• youuinsttaaffccbb
TEST
4, Intervista

INTERVISTA / Rezarta Koçi, noterja e veprave të mira

Nga revistawho.com / Fotot: Pirro Beati / Veshjet: Tier by Tier / Dekori: Sara Event

Një grua më shumë që angazhohet në sferën publike, është gjithmonë një lajm i mirë. Premton një zë më të dashur, më të paqtë, më bindës. Ende në punën e saj të përditshme si notere dhe si pedagoge, Rezarta Koçi gjithmonë e më shumë ka nisur të spikasë edhe si “avokate” e çështjeve sociale, duke u përfshirë në projekte të ndryshme që përmirësojnë jetën e komuniteteve që kanë më shumë nevojë. Ndonëse pa artikuluar ndonjë plan të afërt politik, jemi gati të vëmë bast se do të dëgjojmë shumë shpejt të flitet për të…

Për lexuesin e “Who”, a mund të na bësh një përshkrim të vetes? Kush është Rezarta Koçi për ata që nuk e njohin?

Rezarta për të gjithe ata që nuk e njohin është një grua, e cila ka zgjedhur të punojë fort dhe të ndjekë qëllimet e saj. Lindur dhe rritur në Tiranë, edukuar nga një familje, që prioritet ka patur gjithmonë kulturën dhe edukimin në nivele të larta, që e vogël dallohesha për vullnetin që kisha për të mësuar dhe dëshirën për të sjellë ndryshim, ndaj vendosa të studioj për shkenca sociale dhe më pas për juridik, aktualisht punoj si notere dhe them me krenari në një nga zyrat më të suksesshme të noterisë, ku shumë njerëz gjejnë zgjidhje të problemeve të tyre dhe ndihem e lumtur për këtë.

Çfarë e shtyn një pedagoge që të zëvendësojë aulat e Universitetit me një audiencë më të madhe sesa sallat e mbushura me studentë?

Pikë së pari më lejoni t’ju them se është një kënaqësi shumë e madhe të jesh pedagoge, studentët sot kanë një horizont shumë të gjerë, vizione për të ardhmen dhe dëshira e qëllime. Për mua është e rëndësishme të jem pjesë e shtysës dhe t’i ndihmoj ata me sa mundem me njohuritë, eksperiencat profesionale dhe sociale të miat.

Një pedagoge e shtyn dëshira për të qenë më pranë njerëzve, për t’i ndihmuar ata dhe për të bërë diçka më shumë në të mirë të tyre.

Si reagon ndaj kritikave? Apo ndaj rrjetit, që ndonjëherë është i pamëshirshëm?

Thonë që nëse nuk je i hapur ndaj kritikave, atëhere nuk mund të rritesh, pra kritikat janë pjesë e rëndësishme e suksesit. Ka kritika të mira në formë këshille apo dashamirësie, që m’i thone dhe i mbaj parasysh, ndërsa përsa u përket kritikave të rrjetit, njerëzit shikojnë, dëgjojne, ndjekin, por unë lë gjithmonë punën që të flasë, jam shumë e zënë nga mëngjesi deri në darkë dhe t’ju them të drejtën e kam shumë të kufizuar kohën për t’ia kushtuar rrjeteve sociale.

Gratë duhet ta ngrenë zërin fort apo të punojnë urtë e butë?

Maya Angelou thotë që çdo herë që një grua ngre zerin për veten e saj, dhe mbron veten e saj, e ka ngritur zerin për të gjitha ne gratë. Nuk jemi më ne patriarkalizëm ku femra duhet të qëndrojë urtë e butë, të bëjë punët e shtëpisë dhe të kujdeset për familjen e kaq. Femra është forca e shoqërisë, përveç kujdesit të familjes ajo ka ëndrra, vizione, karrierë dhe mbi të gjitha ka zë për çdo padrejtesi apo pabarazi që i bëhet. Zëri i femrës është i fuqishëm dhe prandaj duhet ngritur fort, për të mbrojtur qëllimet dhe të drejtat e tyre.

Po a i bëjnë dot gratë vërtetë të gjitha? Edhe mirërritjen e familjes edhe mbajtjen e shtëpisë, edhe profesionin, por edhe kohën për veten? Cilat janë akrobacitë e tua?

Gratë kanë treguar që mund t’i bëjnë të gjitha, kemi dekada qe e shohim këtë, që te gjyshet, nënat tona apo dhe ne vetë. Kemi mbi kurriz një peshë shumë të rëndësishme siç është familja dhe një femër kujdeset më së miri për familjen e saj, gjithashtu duke i kushtuar rëndësi karrierës dhe duke gjetur kohë për veten. Mundohem t’i bëj të gjitha. Patjetër që gjej mundësi mes gjithë punëve që kam të gjej kohë për të shpenzuar me familjen dhe fëmijët e mi, por mundohem gjithmonë të gjej kohë dhe për veten, pasi mirëmbajtja dhe estetika janë pjesë e rëndësishme e rutinës së një femre.

Si po e përjeton këtë situatën me Covid?

Mund të themi që ka qenë një periudhë stresuese dhe presioni psikologjik. Patjetër që kemi marrë çdo masë që në fillim, dezinfektues, maska, distanca… Thjesht uroj që kjo situatë të mbarojë sa më shpejt, pasi bota më duket e shëmtuar me njerëz me maska dhe distancë, ku nuk ke mundesi as të përqafohesh me njerëzit e zemrës nga frika se mos ju ndodh diçka.

Njiheni si “noterja e veprave të mira”, gjithnjë në ndihmë ndaj të pamundurve, shtresave vulnerabël… Çfarë të ka afruar me këto kauza?

Dashuria ime e parë, shkencat sociale më kanë bërë që të jem shumë afër emocionalisht me njerëzit dhe t’i ndihmoj me aq sa mundem. Radhën e fundit ishim tek azili i pleqve dhe nuk di ta them se çfarë lumturie më kanë dhuruar zonjat dhe zotërinjtë e nderuar thjesht me buzëqeshjet dhe falënderimet e tyre. Ajo që bëj unë nuk llogaritet me mirënjohjen dhe dashurinë që marr si feedback.

Sa e vështirë është të gjeni hapësirë për të tjerët në vrullin e një ditë të mbushur plot me punë në zyrën tuaj të noterisë?

Shumë e vështirë, ndonjëherë më duket e pamundur sesi ja dal mbanë gjithë këtyre punëve, dhe them me vete kam një forcë te hekurt, sepse realisht janë shumë angazhime brenda një dite që përpiqem t’i përfundoj dhe përpos punës të qëndroj dhe pranë familjes dhe miqve.

Puna juaj ne vetvete mund të konsiderohet si një ndihmesë ndaj atyre që kanë probleme me ligjin, pse e ke zgjedhur këtë profesion?

 Sepse Rezi është e dashuruar pas drejtësisë, karrierës dhe ndryshimit në vend. Dhe ky është një profesion që t’i ofron të gjitha mundësitë për t’u rritur dhe për të krijuar lidhje me njerëzit, connections, pasi ato janë më të rëndësishmet në ditët e sotme.

 A e beson Rezi tek drejtësia në Shqipëri?

Qëllimi ynë është që drejtësia të bëhet dhe të ndihet tek publiku dhe në bëjmë më të mirën e mundshme për ta arritur çdo ditë këtë.