• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Breaking News, Lajme

Hueyda El Saied, vajza e 1001 talenteve

Hueyda El Saied, e cila u nda sot nga jeta, njihet ndryshe dhe si vajza e 1001 talenteve, duke i provuar të gjitha, baletin, këngën,  televizionin dhe pikturë e duke u kthyer në një ‘show girl’ mjaft të suksesshëm, që çelësin e çdo momenti ka pasur buzëqeshjen karakteristike dhe ëmbëlsinë e saj.

Ajo lindi në Tiranë dhe u diplomua në shkollën “Jordan Misja”, me specializim të cilin e vazhdoi në Itali, për marrëdhëniet ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe politikave europiane.

El Saied zotëronte katër gjuhë, mes të cilave frengjisht, anglisht, italisht dhe shqip, duke e bërë lehtësisht një vajzë poliglote.

Nga të drejtat e njeriut tek eksperienca në gazetari e spektaklet e para të realizuara në ekranet shqiptare.

Hueyda i dha zë edhe çështjeve sociale duke shkruar një sërë artikujsh në gazeta të ndryshme të përditshme, të tilla si: “Shqip”, “Panorama” dhe “Tirana Observer”.

Në vitin 2000 ajo botoi romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 doli libri i dytë, një roman, “Maska e zemrës”.

El Saied mori çmimin e parë në programin “12 vallëzime pa një të shtunë”.

Ajo drejtoi gjithashtu programe si: “Një këngë për ty” në “Top Channel” dhe Festivalin Kombëtar në “RTSH”.

Megjithatë këto nuk ishin të vetmet momente kur El Saied u shfaq në ekran.

Në vitin 2003 ajo mori pjesë në “Netët e Klipit Shqiptar” me këngën “Mos u verbo”, e po në të njëjtin vit u bë pjesë e “Kënga Magjike” me “Ndërro”, ndërsa në vitin 2005 në “Top Fest 2” me “Ti harron”.

Hueyda u largua nga Shqipëria për t’u zhvendosur në Francë, aty ku vazhdoi karrierën si balerinë dhe u bë pjesë e disa kanaleve televizive si “France 2”, “TF1” dhe “M6”.

El Saied e vazhdoi pasionin e saj për baletin edhe në Itali, duke u shfaqur në  “In bocca al luppo”, transmetuar nga “Rai Uno”.

Intervista e saj e fundit e shkruar ka qenë rreth një vit më parë për “Revista Who” ku rrëfeu gjithë emocionet e celebrimit të dashurisë me partnerin e saj , Thierry, i cili birësoi dhe djalin e quajtur, Gabriel me të cilin kishte një marrëdhënie speciale.

Dasma ishte hera e fundit kur Hueyda u shfaq me flokët kaçurrelë karakteristikë, të cilët e dallonin.

Fill pas këtij momenti ajo u shfaq me flokët e prerë, ndryshim ky në “look” që i habiti të gjithë.

Hueyda nuk ndau në asnjë moment në intervista apo rrjetet sociale vështirësitë që ishte duke kaluar, duke zgjedhur të përcjellë tek njerëzit gjithmonë rrezen e pashuar të saj.

Gjatë kësaj periudhe Hueyda ka shkruar një libër për betejat me kancerin, botim ky të cilin nuk mundi ta publikonte. Ajo punonte në një bangë në Luksemburg, vend në të cilin jetonte bashkë me familjen e saj.

Ajo u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 46- vjeçare, la pas djalin dhe familjen e saj, për të cilët fliste gjithmonë me dashurinë më të madhe.

Historia, puna, vullneti dhe talenti që e shoqëroi Hueydën do të mbahet mend gjatë ashtu si fakti se si njerëzit si ajo nuk trishtuan kurrë ndokënd. Ajo zgjodhi ta kalojë vetëm betejën me kancerin.

Betejë kjo e fundit e cila e largoi nga jeta padrejtësisht dhe shumë para kohe!

Revista Who i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve dhe gjithë miqve që sot e kujtojnë me një dhimbje shumë të madhe!/revistawho.com