• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA / Inva Mula, nga mama tek “Mama”

Nga revistawho.com / Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Lili Ismaili / Veshjet: Joni Peçi

Joni Peçi dhe Inva Mula janë miq, miq të vjetër. Natyrisht edhe miq shumë të mirë. Por nuk është kjo arsyeja e parë se përse stilisti e zgjodhi Invën si imazh të krijimit të tij të fundit, parfumit “Mama”.

Inva dhe Joni kanë një bashkëpunim të gjatë. Ai ka vite që e vesh, që i kuron imazhin, që krijon për të, që ia njeh shijet dhe di sesi theksohen edhe më shumë tiparet e një dive. Por nuk është arsye e mjaftushme për ta zgjedhur si imazh të parfumit të tij “Mama”.

Inva është një grua elegante, fine, një artiste kalibri, nga ato që një vend si i yni e ka për krenari ta ketë. Por shkon përtej kësaj ky gërshetim me aromën e parfumit shqiptar.

“Mama” është një parfum që i thotë të gjitha që në emër: është i krijuar për nënën, për gruan më të rëndësishme të jetës. Dhe Inva është gjithashtu një nënë, është mami i Anthonyt dhe Ninës. Ama, ka edhe diçka tjetër, që i përmbledh të gjitha bashkë, të qenit mikeshë, bashkëpunëtore, grua elegante apo figurë e një nëne.

Është marrëdhënia që Inva Mula ka krijuar ndër vite me parfumin, me aromën, me kujtimet e flakonit të rrallë të së ëmës që kur ishte ende fëmijë, me jetën në Paris, vendin e parfumeve, me zbulimin që në lule të aromave të çmuara, me shtëpitë e mëdha të modës, me njohjen e thellë që ka krijuar ajo ndër vite me lëngun që e bën çdo grua unike dhe me rëndësinë që i jep ajo një parfumi, duke mos e trajtuar kurrë si një shishe me erë të mirë dhe kaq. Sepse çdo aromë që ka sprucuar në trup ka pasur një historizë, një ngjarje që ka lënë shenjë në jetën e saj, një miqësi, një dashuri me shikim të parë, siç ishte “Agent Provocateur”. Dhe për t’i vënë vulën vargut të arsyeve se përse kjo grua është imazhi i përsosur, ka edhe një parfum që “Chanel” dhe mikesha e saj parfumatore kanë krijuar për Invën, për zërin e “La Traviata-s”. Pra, Inva dhe aroma janë një kimi që në fund prodhojnë një imazh perfekt. Prandaj për “Mama-n” nuk mund të kishte një grua tjetër veç Invës dhe qershizës mbi tortë, Ninës së saj të vogël.

Na e tregoni pak historinë si erdhi tek ju “Mama”?

“Mama” erdhi pas një prej takimeve të shumta me Joni Peçin. Ai më thotë se ndër gjithë parfumet dhe linjën që po zhvillon me aromat e përzgjedhura, pas ‘Encikoopedisë’, një prej tyre është më speciale dhe do t’ia dedikonte mamasë së tij dhe të gjitha nënave. Mua më pëlqeu shumë kjo ide, sepse të gjithë në momentin që flitet për nënën prekemi. Këtë do ta bësh ti, më tha, dhe jo e vetme, por me vajzën tënde. E kam falenderuar Jonin shumë dhe më pas për këtë zgjedhje, sepse ai nuk e mendoi Invën vetëm si imazh artisti apo si imazh të parfumit, por edhe Invën në rolin e prindit. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme e jetës sime, e çmova shumë. Dhe kështu erdhi bashkëpunimi, fare natyrshëm.


Ide shumë e bukur… Nd
ërkohë, çfarë marrëdhënie keni ju me parfumin, keni një të përjetshëm apo i ndërroni shpesh?

Një marrëdhënie me faza të ndryshme dhe kur them me faza e kam fjalën për periudhën pasi kam shkuar në Paris, sepse deri atëherë ne nuk dinim çfarë ishin parfumet dhe për këtë mund të na vijë për të qeshur tani, por kjo është e vërteta. Brezi ynë ka pasur shumë pak mundësi.

Dua të tregoj edhe një histori shumë të bukur dhe më gëzove që ma bërë këtë pyetje, sepse këtë histori nuk e kam thënë kurrë. Kur isha e vogël mami im kishte një parfum të preferuar që e ruante me shumë kujdes dhe që quhej “Krasnaja Moskva” dhe është një parfum mitik, që ajo e kishte përdorur kur ishte studente. Ky parfum pastaj u zhduk dhe mami nuk mund ta përdorte më. Kur shkoj në Rusi, në Moskë, e kërkoj edhe e gjej këtë parfum dhe që atëherë në çantën time ka përherë një shishe të vogël “Krasnaja Moskva”. Sa herë më merr malli për nënën time, e nxjerr dhe e ndjej aromën që ma kujton. Prandaj them që kam kaluar në shumë faza.

Kur u ballafaqova në Francë me shtëpi diskografike, me çmimet që kam fituar dhe m’u hapën dyert e karrierës me konkursin ”Operalia”, të cilin edhe e fitova, fiks në atë kohë u njoha edhe me “Givenchy”, që e mbështeste konkursin edhe financiarisht dhe sponsorizonte 4 çmime. Aty u përballa për herë të parë me Haute Couture dhe ”Givenchy” na dha të drejtën të shkonim në atelienë e tij dhe të zgjidhnim çfarë do vishnim. Aty kam parë për herë të parë çfarë do të thotë të shkosh të zgjedhësh veshjet eksluzivisht. Përveç veshjeve, tek “Givenchy” u njoha edhe me parfumin “Amarige” kësaj shtëpie mode, të cilin e kam përdorur gjatë viteve të para të qëndrimit tim në Paris. Më vonë u dashurova me “Eau du Soir” të Sisley-t dhe e përdora shumë atë parfum. Në një takim me Helena Kadarenë në Paris zbulova që ajo kishte një parfum që vinte shumë afër shijeve të mia dhe e pyes për emrin. Më tha që quhej ”Agent Provocateur”, por ishte një parfum jo shumë i njohur, që nuk mund ta gjeje kudo, ishte ekskluziv. Por Helena e gjeti dhe ma solli një të tillë. Për shumë kohë jetova edhe marrëdhëniën e dashurisë me “Agent Provocateur”. Pra, kam kaluar në shumë faza parfumesh, por kryesoret janë këto.

Një grua si ju, që ka jetuar në Paris, e ka nuhatjen shumë të stërvitur me aroma të mira… Si ju duk “Mama” kur e nuhatët për herë të parë?

Këtu dua të ndaj një detaj shumë të rëndësishëm: Në vitet e para që kam jetuar në Paris, kam pasur fatin të njoh një nga krijueset e parfumeve në Francë. Ajo ishte një krijuese shumë e talentuar, vinte nga Grace (jugu i Francës, mes qyteteve Cannes dhe Nice), ku ndodhen edhe fabrikat kryesore të parfumeve francezë, sepse këto zona janë furnizuesit e lëndës së parë: luleve të livandës apo luleve të tjera aromatike. Në atë kohë ajo kishte pasion muzikën klasike dhe ishte fanse e zjarrtë e imja. U bëmë shoqe e sot e kësaj dite jemi mikesha të ngushta. Karina sot është një nga kreatoret kryesore të parfumeve dhe me ndihmën e saj arrita ta perfeksionoj edhe nuhatjen e aromave dhe të shikoj nga afër të gjithë procesin e krijimit të tyre. Jo më kot them që kam një lidhje shumë të fortë me parfumet. Para 10 viteve, “Chanel” organizoi një koncert në kuadër të një fushate kundër kancerit. E frymëzuar nga interpretimi im gjatë këtij koncerti, Karina, shoqja ime, krijoi një parfum eksluzivisht për mua, që quhet ‘Siempre Libre’.

Këtë detaj duhet të mos e kishit mbajtur të fshehur deri tani. Përse u quajt kështu parfumi?

Në atë kohë unë këndoja shumë “La Traviata” dhe aria kryesore quhej “Siempre Libre” (gjithmonë e lirë) dhe kështu e pagëzuam edhe parfumin.

Ekziston ende ky parfum?

Po, ekziston. Është një projekt që shtëpia e modës “Chanel” e subvencionoi, por ne nuk arritëm ta komercializonim, ama është gjithmonë një parfum i Invës, “Siempre Libre” dhe jam nga të parat shqiptare që kam krijuar parfum në Paris.

Pra, nuhatja juaj është mprehur në mënyrë profesionale. Si u ndjetë kur nuhatët “Mama” për herë të parë?

Ne kishim folur për konceptin dhe gjithçka tjetër në atë kohë dhe teorikisht më pëlqente shumë, sepse lidhej me familjen, me Ninën, me mëmësinë, gjëra që unë i kam shumë të forta në vetevete, por Joni nuk ma tregoi si aromë. Në një moment të caktuar i thashë: Joni, tani jam gati ta ndjej “Mama-n”. Në momentin që u hap parfumi, ndjeva veçantinë që ka. “Mama” është një buqetë me lule të ëmbla, kështu e quaj unë. I kam thënë edhe Jonit, nuk kemi pse shkojmë drejt sofistikimit. Mund të shkojmë drejt aromash që kemi ndjerë dhe le të jetë ky parfum si një buqetë lulesh që do të donim t’ua jepnim nënave.

I përshtatet lëkurës tuaj “Mama”? Është në shijet tuaja?

Po, i përshtatet. Ju e dini që parfumi është kimi, çdo lëkurë reagon ndryshe ndaj një arome dhe këtë ma ka mësuar Karina. Ajo më thotë që parfumi është si veshja, si ngjyrat, si muzika, si zëri, si gjithçka që përshtatet dhe parfumi ka të bëjë në radhë të parë me lëkurën dhe ka reaksionin e vet. Mendoj se “Mama” i përshtatet çdo lëkure, çdo nëne, sepse është krijuar për to.

E bukura e këtij projekti është që ju nuk ishit vetëm. Si ishte bashkëpunimi me vajzën tuaj për krijimin e reklamës së “Mama”?

Imagjinata ime nuk kishte shkuar kurrë kaq larg sa të mendoja Ninën jo vetëm si pjesë të atij 36 sekondëshi, por që ajo do të ishte imazhi kryesor. Kjo ishte më e bukura. Me Ninën pashë që publiku çmoi më shumë sinqeritetin e fëmijës, çiltërsinë e saj, sesa mua si imazh. Për këtë jam shumë e lumtur. Nina ishte shumë e shpenguar, e natyrshme dhe gjëja më e bukur ishte që kur ne xhironim punonim në dy kate të ndryshme dhe kur unë bëja foto, Nina ishte poshtë me grupin e xhirimit. Në një moment vjen Joni e më thotë që do shkojë të ndihmojë e të flasë me Ninën për ato që duhet të bëjë. Kur Joni arriti poshtë, grupi i xhirimit na tregoi që gjithçka kishte mbaruar, sepse Nina i kishte bërë gjërat vetë. Aty e pamë që spontaniteti i fëmijës është kaq i fortë dhe kaq i natyrshëm, sa nuk ka as nevojë t’i mësosh.

Pra, Nina ishte e përkushtuar në rolin e saj?

Ishte më shumë se e përkushtuar. Në një moment duhej të lagte fustanin për ta gjetur parfumin në bregun e detit dhe e kishte bërë si skenë disa herë. Megjithëse ishte ftohtë, ajo e lagu të gjithë fustanin dhe shkoi përtej asaj që i kërkohej, që reklama të dilte sa më natyrshëm.

A është “Mama” dhurata perfekte që një grua mund të marrë?

Unë mendoj se mesazhi është shumë i rëndësishëm dhe aty qëndron gjithçka. Një buqetë e bukur dashurie që një nënë e merr nga fëmija e vet. Aty është gjithë suksesi.

Ua ke prezantuar mikeshave “Mama-n”?

Jo, nuk ua kam prezantuar akoma, sepse është akoma faza e parë. Unë mendoj se prezantimi i parë ishte shumë dinjitoz, puna e shkëlqyer që bëri Joni Peçi dhe “Max Production”, të cilët kanë realizuar një minifilm, për të cilin kam marrë kaq shumë urime, ka pasur një impakt shumë të bukur tek publiku, sepse mbi të gjitha ka rëndësi mesazhi që përcjell. Ky është prezantimi më i mirë. Nuk ka rëndësi të prezantohet, objekti, parfumi në vetvete, por mesazhi duhet të jetë i fortë dhe të shkojë me emocion dhe natyrshëm tek publiku.

Duhet të falenderoj edhe Endrit Mërtirin, për syrin e tij të kujdesshëm, që më impresionoi me komoditetin dhe punën krijuese. M’u duk sikur e njihja prej kohësh atë djalë fantastik. Dhe patjetër faleminderit mikeshës sime të vjetër që edhe në këtë ritakim pas vitesh më bëri të ndihem shkëlqyer me veten time, siç ajo bën gjithmonë.

Çfarë do të thotë për për ju të jeni imazhi i një arome shqiptare?

Është krenari, padyshim krenari! Është guxim në radhë të parë, investimi i madh i Joni Peçit. Por është kaq e veçantë tëprezantosh një parfum “Made in Albania”. Sepse pavarësisht se produkti nuk është prodhuar në Shqipëri, është krijuar këtu me punën e jashtëzakonshme të një stafi të madh.

Arrini ta dalloni “Mama-n” mes shumë aromave?

Po, patjetër, sepse është një aromë me këmbë në tokë.

Dhe meqë po flasim për një parfum me buqeta lulesh, si po ju gjen pranvera?

Unë jam nga natyra shumë optimiste dhe e kam thënë që e gjej gjithmonë lumturinë atje ku të tjerët nuk e shohin, tek gjërat e vogla.

Unë nuk do ta harroj kurrë, madje e përmend shpesh edhe në biseda me miqtë e mi, një rrëfim që më ke bërë ti për një dirigjent francez, i cili kishte humbur gjithë familjen nga holokausti, në mos gabohem dhe pyetja jote dhe përgjigjia e tij për atë motivin në fijen e barit është gjithmonë si një lajmotiv…

Ai është edhe motivi i jetës sime. Në momentin që ti e gjen të bukurën dhe atë që të lumturon në gjërat më të vogla, atëherë themi që jemi të lumtur. Për arsye se vetë Zoti na ka hedhur në tokë për të qenë të lumtur, por problemi është që ne i komplikojmë gjërat dhe jetën tonë. Ndaj duhet të kthehemi tek vetja jonë dhe të gjejmë motivin. Të kërkojmë te vetja, të gjejmë gjërat pozitive. E kemi ne veten në dorë edhe në momentet më të vështira.

Ju nuk rrëfeheni shpesh dhe meqë ne kemi fatin t’ju kemi në këtë kopertinë, mund të na tregoni edhe ndonjë nga planet tuaja të së ardhmes? Unë e di që janë disa…

Kam shumë projekte, por ai që kam më shumë përzemër është bashkëpunimi me djalin tim, një projekt që nuk e kam bërë publik, por me ty dua ta bëj, sepse ti i mban si thesar gjërat. Me Anthony-n kemi një vit që po punojmë me projektin ‘Elektro-Lirik’, një projekt që është shumë i bukur, por u ndërpre prej pandemisë, pasi nuk mund të ishim bashkë. E kemi vazhduar virtualisht dhe tani po pres të vijë sërish që ta vazhdojmë. Sigurisht që do kohën e vet, por mendoj që edhe ky do jetë projekt i bukur, sepse bashkëpunimet me fëmijët qenkan të papara. Nuk ka gjë më të bukur se të arrij të bashkëpunoj me djalin tim, kjo është gjëja më e bukur që mund të më ndodhte në karrierën time. Çfarë unë kam bërë ka kaluar, është bërë, nuk kam më as nevojë të njihem. Të gjithë e dinë kush jam. Tani jam në kërkim të gjërave të reja, të atyre gjërave që më japin kënaqësi. Kjo është e bukura e të qenit artist. Duhet të jesh në kërkim. Unë kurrë nuk e kam përkufizuar veten në atë skenën time dhe vetëm me repertorin tim. Kam dalë edhe jashtë tyre dhe kam ndërmarrë rrisqe. Janë gjëra që më kanë dhënë kënaqësi personale. Kjo do të thotë të jesh i lirë. Liria e njeriut është aty kur ai fillon të bëjë gjëra edhe jashtë kornizave apo zonës së tij të komfortit./revistawho.com