• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista

INTERVISTA/ Fiori zbulon detajet e dasmës, moderatorja: Burri më thotë “na grive nga lekët”

Një dasmë e bukur do të bëhet sot në Tiranë, përgatitjet e së cilës kanë nisur prej kohësh. E nëse thuajse të gjithë fëmijët kur janë fare të vegjël pyesin prindërit, se pse ata nuk ishin në dasmën e tyre, Abeli nuk do e bëjë. Ai është “i zoti i dasmës”, pasi më në fund “po martohet me mamin”, një personazh i dashur për shqiptarët, Fiori Dardha. “Abeli po realizon nje ëndërr të tij, po martohet me mamin. Ai është dhëndri, unë jam princesha, ndërsa Donardi (babi) është thjesht shoqëruesi i dhëndrit të vogël”, thotë duke qeshur Fiori në këtë intervistë për revistawho.com. Nuk arritëm ta pyesnim moderatoren ashtu si donim ne, pasi siç tregon edhe ajo vetë, të martohesh kërkon shumë impenjim. Megjithatë drejtuesja e “Boom” në Ora News e gjeti pak kohë të ndajë me ne detajet e dasmës por edhe plane të tjera…

Fiori si po shkojnë përgatitjet e dasmës?
Tashmë përgatitjet kanë përfunduar dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë sipas parashikimeve e ashtu siç unë e Donardi duam.

A është e lodhshme të martohesh?
Mos më pyet! Stres i jashtëzakonshëm! Unë e mora shumë lehtë, por qenka vërtet e lodhshme të martohesh. E ta mendosh që unë kam patur një ndihmë të jashtëzakonshme nga mikeshat e mia më të mira, Frida, Elona, Lida e Diana.

A kushton shumë dasma?
Kushton ca, por ne jemi përpjekur t’i shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Duam të jetë një dasmë që të ofrojë argëtim e të krijohet atmosferë e këndshme, më shumë se sa të ketë luks.

Sa fustane do veshësh?
Do vesh fustanin që kam ëndërruar gjithë jetën, ose më saktë fustanet, sepse koleksioni i “Frida, Xhoi & Xhei” këtë vit ishte i mahnitshëm dhe unë nuk dija kë të zgjidhja më parë.

Do ketë ceremoni fetare?
Jo. Vetëm ceremonia e celebrimit në bashki.

Përtej fjalëve të ftesës, çfarë mendon vërtet Abeli për të gjithë këtë?
Abeli është në qiellin e shtatë! Gëzon shumë dhe gjatë realizimit të setit fotografik u tregua një model i vërtetë. Abeli po realizon nje ëndërr të tij, po martohet me mamin (qesh). Ai është dhëndri, unë jam princesha, ndërsa Donardi (babi) është thjesht shoqëruesi i dhëndrit të vogël.

Po babi i Abelit a po kontribuon në përgatitjen e ditës së madhe?
Babi Abelit thjesht miraton idetë që jap unë dhe shprehja që ka përdorur më shumë këto ditë është “Na grive nga lekët!”. (qesh)

Kush do të jenë shoqërueset e nuses?
E kemi dasmën pa shoqëruese.

Mos vallë ‘grupin e përhershëm’ të fotove do e shohim kësaj here veshur njësoj?
Jo, nuk do kenë fustane shoqëruesesh, ama, mikeshat e mia do të jenë aty për të gëzuar bashkë me mua.

Pastaj do të niseni për muaj mjalti? Ku do të shkoni?
Unë do të zbatoj shprehjen “Të dielën u martova, të hënën në punë shkova”. 🙂

Po motra ose vëllai i Abelit për kur është planifikuar?
Në plan e kemi ta shtojmë familjen edhe me një vajzë tjetër./ revistawho.com