• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Personazh

INTERVISTA / Alida Cenaj: Sfida e mediave në pandemi, përtej shifrave të të prekurve

Nga revistawho.com

Një gazetare e kohëve kur redaksitë kishin vetëm një telefon, edhe ai fiks, vjen në një përqasje mbi raportimin e një pandemie kur secili ka telefon dhe mund të raportojë me video. Alida Cenaj flet për median moderne dhe detyrat e saj në ditët tona ku me “badge” mund të shkosh kudo, por ai nuk të mbron nga armiku, ndryshe nga luftrat “klasike” ku lajmësi nuk preket. Ndërsa vendi ynë është në javën e pestë të karantinës, për Cenajn tashmë mbetet përparësi jo më raportimi i shifrave dhe statistikave, por informacionet që na orientojnë drejt mbrojtjes dhe të ardhmes. Mesazhi i duhur mbetet kryefjala!

Cili është roli i medias në kohë të jashtëzakonshme si sot?

Roli i medias nuk ndryshon. Detyra e medias është të raportojë, por në kushtet në të cilat ndodhemi, ajo duhet ta bëjë këtë punë nën rregulla krejtësisht të reja dhe të ndryshme nga e zakonshmja. Tanimë emisionet televizive po bëhen pa publik në studio, preferohen lidhjet me Skype ose jo më shumë se një i ftuar në studio, duke respektuar distancën natyrisht. Faqet online të gazetave dhe revistave po mbushen nga gazetarë që punojnë nga shtëpia. Udhëtimet janë kufizuar gjithashtu. Pra, media po mundohet të përshtatet me situatën e jashtëzakonshme në të cilën po kalon bota e këtu Shqipëria nuk bën përjashtim.

Po të hedhim sytë më larg do të shohim se pjesa e zhvilluar e botës ka filluar të mendojë edhe për më gjatë se situata ku ndodhemi. Kompanitë e mëdha si ViacomCBS, NBC Universal, Disney-ABC, Warner Media dhe Fox Corporation po planifikojnë të realizojnë versione vetëm digjitale të prezantimeve të tyre vjetore për kompanitë reklamuese. Po ecim pra në një territor të ri dhe duhet të presim që të shohim se si do të shkojë.

Është hera e parë që media moderne përballet me kushtet e ngujimit ku e ka të vështirë të gjejë balancën e vet. Si të orientohemi drejt kësaj balance?

E the mirë, “media moderne” . E di si do të ishte i vështirë orientimi? Nëse do të ishim në kushtet e punës së para 20 vjetëve, kur kishte vetëm një telefon fiks në redaksi, nuk kishte internet dhe kur ishte i domosdoshëm kontakti me palën që duhej intervistuar, apo prej nga duhej marrë informacioni. Tani bota është përpara teje dhe lehtësisht e aksesueshme edhe në kushtet e shtëpisë. Situata dihet, autoritetet raportojnë shpesh, organizatat ndërkombëtare të shëndetit gjithashtu. Marrja e informacionit është e mundshme në këto kushte. Ajo që do të ishte e rëndësishme për mua është orientimi i saktë i këtij raportimi. Më shumë se kurrë media këto ditë ka rolin e vet të jashtëzakonshëm për të përcjellë informacionin, por sidomos mesazhin e duhur për njerëzit e mbyllur në shtëpi. Media sot duhet të ketë një qëllim, dhe ai nuk është vetëm raportimi i të dhënave, statistika mbi vdekjet apo të prekurit nga virusi. Përkundrazi. Një raportim një herë në ditë me këto të dhëna do të ishte i mjaftueshëm. Pjesa tjetër – dhe kjo është detyrë e medias në kushtet ku jemi – është t’u japë njerëzve informacionin që ju nevojitet për të marrë vendimet e duhura në lidhje me shëndetin, të raportojë lajme që japin shpresë, këshilla që të mos dëmtohen nga ankthi që të çon në panik, do doja më shumë histori pozitive dhe shpresë. Nëse kjo është një luftë jo e zakonshme, nëse armiku është i padukshëm dhe ne gazetarëve na duhet të punojmë nga shtëpia, le ta bëjmë duke kontribuar në mbrojtjen e vetes, familjes e më pas shoqërisë ku bëjmë pjesë.

Sa ka ndryshuar media këto ditë, mënyra e raportimit dhe përcjelljes së informacionit?

Raportimi po mundohet t’i përshtatet një situate të jashtëzakonshme si kjo që po kalojmë.

Nëse në situata të mëparshme, gjithashtu jo të zakonshme, gazetarët mund të punonin me një plan rezervë, por duhej me domosdo të ishin në pikën e nxehtë të ngjarjes dhe të mos dilnin që aty pa lajme, tanimë, për herë të parë, udhëzimi i vetëm në fuqi është: Nëse mund ta zgjidhësh me telefon, bëje. Redaksitë kanë lëshuar udhëzimet për gazetarët e terrenit që mbulojnë COVID-19 të kryejnë çdo intervistë të nevojshme duke ruajtur distancat dhe të mbrojtur me maskë dhe doreza. Ata e bëjnë këtë çdo ditë, pavarësisht se të ekspozuar përballë një rreziku të tillë, krejt të padukshëm.

Jetët tona aktive u vunë në kushte të reja krejt papritur duke shkaktuar vështirësi përshtatje në kushte karantine të detyruar. Si mund ta përballojmë?

Pse jo duke parë anën e mirë të gjithë kësaj situate kaq të padëshiruar dhe të jashtëzakonshme: Jemi në karantinë të detyruar vërtet, por jemi të rrethuar një njerëzit e dashur dhe familjarët që shumë shpesh janë të privuar nga prania jonë, sepse na duhet të punojmë shumë. Kemi mundësinë të shijojmë dashurinë e fëmijëve dhe t’u kthejmë sado pak përkujdesjen prindërve tanë. Le t’u themi sa më shpesh të mundemi se sa shumë i duam dhe se kjo situatë do të përfundojë një ditë. Si ta përballojmë? Duke bërë gjërat që duam… në shtëpi! / revistawho.com