (qesh). Unë jam ende 34-vjeçare dhe kjo fjalë po më tmerron (qesh). Të përjetshme për mua janë vetëm plagët që kam marrë kur i kam kënduar madhështisë.

adelina 3

Kur bisedon me ty, të jep ndjesinë e një mikeshe së cilës mund t’i thuash çdo sekret pa kurrfarë druajtjeje. Mund të bëhet kushdo mik me ty?

Faleminderit! Miqtë dhe mikeshat e mia që i kam që nga fëmijëria ende bëjnë shaka të tipit: “Po hapi sirtarin Adelina, do pëlcasë lufta civile” (qesh). Gjithmonë kam qenë kështu. Natyrisht që, jo gjithkush mund të jetë miku apo mikesha ime. Nuk di a është eksperienca nga kontakti i gjatë që kam pasur me njerëz të shumtë dhe të ndryshëm në këtë profesion apo thjesht intuita, por në shumicën e rasteve arrij t’i dalloj njerëzit nëse më afrohen me qëllimin e mirë apo jo të mirë. Sytë tradhtojnë. Natyrisht që, edhe unë kam qenë e tradhtuar, besoj si çdokush, por në raste të tilla nuk reagoj. Përpiqem të paralajmëroj njeriun përballë meje që, e di se jam e tradhtuar. Nëse vazhdon, duke përbuzur ndenjën time apo duke e kuptuar mirësjelljen time si injorancë, natyrisht që hakmerrem shumëfish, zakonisht duke u përplasur në fytyrë një Adelinë prepotente, e cila suksesin e ka hakmarrjen më të ëmbël. Por asnjëherë goditje të ulëta. Jo shpalosje sekretesh, jo përbuzje. Jam mikja më e mirë në botë për njeriun i cili nuk nënçmon miqësinë time. Dhe nuk jam armike e tmerrshme, jo. Jam shumë krenare që t’ia fal dikujt privilegjin e humbje-kohës sime duke menduar dhe vepruar kundër atij apo asaj. Përjetoj amnezion kur largoj dikë nga jeta ime.

Në estradën muzikore, këngëtarët i përkushtohen mirëfilli një ekzibicionizmi që hera-herës nuk bart identitet. Ti ke një filozofi tënden të të bërit art. Cila është ajo?

Demasko realitetin e fëlliqur, shenjtëro realitetin e bukur, përbuz realitetin vulgar, dashuro momentin e dashurisë, qaje momentin e dhembjes, parodizo realitetin budalla, përkulu në momentin e shenjtë. Gati çdo gjë së cilës i kam kënduar ka të bëjë me realitetin, të cilin mund ta ndryshojmë në favorin tonë. Ky obsesion me realitetin vjen si mungesë e lirisë që e kemi pasur si popull. Jo vetëm lirisë nga pushtuesit, por lirisë brenda familjes në relacionin prind-fëmijë apo motër-vëlla apo… në farefis, apo dhe në shoqëri. Unë jam rritur në një familje ku çdo gjë, e mirë apo e keqe, nuk ka qenë temë e ndaluar. Është diskutuar dhe është gjetur zgjidhja. Ballafaqimi me njerëz të cilët kishin shumë fshehtësi, që në moshë të re, për mua ishte një gjë e re, më shumë sesa shokuese. Më vonë kuptova sa të dëmshme janë fshehtësitë si pasojë e mungesës së lirisë. Dhe i këndoj realitetit, i cili duhet sfiduar për të arritur lirinë vetanake.

adelina-2

Zhveshja në skenë të ka ngritur në kult përkundër disa etiketimeve sharlatane të atyre që s’të kanë kuptuar. Çfarë është zhveshja për ty?

Zhveshje nga fëlliqësia e imponuar nga moralistët e rrejshëm. Ata që bëjnë sikur s’kanë kuptuar, e kanë kuptuar më së miri që unë po “zhvishja” perden prapa së cilës puritanët bënin orgjitë e tyre perverse, po zhvishja trurin nga shpëlarja kolektive që ishte bërë, po zhvishja shpirtin që ishte ndyrë me sado-mazokizmin, i cili fshihej pas rrobave serioze, po zhvishja dorëzat në të cilat fshiheshin thikat, po zhvishja sekretet nën ombrellën e të cilave po shkatërroheshin jetë të njerëzve të mirë, po zhvishja buzëqeshjet false nën të cilat fshiheshin ngërdheshjet e hienave të përjargura. Doja që fshehtësia të mos ishte më luksi i njëfarë “elite” idiote, në terrin e së cilës ata përdhunonin shenjtërinë e ndjenjës së njeriut të zakonshëm. E bëra me zhveshje të rrobave që të më shikonin dhe dëgjonin, të kthenin kokën e tyre e cila nuk dëgjon, por vetëm sheh, për të vazhduar t’i godas. Dhe ata e dinë. Prandaj e deformuan këtë “zhveshjen” time dhe e kthyen në njëfarë apeli seksual tek vajzat e tjera, kryesisht naive. Prandaj, në vitin 2009 në Shqipëri performova për femrën e robotizuar, femrën e zvarritur poshtë e lart, femrën që me mund ngjit shkallët por e rrëzojnë nga ato, femrën e cila hap krahët t’i arrijë lartësitë por e hedhin përtokë, femrën e cila, pas të gjitha përdhosjeve që i bëhen, nuk ngec. Këtë herë ishin më të shpejtë, e kuptuan më shpejt, për ta banalizuar. Por tashmë kisha thurur dhe unë kundërsulmin dhe ua dhashë “Tribalb”-in turinjve duke iu treguar që, “e di, të gjithë e dimë pse po sulmoni” (qesh).

Fotoja me Elvana Gjatën la shumë nënkuptime; dikush mendoi bashkëpunim e dikush tjetër miqësi, kur në fakt, sipas rregullave të egra të showbiz-it, mes jush duhej të kishte shumë konkurrencë…

Edhe unë, edhe Elvana jemi njerëz. Jemi femra që ndjejnë si të tjerët, ndoshta dhe më shumë. U takuam në një nga ato vendet e rralla ku femrat shkojnë vetë, tek floktari. U përqafuam në një moment kur të dyja ishim në turne që të stërlodhin, biseduam pak për egërsinë e këtij biznesi dhe gjëra të zakonshme. Ishte një moment i shkurtër relaksi. Unë desha ta përjetësoja atë moment aq të bukur me një foto, të cilën, kur e shikoj, kujtoj një mikeshë e cila më do kështu siç jam, të cilën e dua për atë çfarë është. Kisha dhe një borxh të pashlyer ndaj saj, prisja momentin ta takoja dhe t’ia thosha publikisht; kam vite pa takuar mikeshat me të cilat më lidh edhe profesioni, ndër të tjera. Ti më the më herët që jam një mikeshë e mirë. Ashtu qoftë (qesh)! E ftova të jetë mysafirja ime, larg syve të çakërruar që po na shikonin. As mos të të shkojë në mendje se do marr mundin të mendoj, qoftë dhe një nanosekondë, për atë që u fol e stërfol. Ku ta kem fatin që ta kem konkurrente një mike aq të mirë! Do i ndanim sukseset e fitimet bashkë, larg nga sytë e botës së showbiz-it (qesh). Jam njeri me fat, sepse kam shumë miq në botën e showbiz-it, në këtë botë ku jam rritur e zhvilluar. Por, i mbajmë miqësitë fshehtë, sepse ato mund të shkatërrohen lehtë nga egërsirat e showbiz-it, që nisin luftërat mes mikeshave për të financuar ekzistencën e tyre mjerane.

Revolucionet sjellin ndryshimin e mentalitetit të një kombi. A mendon se përgjatë këtyre viteve revolucioni skenik që ti ke sjellë e ka ndryshuar, aq sa ti ke paramenduar, perceptimin e shqiptarëve?

Jo. Ka ndikuar në një masë që të kemi lirinë në skenë, por rrethanat në një vend të vogël, ku ekstremizmi fetar ka marrë një hov aspak të parrezikshëm, politika shkatërron sensin e shëndoshë, varfëria ka shkaktuar mendjengushtësinë, ndjenja e inferioritetit ka bërë që njerëz të caktuar të krijojnë realitetin e dyfishtë ku veten e përjetojnë si anglezë, amerikanë, francezë, etj., mosedukimi të përjetohet si rruga më e shkurtër drejt suksesit, femrat 20-vjeçare që kanë mbi 1 milion euro dhe meshkujt 30-vjeçarë që shtypin njerëz me “Lamborghini” të shihen si heronj, kanë bërë të vetën. Unë kam trasuar një rrugë e cila më pas u shkel nga gllabëritës primitivë që e hëngrën dhe rrugën nga uria. Duhet nisur nga fillimi, me një asfalt antiplumb (qesh).

adelina-3

Adelina përdori politikën apo politika famën e Adelinës për të pasur ndikim në popull?

Nuk ishte vetëm politikë kur hyra unë. Ishte ideologji e cila të mësonte si të shpëtosh nga ekzekutimi i një okupimi vrastar. Më pas u bë politikë, por as që e mendoja ta braktisja. Jam gjallë falë asaj ideologjie, apo politike, quajeni si të doni. Në fakt, Kosova është gjallë falë saj. E mbështeta dhe më mbështeti. Ishin kohëra lufte për mbijetesë dhe mbështesnim njëri-tjetrin. Fjala “përdorim” më tingëllon e vrazhdë, sidoqoftë, përdorëm njëra-tjetrën sepse na kishte bashkuar fati. Apo fatkeqësia. Ndikimi i të dyja palëve rritej, por në asnjë moment nuk më ka shkuar në mendje ta braktis. Është shumë intime, shumë personale kjo puna e mosbraktisjes, për faktin se, kisha bërë një premtim tek idhulli im, Dr. Rugova. Një premtim pa zë, të shfaqur në përkrahje, qoftë me këngë, qoftë si bashkëpunëtore, qoftë si njeri që admironte ekzistencën e tij, dhe shpesh më tallnin duke më quajtur “Shef i sigurimit personal të presidentit” (qesh). Shumica e vendimeve që kam marrë në jetë janë të natyrës personale. Karriera është profesion pa të cilin mund të jetoj. Madje kam jetuar pa të shumë mirë.

Shumëkush mendon që Adelina Ismaili rrahjen fizike e ka argumentin më të fortë. Kur “rreh” Adelina? E përdor fuqinë e fjalës?

Bota shtazore ka rregullat e veta dhe unë duhej të përshtatesha në xhunglën e krijuar. Si një nga personat më të ekspozuar, isha ndër pretë e para. Nuk ledhatohen gjarpërinjtë, sado të bukur, elegantë, të përulur dhe të ndritshëm që na duken. Në Kosovë kemi një thënie që përshkruan këtë situatë: “Ose kingj, ose kasap, aty në mes nuk ka”. Nuk kam rrahur aq sa më rrahën mediat e kriminelëve në Kosovë, se do më bëni Terminator tani (qesh). Jam mbrojtur në një rast që u bë edhe strategji politike, dhe lënda ligjore, e cila përshkruan të gjitha çfarë kanë ndodhur, është në gjyq. Nuk kam ide pse askush nuk guxon ta botojë (qesh). Kam kthyer dorë vetëm në raste kur kam qenë e sulmuar fizikisht, gjë që e bën çdo njeri. Edhe pse vetë nocioni “rrahje” ishte i ndaluar në familjen time, aty ku më kanë edukuar. Nëna ime qante, me ditë të tëra, e shokuar. Hapte sytë dhe më pyeste: “Nga dole ti kështu?”. Motrat më përbuznin. Unë qeshja dhe u thosha: “Mirë se rdhët në realitetin e ri kosovar”. Kam mbi 6 vite në Zvicër dhe nuk më ka ndodhur as të kem nevojë të shikoj shtrembër dikë. Kam mbi 28 vite profesion në marrëdhënie të afërt me një numër të madh njerëzish të të gjitha shtresave, madje dhe me raste ekstreme, siç janë të sëmurit psikikë, njerëz që duan të të lëndojnë me çdo kusht, si dhe njerëz të ngritur intelektualisht, qoftë shqiptarë, qoftë europiano-perëndimorë. Po të mos përdorja fuqinë e fjalës, nuk do isha këtu ku jam.

Pse i mbetesh besnike tradicionales? Nuk rrezikon të konsiderohesh paksa “old fashioned”?

Kanye West është artisti më i shitur në botë i vitit 2014 dhe komplet albumin e tij e ka të bazuar në tradicionalen afrikane. Në origjinën e tij. Në këngët që kanë lindur në popullin e tij para qindra vitesh. Kënga-hit e këtij albumi quhet “Skllevërit e zinj”… Hiti absolut i verës 2014 në Paris është një melodi folklorike franceze e përpunuar. Kjo mania jonë që të etiketojmë njerëzit që duan veten dhe origjinën e tyre, si sistem mbrojtjeje që e kemi, sepse kemi humbur rrugën në shtëpinë tonë duke kopjuar afro-amerikanët, ka filluar të tingëllojë paksa e dhimbshme. Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa të shikosh reagimin e një producenti apo këngëtari amerikan kur i tregon RnB-në shqiptare. Ai momenti kur tjetri ul kokën dhe ndërron temën e bisedës sepse i vjen keq të tregojë mendimin e tij real. Nëse jam “old fashioned” sepse njoh më mirë polifoninë e jugut të Shqipërisë sesa Rhythm and Blues, atëherë u përkulem atyre artistëve shqiptarë të cilëve gjyshërit iu kanë kënduar me tam-tam nëpër plantacionet e pambukut në shekullin XVIII në Amerikë. Do iu përkulesha edhe nëse dinë se kush është Dora d’Istria…

A të ka detyruar censura në një farë mënyre që agresivitetin e përftuar nga frustrimi i sistemit politik ta ekspozosh në këngë?

Po, në një masë të madhe. Frustrimi nuk vinte vetëm nga sistemi politik. Përçmohet femra, vetëm pse është femër. Ngacmohen ata që janë ndryshe. Përqeshet dikush sepse ka ca kile më tepër, ose më pak. Persekutohen njerëz për shkak të orientimit të tyre seksual, sulmohet dikush për preferenca veshjeje pavarësisht aftësive, apo për religjionin, shkatërrohen jetë njerëzish sepse nuk janë apo nuk duan të jenë si shumica. Përçmoj idiotët që bëjnë ‘gjueti shtrigash’ të udhëhequr nga një mentalitet arkaik i përçudnuar, të cilin e maskojnë me thënie e citate të njerëzve më të mëdhenj në historinë e njerëzimit, të cilat i kanë gjetur në rrjetet sociale duke lexuar tinëz në faqet e njerëzve të mençur të kohës sonë. Njerëz që kanë një alter ego më moderne se vetë CERN-i, kurse vajzat e tyre e kanë të ndaluar të fotografohen me shokë shkolle. Ose tjetra. “Hoxhenicat” e jetës reale, të cilat në internet janë të disponueshme për çdo gjë që mund t’u kërkosh. Janë po të njëjtët njerëz që gjithë ditën shajnë e mallkojnë të tjerët poshtë e lart. Kundër këtyre fenomeneve kam kënduar gjithë jetën. Do të jem kundër sa të jem gjallë! Asnjëri nuk meriton të paragjykohet nga të ndyrët. Asnjëri nuk guxon të gjykojë punën e huaj nëse vetë nuk e ka bërë më mirë. Kjo u duhet ngulitur në kokë këtyre qenieve, para se t’i përplasë karma në baltën e tyre. Kjo intervistë do më sigurojë shumë sulme (qesh).

E njeh nocionin e frikës? E sheh si sfidë përballjen me të apo i tutesh?

Natyrisht që e njoh! Është ndjenja më e fuqishme te njeriu, e kemi gjenetike të gjithë. Gjithmonë kam menduar që i frikësohem, por në rastet kur jam ballafaquar me frikërat e mia më të tmerrshme, e kam kuptuar që është sfidë. Është luftë me të: ose përballesh, ose dorëzohesh. Nëse përballesh, ke gjasa ta mposhtësh. Kam bërë zgjedhjen e domosdoshme, jam përballur.

Dashuria jote për Valin, është zgjidhje apo zgjedhje?

Është sukses! Kam arritur të zgjidh dilemën se, a ekziston dashuria apo jo, duke zgjedhur t’ia fal dashurinë njeriut i cili çdo ditë më bën ta dashuroj më shumë sesa dje.

Jeta në Zvicër është larg zhurmës, pranë një liqeni dhe e rrethuar nga pemë pa fund. Duket sikur ke filluar ta shohësh botën larg “protagonizmit”?

Ikjen në natyrë, larg skenave dhe projektorëve e kam bërë që nga mosha 12-13 vjeçare. Gjithmonë kam ndjerë nevojën të mos e lë jetën e bukur të më ikë për hir të një profesioni. E rritur nga një gjyshe e cila lidhjen me natyrën e kishte organike, nuk kishte si të ishte ndryshe! Gjithmonë në familjen tonë ka pasur njëfarë ceremonialiteti kur dilnim të kalonim kohë buzë Bistricës, në bjeshkët e Rugovës lart apo në lëndinat afër liqenit të Plavës. Gjyshja na mësonte llojet e peshqve, kërpudhat, lulet, bimët shëruese dhe pa fund gjëra të tjera. Mendoj se ky fat më përcjell ende. Apo, thjesht është e implatuar në mua njëfarë lidhjeje me natyrën dhe si të tillë e akceptoj të pëlqyeshme pa vetëdije. Nuk ka më mirë sesa të jesh ai që shikon të tjerët, kur jemi te protagonizmi. Luksi më i madh në këtë shekull është të jesh totalisht anonim. Mendimi im.

adelina

Mona, nëna juaj, edhe pse paksa e sertë, konsiderohet një grua shumë e zgjuar. Do ta kishe guximin që ta gjykoje Monën për vendimet e saj kah teje?

Shumica e grave të emancipuara në Kosovë, që janë të gjeneratës së mamit, janë gra të ashpra. U jap Oskarin atyre që arrijnë të aktrojnë të kundërtën. Si fëmijë i prindërve të dalë nga Lufta e Dytë Botërore ku çetnikët kishin ekzekutuar shumicën e meshkujve, ata gjetën mënyrën të financonin shkollimin e vajzës, e cila në komunizëm është persekutuar vazhdimisht si “bija e nacionalistit”. Okupimi nga Serbia, për një grua dhe nënë që ka 3 fëmijë, punën në bibliotekë dhe punën në Fakultetin Filozofik, gjithë mirëmbajtjen e shtëpisë në supe dhe frikën konstante nga milicia serbe e etiketuar si “separatiste” sepse gjente kohë edhe për pjesëmarrje në demonstrata, mendoj që është gruaja më e fortë në botë. Shto këtu mua si emër i njohur, pastaj luftën e Kosovës; pas luftës, mjerimin dhe përballjen me njerëz që shkollën e kanë njohur vetëm kur i ka zënë nata dhe janë futur të urinojnë aty, Mona është gruaja më e mençur në planet. Nuk mund ta gjykoj, sepse, çdo vendim që ka marrë karshi meje, edhe kur më ka detyruar të mësoj, edhe kur më ka privuar nga daljet me shoqe e shokë si pasojë e frikës që mund të më lëndojë dikush qëllimisht, edhe averzioni i saj karshi njerëzve primitivë që pasuroheshin brenda natës, edhe tmerri në sytë e saj kur më kërcënonte: “Po të zura të përvidhesh nga dritarja si ato që po shoh, do të ta lë kokën te Tregu i Jevgut midis Peje”, si kur na jepte kurajë gjatë luftës: “Mos keni dert, shpejt lodhen këto egërsira”, si në çdo moment të jetës, ajo nuk më lë hapësirën më të vogël ta gjykoj. Ajo është gjykatësi më i rreptë në jetën time, por mua më duhej një i tillë. Sepse, unë fluturoja pa njohur rreziqet, ajo më kthente me këmbë në tokë. Nuk ia fal gjyqet që i ka bërë vetes. Iu kam përgjëruar në gjunjë të shpërfillte injorancën kolektive që ishte krijuar rreth nesh: etiketohej pse kishte flokë biondë! Dallojmë vetëm në perceptimin e lirisë. Ajo e privon veten nga kënaqësitë, unë jo. Këtu ndodhin konfliktet, të cilat ajo i ekzagjeron. I ngjaj nënës së saj, gjyshes, që më ka rritur; këtë ma thotë herë me dashuri, herë ndryshe (qesh).

Divat shpeshherë hyjnizohen duke u larguar nga tokësorja. Çfarë të bën ty reale dhe të prekshme?

Dëshira ime gati patologjike të kem kontakt me njerëz që i dua. Të flas me ta, të ha me ta, të pi me ta, të zbardhë mëngjesi duke biseduar për një temë të vetme. Ndoshta për lexuesin tingëllon si diçka e zakonshme, por unë nuk e kam pasur, jam rritur në skenë. Çfarë mund të dija unë për të zakonshmen, kur që nga mosha 5-6 vjeçare isha shkollë-skenë dhe anasjelltas?! Skena më ka privuar nga shumë gjëra që njerëzit e zakonshëm i jetojnë dhe nuk i përjetojnë si diçka e bukur. Por, për mua është hyjnore. Janë momente kur unë e jetoj realitetin dhe, pa dyshim që situata të tilla më inspirojnë. Shpesh kam përdorur showbiz-in që të futem në situata reale, ku kam njohur e prekur jetën normale. Prandaj, për mua nuk ekziston zhgënjimi në kuptimin literal. Ekzistojnë situata reale ku kam parë, jetuar dhe mësuar realitetin, të cilit pastaj i këndoj, i thur lavde.

Ke preferuar gjithmonë që ta tregosh me vepra se çfarë je e aftë të bësh e jo t’i paraprish me reklamime që bartin boshllëk. Kjo tregon që je me këmbë në tokë?

Na kanë edukuar që modestia është virtyt. Këtë e bart edhe sot e kësaj dite. Të qëndrosh me këmbë në tokë e shoh si privilegj. Pavarësisht që nganjëherë mund të kuptohet nga shpirtrat e vegjël si përulësi, ata që kanë njohur goditjen e krenarisë sime, tani kanë nderin vetëm të lehin në të, sikur qeni në yje. Më tmerron egomania. E konsideroj sëmundje e cila duhet shëruar, sepse kam përshtypjen që ka filluar të bëhet ngjitëse. Reklamoj produktin tim, i cili mund t’u shërbejë edhe të tjerëve, por në asnjë mënyrë veten!

adelina ismailiii

Ke deklaruar në një intervistë se punon si asistentja e Valit, të fejuarit tënd në zyrën e tij. Si është të punosh me Valin dhe si është Adelina në rolin e asistentes?

Të punosh me Valin është puna më e lehtë në botë. Është Vali që po jeton misionin e pamundur të më mësojë gjëra që vetë kam dashur t’i di. Do ta përshkruaj me pak fjalë. “Vali: OK, tani sistemo nga shifrat e larta. Unë: Po duket shëmtuar, nuk më pëlqen. Kujt po i urdhëron ti?! Vali: Adelinë, kërkove të mësosh, po të mësoj, nuk po të urdhëroj. Unë: Do ta bëj nga shifrat e ulëta, ka shumë numra, s’ka formë, është e shëmtuar. Vali: Adelinë, s’ka rëndësi estetika. Unë: Ti po e përbuz punën time edhe pse e di që kam problem me tonin autoritar?! Vali: Zemër, hyr në web të X, ka ardhur koleksioni i ri, lëre se i bëj unë ato” (qesh). Por, në një mënyrë të çuditshme, po më pëlqen. Më ndihmon ta mbaj nën kontroll sensin e organizimit dhe përgjegjësisë në punë. Kam ndenjur gjatë duke jetuar kënaqësitë.

Marrëdhëniet me dy prindërit e Valit, si i ke?

Ky nuk është publicitet, por unë vërtet kam marrëdhënie të shkëlqyera me prindërit e Valit. Mami i tij është një engjëll që më bën të skuqem nga ajo dashuri që ka për mua. Ajo është një feministe e ëmbël e cila deri më sot ka arritur vetëm të më gëzojë. Babi i Valit është natyrë mjaft e ngjashme me timen, është më temperament dhe njëkohësisht shoku im më i mirë në këtë jetë. Ai i kupton vështirësitë e mia ende pa ia treguar, ai është njeriu që di çdo sekret timin. Bisedat e pafundme me të janë nga ato momentet më të bukura të ditës, edhe për faktin që ka një humor të hollë dhe një entuziazëm që mposht çdo gjë. Nga ai kam mësuar gjëra që tingëllojnë të pabesueshme. Nga mami i Valit kam mësuar që dashuria dhe bukuria vërtet mund të jenë të pakufishme.

Kur do ta shohim Adelina Ismailin të veshur me vellon e bardhë të nusërisë? 

Kemi hedhur qindra ide me Valin për këtë temë. Të dy pajtohemi të mos bëjmë dasmë pompoze, por diçka romantike, me familjarët dhe miqtë më të afërt, në ndonjë vend ekzotik, në ndonjë kështjellë apo në ndonjë vend intim në Prishtinë, ku kemi lindur të dy. Pastaj mua më erdhi një ide. Dua që t’i kem së paku dy bebushat e mi që do mbajnë vellon time. I adhuroj ato fytyrat e bebushave në foto kur mbajnë vellon e dikujt, me ato shprehjet që fillojnë me çudi, kalojnë në gëzim, dhe në fund duke hapur gojën për gjumë (qesh). Natyrisht, Vali mbante kokën me duar kur ia shpjegoja idenë (qesh). Deri atëherë, fustanet e gjata vetëm në showbiz. Edhe aty, shumë rrallë. Ju dua!

Leave a Reply