• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Breaking News, Instant Articles, Intervista, Lajme, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

INTERVISTA EKSKLUZIVE / E vërteta e Angela Martinit për bashkëshortin, dashurinë dhe jetën!

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Giovanni Gastel

Edhe pse e mbyllur ne shtëpi prapëseprapë mbetet optimiste si pak-kush tjetër. Ngaqë Angela Martini është nga ato vajza që jeta e ka mësuar se çdo gjë e ka një fund, sado e madhe qoftë sfida. Kjo vlen sidomos për këto ditë të vështira kur bota mban frymën deri në largimin apo asgjesimin e këtij ‘armiku’ të padukshëm që e ka emrin Coronavirus; vlen kur i duhet të punojë pa pushim për projektet që ka fort përzemër; vlen sidomos kur i duhet të jetë në krah të mashkullit që ka zgjedhur, me të cilin luftojnë bashkërisht për drejtësinë…

Gjithçka ndodh me Angela Martinin së fundmi, e ka ndarë ekskluzivisht me revistawho.com gjatë këtyre ditëve kur ka mbyllur derën e shtëpisë në respekt të shëndetit të saj dhe atyre që e rrethojnë. Ne, po e ndajmë me ju, për të shpërndarë jo vetëm të vërtetat, por edhe optimizimin ngjitës që e karakterizon e për të cilin ndoshta sot kemi nevojë më shumë se kurrë.

Angela si jeni ? Si po ia kaloni këto ditë?

Jam Ok, thjesht po punoj nga shtëpia aq sa mundem.

A jeni izoluar?

Po, po qëndroj vetëm në shtëpi.

A jeni e frikësuar?

Jam thjesht e kujdesshme. Shqetësohem më shumë për njerëzit që dua dhe se si do të jetë bota pas gjithë kësaj dhe çfarë do të ketë tjetër…

Çfarë ju frikëson?  

Ajo çfarë më frikëson me të vërtet mua, janë pyetjet që vazhdojnë të përsëriten në kokën time çdo ditë: Çfarë jemi në të vërtetë, pse jemi këtu dhe ku po shkojmë? Kush na ka bërë në të vërtetë, cili është me të vërtetë qëllimi ynë, dhe e vërteta është se unë shkoj aq thellë, jo siç do të dëshiroja në fakt. Përfundimi që unë arrij mund të jetë e vërteta edhe pse nuk më pëlqen gjithnjë. Unë jam duke e shpenzuar kohën për të gjetur të vërtetën.

A keni frikë nga humbja?

Po, nga humbja e të dashurve të mi.

Hera e fundit të solli në Tiranë si mbështetëse ndaj atyre që humbën shtëpitë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit… Çfarë ndjesish ke marrë me vete nga Shqipëria herën e fundit?

Duke i parë ata në një situatë të tillë, më bëri që ta dua edhe më shumë vendin tim – ishte aq bukur t’i shikoje të gjithë duke u bërë bashkë, të vegjël dhe të mëdhenj, me aq mundësi sa kishte secili prej tyre për të ndihmuar!

Gjithashtu, u ndjeva krenare për mënyrën sesi qeveria jonë u kujdes për njerëzit dhe sesi e menaxhoi situatën.

Ke vendosur të ndërtosh diçka për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më pak mundësi. Një fondacion që do të mbajë emrin tënd. Nga lindi kjo ide?

2019-ta ishte një vit i vështirë për mua, por unë u rrita dhe mësova kaq shumë nga ajo përvojë; më bëri që të mendoj shumë edhe për problemet e njerëzve të tjerë, disa prej të cilave ishin më të mëdha se ato të miat. Në këtë moment kuptova se lumturia e vërtetë është të ndihmosh! Të ndihmosh në shumicën e rasteve njerëz që nuk i njeh, më shumë se ata që i njeh. Një mendim tjetër që më vinte nga brenda ishte: Cili është qëllimi i kësaj jete nëse nuk jemi të dobishëm? Në këtë kohë e mora vendimin për të hapur Fondacionin, që besoj se do ta vazhdojë veprimtarinë sapo e gjithë kjo të mbarojë.

Ndërkohë Angela, hera e parafundit në Tiranë të prezantoi tek publiku shqiptar për herë të parë si autore të një libri… Ç’komente ke marrë?

Ishte eksperienca më e bukur, jam shumë e lumtur të lexoj dhe dëgjoj për këto rezultate, jam entuziaste që shumë njerëz u ndikuan nga historia dhe libri im. Është lumturi e vërtetë të kem këtë sukses me librin tim të parë!

Po në SHBA si po pritet?

Në 25 mars do të gjendet në dyqane dhe në internet. Jam shumë e lumtur për këtë; në të njëjtën kohë tani supozohej të isha në turin e librit tim në SHBA, por gjithçka u anullua për shkak të kësaj situate që po kalon bota. Le të shohim si do të shkojnë gjërat. Gjëja më e rëndësishme është që të jemi të shëndetshëm.

E sheh veten sërish në botën e librit?

Po sigurisht, më pëlqen të ndaj mendimet dhe eksperiencat e mia, është një nga pasionet e mia më të mëdha. Më pëlqen t’i ndaj ato me të tjerët në libra, ose në filma. Unë jam rrëfimtare.

Po tani, çfarë do të bësh me jetën tënde?

Aktualisht unë jam çdo ditë e zënë me jetën personale dhe me projektet e mia edhe kur qëndroj në shtëpi. Kur shikoj që njerëzit humbin kohë nëpër rrjetet sociale, më duket sikur kjo më vret. Akoma jam duke punuar me 10000 gjëra.

Ajo për të cilën është folur dhe stërfolur për ty në këto muaj ka qenë çështja e bashkëshortit tënd… U arrestua, s’u arrestua, fajtor dhe i pafajshëm. Cila është e vërteta?

Kam parë shumë komente në shtypin shqiptar, të kopjuara plotësisht nga shtypi rumun. Nuk kam dashur të flas përsëri për këtë temë, duke qenë se dhashë një deklaratë të gjatë verën e kaluar.

Por do ta sqaroj edhe njëherë gjithçka lidhur me këtë histori:

Bashkëshorti im është viktimë e sistemit gjyqësor rumun. Ai është totalisht i pafajshëm, ai nuk ka bërë asgjë nga ato që e akuzojnë, ata kanë abuzuar shumë, nuk e kanë respektuar ligjin rumun dhe të drejtat njerëzore europiane.

Është një situatë e çuditshme për një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç është Rumania. Atje Shërbimi Sekret ka krijuar një linjë paralele që kryesisht kontrollon ilegalisht të gjitha pikat e rëndësishme të vendit: politikën, drejtësinë, shtypin dhe shumicën e bizneseve.

Çdo armik i interesave të tyre gjykohet dhe dënohet. Ata përdorin shtypin për të shkatërruar imazhin e njerëzve dhe urdhërojnë gjyqtarët të dënojnë armiqtë e tyre.

80% e biznesmenëve më të rëndësishëm rumunë janë nën hetim, në emër të “luftës kundër korrupsionit”.

Bashkëshorti im është një prej njerëzve të pakët në Rumani që refuzoi të njihte dënimin ilegal për të ashtuquajturin “bashkëpunim në abuzimin e shërbimeve”, për një biznes absolutisht të ligjshëm që ai krijoi 18 vite më parë!

Të gjithë avokatët që kanë studiuar çështjen e tij ishin absolutisht të shokuar. Bashkëshorti im ka 10 avokatë që merren më çështjen e tij, nga Rumania, Italia, Zvicra, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Pa përjashtim, ata kanë zbuluar shumë abuzime dhe dhunime të ligjit që gjyqtarët dhe prokurorët rumunë bënë në çështjen e tij.

Për ta bërë më të qartë në pak fjalë: bashkëshorti im është një njeri i lirë, ai kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në burg! Ai iu dorëzua autoriteteve italiane, sepse në këtë mënyrë ai iu bind ligjit dhe po zgjidh problemin e tij. Pasi kontrolluan dosjen dhe situatën e tij ligjore, gjyqtarët italianë e lanë të lirë. Ka akoma disa çështje pezull në Itali, Rumani, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat definitivisht do të zgjidhin situatën e tij. Lajmet që shtypi shqiptar kopjoi nga shtypi rumun janë lajme të rreme. Mos më humbni kohë të komentoj për to!

Si kanë qenë këto muaj për ju?

Kanë qenë shumë të vështirë. Më kanë ndryshuar jetën. Nëse një ditë do e them gjithë historinë me detaje, mund të shikoni që është si një film. Në të njëjtën kohë jam mirënjohëse, pasi ndjej sikur kam bërë 10 universitete në vitin e fundit. Zbulova një fuqi brenda meje që nuk e dija që e kisha, teksa isha duke punuar 24 orë në ditë, në të njëjtën kohë duke përballuar këtë situatë, por pa ndaluar së bëri projektet e mia, ose të lejoja dikë të më ulte poshtë, të më trajtonte si një viktimë.

Edhe pse shumicën e kohës flija vetëm 4 orë gjumë, nuk kisha justifikime për mos bërë gjithçka. Dhe sigurisht, ku ka errësirë ka dhe dritë. Duhet vetëm ta kërkosh dhe ta gjesh. Nuk mund të viktimizohesh dhe duhet të shkosh përtej gjithçkaje, edhe dhimbjes. Është e vetmja rrugë! Kjo mund të jetë receta e suksesit, të luftosh me gjithë sistemin. Përpos të gjithë këtyre problemeve, gjëja më e çuditshme është se 2019-ta ishte një nga vitet më të bukur të jetës sime.

Pse mendon se ndodhi e gjithë kjo?

Mendoj se ndodhi sepse duhet të kishte një ndryshim të madh në pikturën e madhe. E njëjta histori që na ndodhi ne, duke përfshirë Shërbimin Sekret të Rumanisë, i ka ndodhur mijëra njerëzve dhe ky sistem kriminal ka qenë i suksesshëm deri tani. Jo me ne! Me ne, ata u gjendën përballë një skuadre dhe force, që vinte nga vlerat tona individuale dhe nga dashuria jonë e fortë. Nuk e dinin që askush në këtë botë nuk është i paprekshëm, as ata, dhe të njëjtat teknika të pista nuk do funksiononin me të gjithë.

Unë besoj se gjithë kjo çmenduri na ndodhi, sepse i bëmë të ditur botës krimet  që ata bënin dhe që akoma i bëjnë shumë njerëzve. Këto krime duhet të rrëfehen dhe me kalimin e kohës do duhet investigim ndërkombëtar. Koha për ta stopuar ka ardhur.

Si ka ndikuar kjo histori në raportin tuaj?

Na ka bërë më të fortë dhe i besojmë njëri-tjetrit mbi të gjitha, kaluam çdo test të mundshëm. Çfarë mund të ishte jeta pa besnikërinë dhe nderin e vërtetë. Dhe sa jetë të mrekullueshme mund të jetosh po pate këto vlera.

Çfarë do të bëni pasi ta ‘mposhtim’ edhe koronavirusin, keni një plan?

Shpresoj se bota do të jetë një vend më i mirë pas kësaj. Dhe mbase është mirë që të ndalojmë pak dhe kemi kohën të reflektojmë mbi gjërat më të rëndësishme të jetës. Dhe pse po ndodh e gjitha kjo? Që të duam shtëpinë tonë, planetin tokë dhe të fillojmë të duam dhe respektojmë kafshët. Çfarë do të bëj unë? Se di, do të shohim.

A ka diçka që do t’ia thuash publikut shqiptar për fund?

Po, definitivisht! Ata janë njerëzit e mi, janë rrënjët e mia, janë shpirti im dhe dua t’ju them të qëndrojnë të fortë në këto kohë të vështira dhe dua t’ju kërkoj të kujdesen për më të dashurit duke qëndruar në shtëpi. Thjesht rrini në shtëpi, kjo është e vetmja mënyrë. Bashkë do t’ia dalim. Shumë dashuri! Angela. / revistawho.com