• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 9 deri në 15 shtator

Kjo javë është mjaft interesante dhe pak a shumë do të ketë ndikim tek të gjithë. Do të kemi tendenca të ekzagjerojmë situatat, t’ju japim përmasa më të mëdha duke u larguar në këtë mënyrë nga realiteti dhe duke u bazuar shumë në skenat e fantazisë që do të krijojë secili prej nesh. Ndjeshmëria e theksuar na bën më subjektiv dhe na udhëheq në gabime apo vendime të gabuara. Mos hyni në marrëveshje financiare gjatë kësaj periudhe, shmangni investimet dhe lini vendimet serioze apo çështjet që kërkojnë një zgjidhje praktike për më vonë. Është momenti të shprehni fantazinë apo frymëzimin që keni, t’i bëni ato vepra duke vendosur theksin në krijimtarinë artisike dhe spirituale gjatë kësaj periudhe. Jeta sentimentale dhe dashuria do të na preokupojnë shumë duke na krijuar iluzione, të cilat herë do të na bëjnë romantikë dhe entuziastë dhe herë do të ndihemi të zhgënjyer dhe të mërzitur. Qëndroni sa më afër realitetit, zbuloni talentet tuaja, pasuroni botën e brendshme shpirtërore, shkoni në kinema dhe bëni shëtitje në buzë të liqenit apo anës detit. Përjetoni romantizmin e ditëve dhe mos merrni pjesë në skenat e errëta të tyre.

DASHI
Përqëndrohuni në punën dhe biznesin tuaj dhe shmangni gabimet që këtë herë mund t’ju kushtojnë apo t’ju dhëmbin. Mos merrni pjesë në prapaskena apo thashetheme pasi përmasat që do të marrin do të jenë të mëdha dhe në dëmin tuaj. Kujdesuni për shëndetin. Java premton favorizim në fushën sentimentale dhe erotike.
DEMI
Dëshira për të kaluar bukur do të jetë e madhe, por ndoshta rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme në lidhje me atë që ëndërroni. Ndjeshmëria e ditëve ndikon në pastabilitetin e sjelljes suaj. Në sferën financiare shmangni negociatat dhe investimet, ndërsa në jetën sentimentale përjetoni flirtet dhe romantizmin e ditëve pa investuar plotësisht tek personi që do të hyjë në jetën tuaj dhe për momentin do t’ju duket ideal.Organizoni një udhëtim, i cili do t’ju sjell gëzim.
BINJAKËT
Gjatë kësaj jave do të jeni pak a shumë kaotik. Situatat nuk janë të qarta dhe ju do të ndiheni të ngatërruar se si duhet të veproni. Nuk është momenti të merrni vendime dhe të veproni për cështje serioze pasi nuk keni sigurinë dhe stabilitetin që kërkohet. Jepni rëndësinë e duhur detajeve në planet dhe projektet tuaja. Kontradikta, konflikte si dhe probleme do të lindin në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja. Megjithatë kjo javë ju jep mundësinë të zgjidhni probleme familjare dhe të përmirësoni kushtet në shtëpinë tuaj.
GAFORRJA
Mendohuni mirë përpara se të kaloni në veprime. Studioni dhe hetoni detajet në bashkëpunimet dhe programimin që duhet të bëni. Vendimet kërkojnë kthjelltësi dhe objektivitet dhe për momentin ato mungojnë. Jeta juaj sentimentale do të karakterizohet nga ndjeshmëria, romantizmi dhe idealizimi i situatës, por nuk do të mungojnë dhe zhgënjimet. Kujdes gjatë drejtimit të makinës.
LUANI
Gjatë kësaj jave kërkohet të jeni të kujdesshëm në menaxhimin e financave tuaja. Shpenzime apo detyrime të papritura, të cilat nuk i kishit llogaritur do të dalin gjatë javës, ndërkohë që do të keni dhe fitime. Gjithsesi, të jeni të programuar dhe të ekuilibruar në fushën ekonomike, pasi mund të bëhet shkak që të ndiheni të stresuar. Ju të interesuarit e shenjës do të gjeni një punë stabël, ndërsa ju të tjerët do të forconi pozitat në punë. Java ju ofron shanse për marrëdhënie apo një lidhje dashurie.
VIRGJËRESHA
Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet marrin një rëndësi të veçantë gjatë kësaj jave. Do të jepni përmasa të mëdha situatave dhe ngjarjeve që do të përjetoni. Idealizimi i tyre si dhe iluzionet rreth tyre ju udhëheqin në gabime. Disa do të fluturojnë nga entuziazmi dhe romantizmi dhe disa mund të ndihen të zhgënjyer dhe të mërzitur. Që të dyja fenomenet janë larg realitetit, është thjesht diçka që keni krijuar në mendjen tuaj. Gjithsesi, java premton ngrohtësi dhe dashuri, por kërkohet të mos jeni totalisht të preokupuar me të dashurit duke lënë mënjanë punën dhe sektorët e tjerë. Shmangni negociatat dhe marrëveshjet profesionale gjatë kësaj periudhe.
PESHORJA
Gjendja juaj psikologjike ndoshta nuk do të jetë dhe kaq e mirë gjatë kësaj jave. Do të ndiheni pak të lodhur dhe me tendenca për tu mbyllur në vetvete, por nga e shtuna, me kalimin e Venusit dhe të Merkurit në shenjën tuaj, situata përmirësohet dhe ju do të gjeni qefin dhe sharmin që gjithmonë ju karakterizon. Java ju ofron mundësinë të rregulloni një çështje ekonomike që ju preokupon. Bisedat dhe kontaktet intime japin e marrin deri të shtunën. Shmangni prapaskenat dhe thashethemet.
AKREPI
Përqëndrohuni në promovimin e karrierës dhe të punës tuaj duke organizuar sa më mirë planet dhe projektet dhe duke u kontaktuar me miq apo persona të përshtatshëm, të cilët do të ndihmojnë në realizimin e tyre. Të jeni të kujdeshëm në trajtimin e marrëdhënieve personale dhe shoqërore duke mos humbur masën dhe duke mos ushtruar presion. Bashkëpunime financiare si dhe lidhje erotike të fshehtë premton kjo javë.
SHIGJETARI
Jeni të përqëndruar në biznesin apo karrierën tuaj, por duket se këtë herë gjërat nuk shkojnë siç i keni parashikuar apo siç dëshironi. Kërkohet prej jush qetësi dhe gjakftohtësi dhe të lini vendimet e rëndësishme për pak më vonë. Në rast të kundërt hetoni çdo detaj në çështjet që do të paraqiten. Mos hyni në konflikte me eprorët dhe mos ekzagjeroni situatat. Në fushën financiare do të keni fitime, të cilat kryesisht vijnë nga puna dhe nga e shtuna dhe në vijim do të keni biseda dhe kontakte të shumta për promovimin e punës suaj.
BRICJAPI
Nuk është momenti të merrni vendime të rëndësishme, por në qoftë se jeni të detyruar të veproni mendohuni mirë duke qenë sa më objekivë dhe realistë dhe duke hetuar cdo imtësi. Në jetën tuaj të përditshme kërkohet të jeni të qetë dhe gjakftohtë me qëllim që të keni rezultatet e duhura. Fusha profesionale dhe karriera juaj merr rëndësi të veçantë nga e shtuna dhe në vijim duke pasur njëkohësisht favorizim.
UJORI
Përqëndrohuni në financat tuaja si dhe në investimet që doni të bëni. Mos u nxitoni, merrni kohën që ju duhet dhe përpara se të veproni hetoni çdo detaj. Mos bëni shpenzime të tepërta dhe menaxhoni sa më mirë të arrdhurat tuaja. Më pozitiv dhe më premtues është fundi i javës për ju. Do të keni biseda dhe kontakte, prej të cilave do të dilni të fituar, si dhe ndihmën e duhur.
PESHQIT
Kujdes të veçantë duhet të tregoni në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, të cilat do të jenë dhe tema kryesore e javës. Ndjeshmëria e tepërt dhe e theksuar nuk do t’ju lerë t’i shikoni situatat me realitet. Tendenca për tu dhënë atyre përmasa të mëdha ju udhëheq në gabime. Ruani marrëdhëniet dhe pozitat e punës. Njëkohësisht do të keni dhe mundësinë dhe shanse për të arritur suksese apo një vend të mirë pune. Jeta juaj sentimentale do t’ju preokupojë shumë, pasi flirti dhe dashuria janë karakteristikat e javës. Gjithësesi jeta juaj personale do të kalojë nga një analizim. /revistawho.com