Debati i Debateve, përplasja e titanëve. Tani që Dritëroi ndërroi jetë, kolosët e letrave hapën krahun për parakalimin e zotave të rinj. Dhe si çdo traditë e mirë, gara mes Agolli apo Kadare na qenka zëvendësuar me Ilda apo Hygerta apo Enkeleida! Ore a jeni në vete? Ore mos keni pirë hashash me tonelata dhe jeni pjerdhur more? I kam ndjekur të treja dhe besoj se në rastin më të mirë mund të futen tek kategoria e prezantueseve. Ato nuk janë moderatore, sepse në programet e tyre nuk ka asgjë për të moderuar. Dhe mbi të gjitha, kryesorja, alfa dhe omega: asnjëra prej tyre nuk është gazetare. ASNJERA. Jo GAZETARE! Që t’ju ndihmoj ta kuptoni: Lindita Cela është gazetare, Marin Mema është gazetar, Artan Hoxha, Fatos Mahmutaj, Anila Jole, Elsa Demo apo Albina Gjergji dhe një ushtri me profesionistë. Nëse doni të flasim për sport Endi Tufa është gazetar. Elert Yzeiri, Jetmir Halilaj janë gazetarë. Ndaj histerinë menstruale të tre vajzave mos ma quani gazetari. Ilda ka qënë në fakultet gazetarie e vërtetë është, por thjesht fakti që e quan Hygerta Sakon gazetare më qartëson idenë se as nuk e ka idenë se çfarë është gazetaria. Pastaj vijnë dhe portalet të mbushur me hallexhinj e hallexhesha. Studentë e studente që për atë rrogë të domosdoshme mund të bëjnë çdo lloj pune, përfshi edhe të bëjnë si gazetarë me gjasme. Duke mos e pasur idenë se çfarë shkruajnë e për çfarë flasin i quajnë gazetare këto bukuroshet. Jo po dhe Marina Vjollcën ta bëjmë rektore të Universitetit të Tiranës, Fjollën ta kalojmë te Akademia e Arteve si dekane! Që të jemi të qartë: Vetëm gjatë vitit 2016 plot 48 gazetarë janë vrarë në krye të detyrës. Sa e sa janë kërcënuar, pushuar, hedhur në gjyq, varfëruar e kush e di se çfarë tjetër u ka ndodhur. Gazetarët janë memoria e gjallë dhe ndërgjegjja e një shoqërie ndaj mos më thoni që standardi ynë i debatit publicistik janë Ilda apo Hygerta! Nuk mbaj mend që këto prezantuese të njohura të kenë bërë një ditë të vetme gazetaren mirëfilli, ndaj për çdo gazetar që i ka këpucët me baltë e pluhur, për çdo rast kur një koleg është kërcënuar për një fjalë, për çdokënd që ka provuar çensurën dhe pushimin nga puna ju lutem, buzëqeshni më shumë e flisni më pak. Ah meqë ra fjala, ndonjëra nga këto “gazetaret” ka investiguar ndonjëherë ndonjë rast shitjeje ndeshjesh apo tani e teprova unë më duket…
Sqarim: Gjithçka që shkruhet më sipër është qëndrim personal i gazetarit Flavio Qarri.