• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 9 deri në 15 dhjetor

Kjo javë është mjaft e rëndësishme dhe duhet ta shfrytëzojmë për të zgjidhur çështje dhe probleme që na preokupojnë dhe që kemi lënë pezull. Gjatë saj do të kemi vështirësi, por dhe shanse. Ngjarja kryesore e javës është Hëna e plotë në shenjën e Binjakëve në datën 12 dhjetor e cila ndikon kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Binjakëve, Shigjetarit, Virgjëreshës dhe Peshqve të lindur në fund të dhjetëditëshit të dytë të shenjës. Mirë është të mos marrim vendime përfundimtare për çështjet që do të na paraqiten nga e enjtja dhe deri në fund të javës. Temat kryesore do të jenë financat dhe marrëdhëniet. Nga e mërkura deri të shtunën, pavarësisht nga disa aspekte pozitive që mund të ndihmojnë situatën, në vija të përgjithshme e konsideroj disi të vështirë dhe me probleme. Periudha 11 deri në 19 dhjetor paraqet shanse prej të cilave duhet të përfitoni si në jetën personale ashtu dhe në atë profesionale.

DASHI
Ngjarje dhe preokupime të rëndësishme do të keni në fushën profesionale. Gjërat janë në antitezë pasi disa nga ju do të shpërblehen për punën dhe mundin, por nuk do të mungojnë dhe vështirësitë dhe pengesat. Periudha nga 11 deri 19 dhjetor paraqet shanse për punën dhe biznesin tuaj. Me Hënën e plotë në 12 dhjetor do të përballeni me probleme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet si dhe në financat. Nuk është nevoja të nxitoheni dhe të merrni vendime as për jetën personale dhe as për atë profesionale. Disa prej jush mund të krijojnë një lidhje të fshehtë apo një marrëveshje financiare të fshehtë në fund të javës.

DEMI
Gjatë kësaj jave kërkohet prej jush të merrni vendime lidhur me partnerin apo bashkëpunëtorin tuaj. Disa nga marrëdhëniet do të forcohen akoma më shumë dhe do të kalojnë në një fazë tjetër ku do t’i qëndrojnë kohës dhe të tjera do të testohen dhe me rrezik do të marrin fund gjatë kësaj periudhe. Sido që të jetë mos u nxitoni të vendosni nga e mërkura deri të shtunën. Hëna e plotë vendos theksin në financat tuaja prandaj është e domosdoshme të shmangni shpenzimet e tepërta. Ndërkohë shanse paraqiten për ju dhe jetën tuaj në përgjithësi prej 11 deri në 19 dhjetor.

BINJAKËT
Fillon për ju një periudhë, deri në fund të dhjetorit, gjatë së cilës do të jeni të preokupuar me marrëdhëniet dhe me njerëzit e familjes suaj. Hëna e plotë në shenjën tuaj në 12/12 ju bën më të ndjeshëm në lidhje me to. Ndoshta do të detyroheni të merrni vendime duke bërë spastrime dhe duke ndërprerë përfundimisht në disa raste. Ndërkohë nuk do të mungojnë dhe problemet në fushën financiare. Nuk ka arsye për rënie psikologjike, pasi do të paraqiten paralelisht shanse për punë si dhe shanse për t’u njohur me një person, i cili përveç ndikimit në jetën personale do të ndihmojë dhe në zhvillimin tuaj.

GAFORRJA
Jeni të stresuar dhe në lëvizje me qëllim realizimin e planit ditor, për të cilin është mirë të jeni sa më të programuar. Në fakt kërkohet prej jush paralelisht të gjeni kohë për t’u çlodhur dhe për t’u kujdesur për shëndetin . Probleme, testime dhe spastrime do të kalojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, të cilat në disa raste do të arrijnë në limit, apo në fund. Ndërkohë për ju beqarët e shenjës paraqiten raste për një lidhje dashurie prej 11 deri në 19 dhjetor.

LUANI
Java ju gjen të preokupuar me veten apo me fëmijët tuaj për ju që jeni prindër. Periudha duket entuziaste me shanse, që në të vërtetë nuk do të mungojnë, por dhe me tendenca egoiste, të cilat mund tju udhëheqin në gabime. Nuk do të mungojnë dhe uljet apo ngritjet psikologjike gjatë saj. Periudha nga e enjtja deri të shtunën është e vështirë për marrëdhëniet me kolegët apo eprorët tuaj. Njëkohësisht të kujdeseni për shëndetin dhe të shmangni stresin lidhur me biznesin dhe fushën profesionale. Gjatë periudhës 11 deri në 19 dhjetor do të keni shanse për një punë të re ju që jeni në kërkim të saj.

VIRGJËRESHA
Java ju gjen të preokupuar me shtëpinë dhe njerëzit e familjes suaj, ku nuk do të mungojnë dhe problemet me Hënën e plotë në 12/12. Ndërkohë është e domosdoshme t’i përkushtoheni punës dhe karrierës, pa lënë pas dore të afërmit dhe të dashurit tuaj. Nga e enjtja deri të shtunën është një periudhë e vështirë për jetën tuaj personale, pasi do të jeni të detyruar të merrni vendime. Mos bëni lëvizje ekonomike dhe investime, vendimet do të jenë të gabuara. Disa prej jush do të krijojnë një lidhje të re dashurie, që në vazhdim nuk do të jetë ashtu siç duket tani në fillim. Megjithatë duhet të theksoj se periudha 11-19 dhjetor ka shanse mjaft të mira për jetën personale, kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës.

PESHORJA
Nuk është momenti të merrni vendime për çështje të rëndësishme të jetës suaj. Gjatë kësaj jave dhe kryesisht me Hënën e plotë në 12/12 do të ndiheni të stresuar në lidhje me problemet financiare si dhe me ato familjare. Do të jeni të detyruar të përballeni me partnerët lidhur me çështje ekonomike dhe në disa raste do të merrni vendime lidhur me to. Ndërkohë nuk do të mungojnë shanset për ndihmë dhe përmirësimin e financave nga 11 deri në 19 dhjetor.

AKREPI
Në qendër të vëmendjes suaj tashmë gjenden financat dhe projektet lidhur me to. Gjërat janë në antitezë, pasi nuk do të mungojnë shanset, por gjërat nuk janë ashtu si ju i projektoni apo i imagjinoni. Gjithsesi tregohuni shumë të kujdesshëm me Hënën e plotë në 12/12, sepse mund të dalin detyrime ekonomike më të larta nga të programuarat. Në të njëjtën kohë mund të keni propozime për një  marrëveshje financiare, për të cilën mirë është të mos firmosni pa pasur një imazh praktik të rezultateve. Periudha 11 deri 19 dhjetor favorizon jetën tuaj personale, flirt dhe dashuri premton ajo.

SHIGJETARI
Jeni në një lëvizje të vazhdueshme për të realizuar planet tuaja për zhvillim dhe mundësitë për t’i arritur ekzistojnë pasi tashmë, përveç simpatisë që ushqejnë të tjerët për ju gjatë kësaj periudhe, bindni dhe me fjalët dhe arsyetimet tuaja. Hëna e plotë përballë jush në 12/12 ju gjen totalisht të preokupuar me marrëdhëniet dhe partnerin tuaj. Disa prej jush do të hyjnë në një lidhje të re, të cilës do t’i japin përmasa më të mëdha se ato ekzistuese, duke e idealizuar atë, ndërsa të tjerë do të kenë probleme apo do të ndihen të zhgënjyer prej saj. Në të njëjtën kohë probleme dhe të dhëna të reja do të paraqiten në financat tuaj, të cilat duhet ti merrni parasysh me seriozitet. Periudha 11 deri në 19 dhjetor favorizon punën dhe të ardhurat tuaja, pavarësisht nga vështirësitë.

BRICJAPI
Ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës do të kaloni një periudhë me shanse dhe favorizim nga 11 deri 19 dhjetor në jetën tuaj personale dhe në financat. Fati është me ju dhe shumë nga ju do të kenë mundësinë të dashurohen. Gëzime dhe lajme të mira do të keni dhe nga fëmijët. Ky favorizim nuk mbaron në 19/12 vazhdon të ekzistoj dhe më pas, por në një mënyrë tjetër. Ju të tjerët, veçanërisht të lindurit në fund të dhjetëditëshit të dytë dhe në fillim të të tretit, jeni në një fazë ndryshimesh të cilat do të bëhen më të theksuara nga e enjtja deri të shtunën. Vendime, spastrime, të cilat do t’ju detyrojnë të kaloni në ndryshime të planeve apo të situatës ekzistuese nxjerr në pah Hëna e plotë në 12/12. Kujdesuni për shëndetin dhe gjeni kohën për t’u çlodhur.

UJORI
Me biseda, kontakte dhe argëtim me miqtë do të jetë e ngarkuar java. Diku aty do të gjeni dhe personin me të cilin do të flirtoni apo do të hyni në një lidhje dashurie. Megjithatë duket se asgjë nuk ju kënaq dhe psikologjia juaj nuk është në formë shumë të mirë kryesisht më Hënën e plotë në 12/12. Nuk do të mungojnë problemet me partnerin tuaj lidhur me çështjet financiare. Nuk është momenti për investime. Nga java që vjen i shikoni gjërat me më qartësi. Nga 11 deri 19 dhjetor do të keni mundësinë të zgjidhni mjaft nga çështjet që ju preokuponin deri tani në lidhje me shtëpinë.

PESHQIT
Biznesi apo karriera juaj do të jenë në qendër të vëmendjes gjatë kësaj jave dhe akoma më shumë me Hënën e plotë në 12/12. Të jeni sa më korrekt dhe të shmangni gabimet. Në të njëjtën kohë është e domosdoshme të mos lëni pas dore shtëpinë, njerëzit e familjes dhe të dashurit tuaj. Gjeni mënyrën të qetësoheni dhe të ripërtëriheni nga ana psikologjike dhe mbi të gjitha mos merrni këtë javë vendime për jetën personale dhe marrëdhëniet tuaja. Për disa nga ju fundi i javës  mund të sjell realizimin e një ëndrre, për të cilën ishit lutur deri tani. Periudha nga 11 deri në 19 dhjetor ju sjell afër me persona që do të luajnë një rol pozitiv në zhvillimin tuaj profesional. /revistawho.com