Artistja Hueyda El Saied është ndarë nga jeta paraditen e sotme pas një lufte të gjatë me tumorin prej një viti. Ajo ishte vetëm 46 vjeç kur sëmundja e rëndë e mposhti duke lënë pas të birin dhe gjithë artin e saj.
Gjatë gjithë kësaj kohe të vështirë në luftë me sëmundjen e rëndë, artistja jetoi me dashurinë për jetën. Para rreth një viti kur bota ishte ende e izoluar nga pandemia, Hueyda u martua me dashurinë e jetës së saj në një dasmë të vogël mes miqve dhe familjes. Djalin e saj tashmë e ka birësuar Thierry, partneri i saj prej vitesh, marrëdhënia me të cilin ishte perfekte.
Në një intervistë për WHO vitin që shkoi menjëherë pas dasmës, Hueyda rrëfeu për raportin e Gabriel me partnerin e saj: “Lidhja e Gabrielit dhe Thierryt është krijuar në mënyrën më të natyrshme. Është vetë Gabrieli i cili filloi ta thërriste Thierryn babi. Jam e lumtur kur shoh që e duan njëri-tjetrin aq shumë, aq sa ndonjëherë bëhem dhe xheloze”.
Hueyda El Saied ishte nga ato pak vajza që kishin provuar të bënin gjithçka sa i takon televizionit. Ajo dinte të këndonte, ishte balerinë, moderatore, spikere lajmesh dhe piktore.
Kujtojmë se disa nga programet që ka prezantuar janë: ‘Një këngë për ty’, ‘7 nga shënimet e mia dhe Kioska’ dhe ‘Në restorant’. Hueyda ka marrë pjesë edhe në festivalet e muzikës shqiptare, ndër ta ‘Top Fest’ dhe ‘Kënga Magjike’./revistawho.com