• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

INTERVISTA/ Shoqe përgjithmonë si Mira Kazhani dhe Anjeza Maja… Sekretet e një dysheje që funksionon më së miri prej 10 vitesh

Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Çangu / Vendndodhja: Dada

Ato të dyja janë të dashurueshme! Gjithëherë të qeshura, mikesha prej 10 vitesh ‘ndajnë’ me njëra-tjetrën bukurinë e thjeshtë, fine dhe të ëmbël. Dy vajzat e ekranit, Mira Kazhani dhe Anjeza Maja  rrëfejnë në një intervistë miqësinë e tyre të kahershme dhe na tregojnë se si i ndajnë rolet në një dyshe të pandashme, edhe kur nuk janë pranë njëra-tjetrës.

Mënyra se si e kritikojnë njëra-tjetrën për ta sjellë me këmbë në tokë, mënyra si e ngushëllojnë, hatërmbetjet e pashmangshme që nuk zgjasin më shumë se 10 minuta, veshjet, shijet, udhëtimet, puna, natyrat, lideri në grup, janë temat për të cilat përgjigjen pa i rënë ndesh njëra-tjetrës në një marrëdhënie miqësore ku udhëheqja është rotacion.

Duket se zbulojmë më shumë për to, prej njëra-tjetrës; Mira dhe Anjeza më shumë se rrëfime ‘të ëmbla’ për shoqen sjellin detaje nga jeta e tyre, sa dhemb një dashuri, si kalohen ditët gjatë dhe pas punës, si janë karakteret e tyre, si ndahet koha e lirë, kufiri që nuk duhet kaluar, bezdia e një ‘gardiani’ që të rrëmben lirinë dhe gjetja e masës së duhur për të qenë aty kur tjetri ka nevojë e talenti që të mos jesh kur tjetri është i lumtur në kohën e vet.

Ky është një rrëfim pa dorashka nga Mira dhe Anjeza.

13524458_10206693256273359_3149514988948253352_n

Dy shoqe ju që duheni si motra, apo e kam gabim? Çfarë i ka lidhur në fillim dhe çfarë i lidh tani Mira Kazhanin dhe Anjeza Majën?

MIRA: E di që as unë dhe as Anjeza nuk kemi qenë të vetëdijshme që ishim aq shoqe sa dukeshim për të tjerët. Ishim shoqe të ngushta por kam vënë re që miqësia jonë është shndërruar në simbolin e atyre dy mikeve që nuk janë zënë ende në qytet. Nuk është e lehtë të jesh shoqe e mirë dhe anasjelltas. E pyes edhe unë veten si ka mundësi që rri ende me këtë njeri, por ky fat na ra (qesh). Përtej batutës, mund të them që tekat e mia mund t’i menaxhojë vetëm Anjeza. Dhe kapriçot e Anjezës mund t’i sistemoj vetëm unë. Një mikeshë na thotë shpesh se kur nxehet njëra, tjetra rri urtë. Kështu ndodh gjithmonë dhe ne se dinim që kishim një formulë magjike.

ANJEZA: E vërtetë, jemi shumë shoqe dhe në jetë është shumë e rëndësishme të kesh një mike të vërtetë…

Çfarë i ka lidhur në fillim dhe çfarë i lidh tani Mira Kazhanin dhe Anjeza Majën?

ANJEZA: Fillimisht jemi njohur në televizion duke bashkëpunuar me njëra-tjetrën e më pas shoqëria u bë më e fortë përtej punës. Mbi 10 vjet shoqe tregon që na kanë lidhur shumë ngjarje e momente të jetës, evente familjare, shoqëri të përbashkëta.

Punoni në të njëjtën kompani mediatike, madje edhe oraret e transmetimit i keni njëra pas tjetrës… Jeni sërish bashkë në drekë ose në kafen e pasdites, udhëtoni bashkë, pushoni bashkë, nuk lodheni ndonjëherë nga njëra-tjetra?

MIRA: Ashtu duket por secila nga ne ka jetën përtej miqësisë. Anjeza është shumë e lidhur me mamin dhe motrat e saj dhe unë me nipërit e mbesat. Nuk mendoj që ne dukemi super-shoqe ngaqë rrimë shumë bashkë edhe pse sasia mbetet i vetmi etalon raportesh për fat të keq. Meritat i shkojnë një tolerance të pashkruar mes nesh. Secila ka të drejtë për privatësinë e saj dhe ka ndodhur mos të takohemi me javë e prapë jemi gjetur ku jemi lënë. Miqtë nuk durohen kur bëjnë gardianin. Unë jam shenja e Demit dhe provo t’i marrësh lirinë një demi.

Sa i takon punës, “Top Channel” është një vetëm një rastësi e bukur. Në punë jemi hermetikisht të ndara. Kemi rënë dakord që të ruajmë një farë distance për sa i takon punës aty. Sigurisht që flasim shumë për punën por pa tepruar.

ANJEZA: Nuk lodhemi, kemi gjithmonë për të diskutuar dhe për të ndarë me njëra-tjetrën. Miqtë e vërtetë nuk të mërziten kurrë. Në fakt kemi disa orare të përbashkëta të përditshmërisë si palestra, një kafe pas saj, por sigurisht secila ka dhe aktivitetin e saj profesional e personal, Mira gazetare ka takimet e saj, unë në një fushë tjetër kam impenjimet e mia.

13528300_10206693236432863_2313311124793142825_o

Thuhet se shoqet e ngushta janë njëherësh edhe kritiket më të forta të njëra-tjetrës. Ndodh kështu edhe me ju?

MIRA: Moralizimet nuk i dua. Do ta mbroja Anjezën edhe në gabimin e fundit të kësaj bote. Ajo do bënte të njëjtën gjë. Kritika? Po, ka të tilla. Anjeza më mban shpesh me këmbë në tokë se unë jam romantike.

ANJEZA: Kritikojmë por edhe vëmë në dukje talentet e njëra-tjetrës.

Për çfarë debatoni më shpesh?

MIRA: Ku do e pimë kafen… Debatojmë por nuk mban më shumë se 5 minuta. Nuk jemi zënë kurrë edhe pse hatërmbetjet janë të paevitueshme. Dyshimi është pjesë e ekzistencës dhe nuk mund të jesh gjithmonë e varur në të njëjtën fije peri. Si thotë Ajnshtanji: një gjë është absolute, që çdo gjë është relative.

ANJEZA: Shumë vite që njihemi dhe arrijmë të kuptojmë njëra-tjetrën që nga zëri përtej telefonit… Nuk debatojmë pothuajse fare, diskutojmë, por arrijmë gjithmonë t’i themi gjërat ashtu siç janë dhe siç do ishte më e mira, me takt dhe pa lënduar njëra-tjetrën. Ndoshta kjo është formula e jetëgjatësisë së shoqërisë tonë.

13501678_10206693243593042_570866950945503907_n 13510821_10206693236472864_1035851299852184360_n

Keni të njëjtat shije në ushqim, veshje?

MIRA: Kemi shije të ndryshme dhe jemi llupëse të dyja.

ANJEZA: Unë ha çdo gjë, pavarësisht se shpesh ndjek një dietë të rregullt në të ngrënë gjithashtu edhe Mira. Tek veshja kemi shije të njëjtë, e dimë se çfarë i shkon sipas karakterit dhe moshës apo pozicionit në punë, secilës nga ne.

Çfarë i keni mësuar njëra-tjetrës?

ANJEZA: Unë tek Mira, kam mësuar që të mos kem frikë të shprehem ashtu si mendoj, të mos dal nga vetja, të lexoj pak më shumë. Ajo nga unë ka mësuar të jetë më praktike.

Kush është liderja e dyshes?

MIRA: Qeverisim me koalicion.

ANJEZA: Duket sikur është Mira, por jam unë…

Dini çdo sekret?

ANJEZA: Zakonisht sekretet janë gjërat e pamundura, gabimet apo paratë, nuk besoj se janë kritere për të treguar se sa e fortë është shoqëria.

Jeni zënë ndonjëherë?

MIRA: Jo.

Sa kohë ka rezistuar mëria?

ANJEZA: Maksimumi 5 minuta debat e pastaj çdo gjë si më parë.

13511022_10206693243553041_4766006211345090480_n 13529260_10206693256233358_4432190372796398308_n

Herë pas herë ju bashkohen edhe mikesha të tjera, bëheni xheloze?

MIRA: Nuk kam moshë për xhelozira gjimnazi.

ANJEZA: Gjithmonë kemi pasur edhe shoqe të tjera, por asnjëra nga ne nuk është xheloze. Sigurisht që miqësinë më të ngushtë e kemi me njëra-tjetrën.

Si është Anjeza në një lidhje dashurie?

Anjeza në një lidhje dashurie: “pasionante, tolerante dhe shumë e përkushtuar”.

Po Mira?

Romantike, e përkushtuar.

Kush e vuan më shumë ndarjen?

MIRA: Miqtë nuk të lënë kurrë të biesh. Pastaj kush e peshoi vuajtjen në këtë botë… Garat nuk më kanë pëlqyer kurrë dhe krahasimet deri diku.

ANJEZA: Vuajmë si të gjithë njerëzit e botës dhe kemi fatin që kemi patur gjithmonë njëra-tjetrën në krah. Mira është gjithmonë aty nëse unë kam nevojë. Madje ajo ka talentin të mos jetë kur sheh që unë jam e lumtur dhe më lë në kohën time. Shoqet e vërteta nuk njohin vetmi.