• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

INTERVISTA/ Festat “FUN” të Fatmës

Nga Suada Daci / Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Çangu / Styling: Niko Komani

Kur u shfaq për herë të parë në televizion, realizuam një intervistë me të e pak muaj më vonë e bëmë pjesë të rubrikës “Dua stilin e saj”. Nuk është se na mungonin idetë dhe nuk kishim nevojë për një personazh që të mbushnim revistën (siç ndodh rëndom në mediat shqiptare). E zgjodhëm atë, sepse na tërhoqi që në daljen e parë me pamjen, stilin dhe mënyrën e saj të prezantimit. Sot, kur ka më shumë se një vit nga dalja e saj e parë televizive, e kemi zgjedhur si një ndër personazhet më të cilat duam t’i themi “Gëzuar” lexuesve tanë. Fatma Methasani, prezantuesja që të gjithë e duan dhe adhurojnë për origjinalitetin që shfaq është në kopertinën e tonë, për të rrëfyer në një bisedë ‘funny’ detaje nga jeta e saj. Kur arrin të përçojë mirësi nga kutia e televizorit, mendoni sesi mund të jetë kjo intervistë me të… Nuk po ju marrim më shumë kohë. Shijojeni! 

Ke besuar ndonjëherë te Babagjyshi?

Po, gjithmonë, edhe pse listën e dëshirave poshtë pemës e përmbushte babi im, përsëri besoja tek Babagjyshi i Vitit të Ri. Në fakt, më pëlqen më shumë kur jam unë “Babagjysh” për të tjerët.

Çfarë do t’i kërkoje tani që je bërë pjesë e medias?

Do t’i kërkoja të ndiqte “Fun Day” nga e hëna në të premte në “InTv”.

WHOONLINE193 (1)

Si do të jetë “Fun Day” dhe pse “Fun”?

Di vetëm të të them që nuk do të jetë aspak normal. “Fun”, sepse çdokush të paktën dy orë në ditë ka nevojë të argëtohet dhe të bëjë qejf. Dhe pse ato dy orë të mos i kalojë me mua.

Njerëzit në rrjetet sociale, përfshirë këtu edhe njerëz të medias të bëjnë komplimenta (ndonjëherë edhe nën zë). Të është “rritur” mendja nga komentet e tyre?

Veshët nuk më janë rritur, sepse nuk jam zgjatur, por çdo fjalë e bukur nga ndjekësit e rrjeteve sociale apo edhe kolegëve më kanë bërë shumë të lumtur. Tek e fundit lumturia është ngjitëse kështu që le të shtohet sa më shumë tek njerëzit.

Ti vetë ke një prezantuese të preferuar?

Kam shumë, edhe shqiptare edhe të huaja, por në majë të piramidës qëndron Ellen DeGeneres. E dua atë njeri, po ishalla s’e lexon ajo këtë intervistë, sepse kam frikë se do dashurohet me mua (qesh).

WHOONLINE195 (1)

Duke qenë se nga dita kur e kam takuar, e deri sot në këtë intervistë të dytë së bashku e kam parë shumë rrallë majë takave, por gjithmonë në stilin sport/casual natyrshëm më lind dëshira për ta pyetur mbi atletet ‘converse’, që i ka në të gjitha ngjyrat, e modelet…

Jam shumë kurioze të di sa palë “converse” ke ti?

Mami im ta thotë më saktë sa palë kam, sa janë me lidhëse, sa të lara (qesh). Di vetëm të them që më pëlqejnë shumë, sepse janë komode dhe më bëjnë të ndihem me këmbë në tokë.

Nuk heq kurrë dorë prej tyre, edhe tani në dimër… Duket sikur lahesh me to.

Kam dëgjuar që “converse-t” nuk është mirë t’i lash, janë më ‘trendy’ të palara. Por mund ta provoja meqë jemi në fundvit. Njerëzit i lejojnë vetes disa ëmbëlsira më shumë, unë i lejoj vetes një çmenduri më tepër.

Çmenduria më e madhe që ke bërë gjatë këtij viti cila ka qenë?

Kam bërë 365 çmenduri, por triumfi më i madh gjatë këtij viti është që kam çmendur shumë njerëz. P.sh miqtë e mi kanë filluar të kërcejnë sipër divanit (qesh).

WHOONLINE194 (1)

Ku do ta kalosh Vitin e Ri, se Krishtlindjet e pamë që i kalove në një vend të bukur me borë jashtë Shqipërie?

Meqënese këto pushime i kalova me miqtë, nata e ndërrimit të viteve i takon familjes, kështu që do të vendosin ata për mua.

Unë di që ty të pëlqen shumë të udhëtosh, cili do jetë destinacioni i radhës?

Kam një moto “no plan, just fun”. Nuk i vendosim kurrë destinacionet ku do të shkojmë, kemi vetëm një kusht: të dhurojmë dashuri.

Ke intervistuar shumë personazhe dhe më beso që dhe unë njoh shumë prej tyre të cilët e duan emisionin tend, si ndihesh për këtë?

Ndihem tamam si ata fëmijët kur u thua që babagjyshi ekziston. Çdo personazh e kam ftuar me shumë dashuri, për t’u ndjerë komod dhe sigurisht për të nxjerrë anën e tij jo normale.

WHOONLINE197 (1)

Ndonjë të preferuar?

Nëse them njërin jam e sigurt që të tjerët s’do më vijnë më në studio (qesh). Bëj shaka, por më besoni qe nëse një personazh nuk është aq intersant, thjesht se bëj pjesë të “Fun Day”.

Çfarë pret nga 2016-ta?

E kam bërë një listë të stërgjatë me kërkesat për 2016-tën dhe do të them të parën në listë. Të bëj qejf… Një ditë pa buzëqeshje, është një ditë e çuar dëm. Ua them edhe të gjithë atyre që po më lexojnë, mos i çoni dëm ditët tuaja.

WHOONLINE192