• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA EKSKLUZIVE / Marina, Marina, Marina, aspak zhurmë për shumë gjëra

Moderatorja e njohur sjell në Shqipëri për herë të parë si monobrand “Elisabetta Franchi”-in dhe rrëfen anën personale, jetën me Getin dhe se çfarë fsheh pas pjesës së saj më diskrete…

Nga RevistaWho.Com / Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Arbër Bytyqi Studio / Dekori: Geraldina Sposa / Veshjet: Elisabetta Franchi

Në kaq vite që e shohim në ekran nuk thua dot kurrsesi se Marina Vjollca ka ndjekur formulën e bujës dhe të zhurmës. Madje jo vetëm s’e thua dot, por ke gjithë faktet në tavolinë që të vërtetojnë se në fakt ka bërë krejtësisht të kundërtën. Atë që duket sikur është dënim me harresë për një fytyrë të njohur: të shohë punën e saj, të mos shfaqet thuajse në asnjë nga pikat e zhurmshme të Tiranës, të mos ndodhet aty ku ka kamera e aparate me shumicë, të mos ushqejë thashethemet që thuhen apo shkruhen për të, të mos iu përgjigjet hamendësimeve për shtatzëni çdo 6 muaj, të mos sulmojë askënd, të mos bëjë publik asnjë reagim a mendim të sajin për çfarëdo ngjarje të bujshme që ndodh, të mos ulet nëpër studio televizive, të mos bëjë “ask” në ‘Intagram’, të mbajë për vete jetën private. (S’)i ka bërë të gjitha këto e mos më shumë, e megjithatë jo vetëm që nuk është dënuar me hije, por është një nga vajzat më të pëlqyera. Duke ndjekur një formulë krejt tjetër, Marina ka krijuar figurën e moderatores që poshtë komenteve të fotove në ‘Instagram’ nuk i vjellin vrer, as e sulmojnë, aq më pak ta shajnë. Vetëm zemra të kuqe dhe shumë dashuri. Ajo vetë thotë se e ka provuar edhe atë shijen e hidhur të sulmit në rrjet, por me siguri që ka qenë në doza minimale. Ama është diçka që e provon përditë: presionin e të qenit perfekte. Atë kallëpin ku i fusim sot vajzat e njohura dhe lupën ku i kalojmë përditë për t’u gjetur qoftë e papërsosmërinë më të vogël. Por Marina ka bërë paqe edhe me këtë, duke mos devijuar as centimetrin: “Kurrë s’do pëlqehesh nga te gjithë. Këtë kam vite që e kam kuptuar, ndaj as nuk eksperimentoj në sjellje dhe mbaj totalisht natyrën time”. Dhe pikërisht me këtë natyrën e saj diskrete, figurën e pastër dhe profesionalizmin, shtoji të gjithës edhe imazhin prej Barbie, Marina që pëlqente të vishte krijimet e “Elisabetta Franchi”-t në ekran sepse i rrinin mirë dhe i theksonin pikat e forta, ra në sy të vetë stilistes italiane, e cila e përzgjodhi si imazh të brandit të saj, i besoi ekskluzivitetin e “Elisabetta Franchi” në Shqipëri dhe e prezantoi në faqen e saj me mbi 2 milionë ndjekës, ku Marina shfaqet herë pas here veshur me krijimet e Elisabetta-s. Prezantimi i Marinës si një grua biznesi është shumë pranë. E megjithatë mos prisni zhurmën e madhe prej saj e as mos e mendoni se për ta hedhur edhe një këmbë nga biznesi thjesht ka ndjekur trendin e shumicës së vajzave të ekranit. Ajo ka një filozofi të sajën: të kërkosh më shumë nga vetja. Kjo është Marina, vajza e bukur e ekranit, që sapo fiken dritat e skenës ia mbath për në shtëpi, shijon dashurinë me Getin, shtron darka për miqtë e ngushtë dhe me fustane kukullash, të cilët shumë shpejt do t’i sjellë edhe për të gjitha vajzat shqiptare.

Para se të mësojmë gjithë të tjerat, ne duam të dimë si hyn ti te veshjet “Elisabetta Franchi”, që duken si të krijuara vetëm për vajza të hooooollaaa fare si ty. Si e ke sjellë trupin kaq në formë?

Sekreti i brandit “Elisabetta Franchi”, është të fshehë defektet tona me anë të prerjeve perfekte të veshjeve, ndaj e kam pasur edhe më të lehtë. Përgjigjja ime mbase do të duket shumë klishe, sepse nuk kam një regjim strikt. Palestër nuk bëj. Mendoj se ushqehem shëndetshem dhe ëmbëlsirat nuk i kam të preferuara, përveç bukës me çokokrem në mëngjes.

Tani na shuaj kuriozitetin dhe na zbulo si erdhi “Elisabetta Franchi” tek ti?

Unë jam veshur me “Elisabetta Franchi” shumë vite më parë. Ka qenë një nga ato marka dashuri me provë të parë. Dhe nuk e mendoja asnjëherë që do vinte kjo ditë që jo vetëm do të behesha brand ambassador, por edhe ta sjell ekskluzivisht në Shqipëri si monobrand. Interneti e ka bërë botën shumë të vogël e kështu unë rashë në sy të saj. Për mua ishte shumë befasi. Është vlerësim shumë i madh që një brand luxury, prestigjioz si “Elisabetta Franchi”, të më zgjedhë për të përfaqësuar firmën.

Çfarë do të thotë të kesh ekskluzivitetin e markës?

E para, privilegj dhe përgjegjësi që m’u besua mua ekskluziviteti. E dyta, edhe për Shqipërine është një arritje që marka të mëdha prestigjioze po afrohen për të qenë pjesë e tregut tonë. “Elisabetta Franchi” është i pari brand luxury që do të vijë si monobrand në Shqipëri. Është kaq bukur që hartës së një marke që gjendet në shumë vende të botës tani do t’i shtohet edhe vendi ynë.

Ne e kemi parë videon e takimit tënd me stilisten italiane, kemi dëgjuar edhe fjalët e saj për ty, por duam të dimë çfarë nuk kemi parë? Çfarë raporti ke ti me Elistabettën? Si është ajo nga afër? Ku u takuat dhe çfarë ndodhi gjatë takimit?

Ka qenë një ditë shumë e gjatë dhe shumë e bukur. Është një nga njerëzit që më ka impresionuar edhe më shumë kur e takova nga afër. Ka shumë humor, është shumë sociale, ka shumë autoritet dhe më befason se si ka aq energji që t’i bëjë të gjitha, të punojë pa u lodhur e të mbajë një familje aq të bashkuar. Kishte dëgjuar për Shqipërinë dhe ishte shumë e interesuar të dinte më tepër, çfarë vendi jemi, si jetojme e çdo gjë tjetër. Të dëgjon më shumë kurreshtje. Për mua është një figurë frymëzuese.

I lexove komentet e vajzave italiane në videon që postoi Elisabetta nga takimi me ty? Dukeshin dashamirëse?

Pyetja juaj më duket pak tendencioze (buzëqesh). Kishte shumë komente, nga të cilat shumë të mira, të mira dhe jo të mira. Ashtu sikurse ne jemi të ndryshëm, ashtu janë dhe komentet. Ka njeri në botë që pëlqehet nga çdokush?

Duket sikur ekrani për vajzat e suksesshme nuk mjafton, të hedhësh një këmbë në biznes është tendencë?

I dua shumë njerëzit që punojnë dhe kërkojnë gjithnjë e më tepër nga vetja. Mund ta perceptoni të tillë për faktin se fama e bën më të thjeshtë reklamimin e bizneseve të personazheve të njohur, por ka edhe shumë vajza dhe gra që s’janë pjesë e ekranit, të cilat po lulëzojnë me bizneset e tyre në tregun tonë.

Kur vjen një angazhim i ri dhe biznesi nuk është shaka, do të thotë që gjithë angazhimet e tjera kalojnë në plan të dytë?

Jo, aspak. Është një sipërmarrje që kërkon shumë energji dhe punë, të cilën unë po ia kushtoj maksimalisht. Nëse nuk mundesh ta përballosh, sigurisht që duhet të zgjedhësh pastaj. Por nuk është ky rasti im, i kam bërë hapat në çdo fushë të jetës sime pa u nxituar. Ndaj do të jetë një sfidë shumë e bukur, të cilën e kam marrë përsipër me shumë pasion, si çdo gjë që unë bëj aktualisht. Në ekran kam investuar pasion, mund dhe punë prej 16 vitesh. Projekte të reja do shtohen gjithashtu.


Tani që u mbyll viti i dytë në “Klanifornia”, “Klani” nuk është më ambient i ri për ty. Si i ke ti marrëdhëniet me moderatoret e tjera? Çfarë klime gjen ti në korridoret e “Klanit”?

“Klani” ka një strukturë për t’u admiruar. Çdo program ka hapësirën e vet edhe fizike, ndaj çdokush shkon dhe bën punën e vet pa pasur ndonjë mosmarrëveshje të mundshme, që sigurisht mund të lindë prej ambientit të përbashkët. Është një atmosferë harmonike dhe e paqtë. Përshëndetemi dhe respektohemi me të gjithë kolegët.

Ti të krijon idenë sikur je paksa e tërhequr nga jeta e zhurmshme e të famshmëve. Nuk të shohim të postosh foto me personazhe ekrani. A ke ti mikesha mes vajzave të njohura?

E tillë kam qenë gjithmonë. E adhuroj punën që bëj, por nga ana tjetër më pëlqen shumë që sapo të mbaroj angazhimet të shkoj e të strukem në familjen time. Kam mikesha mjaft të mira me të cilat ruaj miqësi prej vitesh. Ekspozimin në rrjetet sociale të jetës sime jashtë ekranit e bëj me shumë kursim.

Kush është shoqja jote më e mirë pas motrave dhe mamit?

I kam pak dhe saktë, janë shoqe që krenohem me to. Shumë të rralla i kam miqësitë e krijuara së fundmi, jam shumë besnike ndaj shoqërisë së vyer.

Ti je nga ato vajzat e ëmbla që më shumë të bëjnë komplimente sesa të sulmojnë, megjithatë ç’raport ke ti me gjuhën e urrejtjes së rrjetit? E provon shpesh?

Kush nuk e provon?! Gjithë këto vite në ekran më kanë bërë të përballem me shumë komente nga më të ndryshmet. S’di a më besoni, por tani i shoh si pjesë të pandashme të të qenit i famshëm dhe nuk ngjallin asnjë impakt që do më shqetësonte. Madje, shqetësohem kur kalon pak kohë dhe nuk hasem me të tilla komente.

Çfarë bën ti kur merr mesazhe negative?

Varet, se është shumë e përgjithshme pyetja. Por nëse janë kritika, i lexoj dhe mundohem ta kuptoj dikë që ka marrë kohë nga koha e vet për të analizuar diçka që nuk i ka pëlqyer. Ato me sharje ose urrejtje, i fshij sapo i has.

Cili është presioni më i madh që i bëhet një vajze ekrani?

Të jesh perfekte dhe e pëlqyer nga të gjithë. Kurrë s’do pëlqehesh nga të gjithë, këtë kam vite që e kam kuptuar, ndaj as nuk eksperimentoj në sjellje dhe mbaj totalisht natyrën time.

A e ndjen ti konkurrencë mes prezantueseve të tjera të programeve të ngjashme, që nuk janë pak?

Ka vend për çdokënd në këtë botë. Konkurrenca produktive është gjëja më e mirë në televizion, ne zhvillohemi, programi po ashtu, e televizioni veç vazhdon përpara me ritme edhe më të shpejta.

Pa të pyetur edhe pak për Getoarin nuk na rrihet. Si po shkon martesa?

Për marshallah. E thashë popullorçe fare. Çdo ditë e më tepër që kalon, aq edhe më shumë e duam dhe bëjmë për njëri-tjetrin.

Pas dhuratës së ditëlindjes ai duket ende i çmendur pas teje. Cili është sekreti?

Veç sekret që nuk ka në dashuri. Me dhuratën më ka lënë pa fjalë për ditë të tëra. Sekreti i Getit ky është, di të të lërë pa fjalë (për mirë deri tani🤣).

Mbase është klishe, por duket sikur gjithë bota e ka shumë merak atë momentin apo frikën kur martesa bëhet monotone. E keni takuar, e keni frikë, s’e njihni fare, keni mënyrën tuaj për ta mbajtur larg?

Luftojmë dhe jetojmë për ta ndërtuar më shumë harmoni martesën tonë, familjen tonë. Monotone martesa mund të bëhet që ditën e parë, nëse nuk kemi qëllimet dhe idetë e njëjta për njëri-tjetrin. Më duket shumë herët kjo pyetje që të më drejtohet mua, qoftë nëse e kam përjetuar apo a e mendoj. Shijojmë çdo ditë dashurinë e gjysmave tona për të forcuar “të qenit një”.

Si është jeta në shtëpinë tuaj të re?

Si në çdo shtëpi shqiptari. Me dashuri, me grindje, me njerëz, me muzikë, me gatim e çdo gjë që e bën jetën tonë.

Çfarë është shtëpia për ty? Je nga ato natyra që darka e mbledh përherë në fole?

Shtëpia për mua është qetësi e shpirtit. Përpiqem që të mos i humbas kurrë kuptimi “Shtëpi”. I ruaj me fanatizëm parimet e shtëpisë. Simbolika e shtëpisë së bashkuar duket sikur ruan ekuilibrat për një jetë dhe marrëdhënie të shëndetshme.

Mbledh miq për dreka e darka? Gatuan?

Po, goxha shpesh. Unë edhe Geti jemi natyra që nuk na pëlqen shumë të dalim. E darkat në shtëpi me familjarë ose miq janë shumë të shpeshta. Kur kemi edhe Chef-in e kuzhinës, misioni është i kryer me sukses. Geti gatuan në mënyrë të përkryer, unë më shumë luaj rolin e asistentes (qesh).

 

Ne të shohim ty perfekte në ekran, por njësoj perfekte edhe në fotot që poston nga shtëpia. Ti je përherë kështu, e krehur, e lyer edhe brenda?

Deri disa vite përpara kur nuk ekzistonin rrjetet sociale, njerëzit habiteshin nëse të shihnin komplet të thjeshtë në jetën e peërditshme. E tani që çdokush gëzon një adresë, e di mirë që ajo çfarë preferojmë të ofrojmë, s’është ajo që na karakterizon çdo herë. Në të përditshmen time jam sportive, me një kapele dhe syze, larg imazhit të kuruar deri në detaj.

Tani që s’ka më angazhime televizive ku është përqendruar vëmendja jote?

E kuptueshme tek biznesi “Elisabetta Franchi”, që do të hapet brenda pak ditëve.

Pas hapjes së biznesit do t’ia mbathësh nga Tirana apo “ku ka pushime për një business woman të re”?

Deri më tani as nuk e kemi menduar. Në fakt asnjë vit nuk i kemi planifikuar, veç kur shohim që kemi pak hapësirë, vendosim në moment të fundit e ikim. Kështu që 50/50 është edhe kjo verë./revistawho.com