• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 8-15 prill

Kjo javë është e pasur në aspekte astrologjike, të cilat e bëjnë atë të këndshme dhe me fat. Megjithëse nuk do të mungojnë pengesat, nxitimi apo gjykimet e sipërfaqshme, java në përgjithësi premton përparim dhe zhvillim. Deri të enjten do të nxjerrim konkluzione se ku gjendemi lidhur me biznesin,karrierën apo punën tonë, si dhe me çështjet që na preokupojnë. Për sa i përket jetës sentimentale do të jemi shumë të ndjeshëm, romantikë dhe do t’ju japim gjërave përmasa më të mëdha, jo realiste dhe të idealizuara rreth datës 10. Nuk do të mungojnë situata zhgënjimi dhe dëshpërimi. Në gjysmën e dytë të javës nga e enjtja deri të shtunën marrëdhëniet personale dhe profesionale, si dhe negociatat do të jenë më të suksesshme. Në datën 12 të muajit bëni kujdes me premtimet që do të jepni, por dhe do t’ju japin të tjerët, jepini rëndësinë e duhur hollësive nëse se do të hyni në një marrëveshje. Në 13 prill tregohuni më elastikë duke shmangur tendencat për kontroll apo sundim. Fundi i javës dhe veçanërisht datat 14 dhe 15 janë shumë me fat dhe favorizojnë çdo drejtim, personal apo profesional. Veçanërisht të favorizuar do të jenë përfaqësuesit e shenjës së Shigjetarit, Luanit dhe Dashit të lindur në dhjetëditëshin e tretë të shenjës.

DASHI
Në gjysmën e parë të javës do të ndjeheni të stresuar dhe të tensionuar në sferën profesionale dhe do të duhet të merrni përsipër gjithë përgjegjësinë që ju takon. Nga e enjtja dhe deri në fund të javës situata bëhet më frytdhënëse dhe do të keni ndihmën e duhur të fatit, por dhe të njerëzve pranë jush. Kujdes në premtimet që do të jepni dhe do të merrni, mirë është të jenë sa më realiste dhe jo të ekzagjeruara, ndërkohë që duhet të shikoni çdo hollësi në negociatat apo marrëveshjet që do të bëni. Nuk përjashtohet mundësia që disa prej jush të kenë një rritje në pozitë gjatë kësaj jave, si shpërblim i punës së deri tanishme. Në jetën sentimentale, takime erotike të fshehta, të cilat do të keni tendencën t’i idealizoni, premton kryesisht kjo javë. Organizoni një udhëtim në fund të javës dhe harroni lodhjen që mund të ndjeni. Shfrytëzoni favorizimin dhe fatin që ju japin ditët 14 dhe 15 të muajit në çdo drejtim dhe kryesisht juve të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të muajit.

DEMI
Biseda të ndryshme me miq dhe të njohur do të keni gjatë javës, të cilat mirë është të bëni një filtrim dhe të mos i merrni të gjitha parasysh. Madje nga e enjtja dhe deri të shtunën të jeni të kujdesshëm në premtimet që do t’ju bëhen, të cilat mund të kenë dhe karakter ekonomik, pasi shumë prej atyre nuk do të plotësohen. Gjithsesi, gjithë këto bisedime dhe informacione që do të keni do t’ju ndihmojnë në masë të madhe të realizoni synimet që keni. Vështirësitë që mund të lindin në fund të javës nuk duhet t’ju shqetësojnë se do të gjejnë zgjidhje në vijim. Jeta juaj erotike dhe sentimentale bëhet mjaft interesante në fund të javës, por mos e bëni akoma të njohur tek të tjerët. Ndërsa në sferën ekonomike nuk do të mungojë ndihma dhe të ardhurat nga familja apo burime të padukshme.

BINJAKËT
Ndoshta do të ndjeni se biznesi apo puna juaj nuk shkojnë ashtu siç dëshironi, por kjo ndodh në fillim të javës, se në fund të saj do të keni një sugjerim apo një propozim mjaft interesant për punë apo bashkëpunim, e cila do të zhvillohet akoma më mirë nga gushti e tutje. Komente pozitive do të dëgjoni për punën tuaj dhe për ju në datën 12, ndërkohë që duhet të jeni mjaft të kujdesshëm në negociatat ekonomike gjatë kësaj jave dhe mirë është t’i shmangni ato. Për sa i përket jetës sentimentale rastet janë të shumta gjatë kësaj jave, por realiteti i jep vendin idealizmit, utopisë dhe ekzagjerimit, kryesisht deri të enjten. Jetoni momentet pa bërë plane të mëdha për të ardhmen, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Ndërsa ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë shfrytëzoni datat 14 dhe 15 për të arritur ato që doni, si në jetën personale sentimentale, ashtu dhe në atë profesionale.

GAFORRJA
Pozitive dhe plot shpresa është fillimi i javës për ju në lidhje me problemet familjare apo çështjet që ju preokupojnë. Në sferën profesionale do të ndjeheni të tensionuar dhe të stresuar në datat 10 dhe 13 të muajit nga eprorët apo bashkëpunëtorët tuaj. Tregohuni elastikë duke shmangur tendencat kokëfortësie. Mbani shportë të vogël në premtimet që do t’ju bëhen në punë, janë të parealizueshme në pjesën më të madhe. Jeta juaj sentimentale është mjaft premtuese, duke ju dhënë mundësinë ju që jeni në një marrëdhënie të kaloni momente të bukura, ndërsa ju të tjerët të krijoni një lidhje me perspektivë. Një udhëtim do t’ju sjellë afër të dashurit/ës apo do të jetë shkaku të takoni dashurinë. Datat 14 dhe 15 favorizojnë shumë punën dhe sferën profesionale në përgjithësi duke ndikuar në rritjen e të ardhurave rezultatet e të cilave do t’i shihni akoma më mirë nga fundi i gushtit.

LUANI
Në pjesën e parë të javës duhet të jeni shumë të disiplinuar në punë dhe të mos jepni të drejta për komente apo vërejtje. Disa prej jush mund të jeni të preokupuar me çështje shëndetësore apo në kontrollin mjekësor. Në sferën ekonomike shmangni investimet rreth datës 10 dhe tregohuni mjaft të kujdesshëm duke i dhënë rëndësi çdo hollësie në datën 12 të muajit. Në gjysmën e dytë të javës organizoni më mirë jetën e përditshme dhe punën tuaj, ndërkohë që duhet të kujdeseni dhe për çlodhjen tuaj. Jeta juaj sentimentale është mjaft premtuese në datat 14 dhe 15 të muajit dhe favorizoheni veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Shfrytëzoni shansin e ditëve në çdo drejtim dhe shënoni suksese dhe përparim në agjendën tuaj.

VIRGJËRESHA
Fillimi i javës ndoshta nuk ju gjen në formë të shkëlqyer nga ana psikologjike, por kjo nuk ka arsye realiste. Gjatë kësaj jave do të jeni të preokupuar me çështje sentimentale, për të cilat duhet të jeni shumë të kujdesshëm dhe të mendoheni mirë përpara se të hyni në një histori dashurie rreth datës 10 prill, ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. Ndërsa mjaft pozitive do të jenë ditët nga e enjtja dhe deri të shtunën për të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Mos merrni vendime të nxituara gjatë javës dhe përfitoni nga favorizimi që ju japin datat 14 dhe 15 për çështje familjare, çështje që kanë të bëjnë me trashëgimi apo shfrytëzimin sa më të mirë të pronës suaj, por dhe për të rregulluar detyrime ekonomike ndaj të tjerëve.

PESHORJA
Disa pengesa dhe vështirësi mund të hasni këtë javë në lidhje me arritjen e qëllimeve që keni vendosur, në bashkëpunimet tuaja, por dhe në ambientin familjar. Me durim shumë shpejt do të kapërcehen, pasi java ka shumë aspekte pozitive që do t’ju ndihmojnë. Përpiquni të filtroni sa më mirë situatën, si në jetën sentimentale, ashtu dhe në atë profesionale, duke qëndruar sa më afër realitetit. Thoni dhe dëgjoni sa më pak në ambientin e punës dhe përpiquni të bëni sa më të bukur dhe të organizuar jetën e përditshme pasi pranvera ju bën më romantikë se sa duhet. Vështirësitë financiare janë të përkohshme, ndërsa datat 14 dhe 15 janë të përshtatshme për hapa të reja dhe me perspektivë në jetën tuaj.

AKREPI
Kjo javë, veçanërisht në pjesën e parë të saj, kërkon të jeni sa më të kujdesshëm në komunikimin tuaj me të tjerët, kolegët, komshinjtë, me pak fjalë me ata që jemi në kontakt përditë. Në sferën financiare do të paraqiten raste që do t’ju duken mjaft interesante, por në fakt gjërat janë të zmadhuara dhe mirë është të mos bëni investime dhe as të shpenzoni në lojërat e fatit. Për sa i përket jetës sentimentale do të keni shumë shanse për të takuar dashurinë gjatë kësaj jave, por në fund të saj do të keni mundësinë të krijoni diçka më serioze. Rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e financave, kryesisht nga puna juaj, premton periudha nga e shtuna deri të hënën.

SHIGJETARI
Prej kësaj jave, guvernatori juaj, Jupiteri, fillon kursin retogradë deri në gusht duke ju lënë të përdorni dhe të shfrytëzoni sa më mirë dhuratat që ju solli. Në fillim të javës pengesat financiare që do të hasni do t’ju prishin pak qejfin dhe ritmin e jetës së përditshme. Përshtatuni në kushtet ekzistuese pasi nuk janë dhe kaq negative dhe organizoni sa më mirë financat tuaja, nga e enjtja deri të shtunën. Në familjen tuaj do të kaloni momente të bukura dhe romantike dhe ndoshta mund të shtroni dhe një tavolinë për kolegët tuaj , ndërkohë nuk do të mungojnë dhe problemet e vogla që nuk do të ekzistonin në qoftë se ju nuk do t’i jepnit përmasa të ekzagjeruara situatës. Fat, zhvillim, suksese dhe përparim në çdo drejtim do të sjellin tek ju datat 14 dhe 15 të muajit dhe mos harroni se ky vit është shumë i rëndësishëm për ju në të gjitha fushat, personale dhe profesionale.

BRICJAPI
Gjatë kësaj jave disa nga projektet tuaja mund të mos realizohen ashtu siç e kishit planifikuar dhe kjo do të ketë të bëj me mbështetjen financiare që ju mungon. Situata përmirësohet nga e shtuna deri të hënën dhe do të gjeni jo vetëm ndihmën ekonomike që kërkoni, por njëkohësisht do të zgjidhni problemet që kanë të bëjnë me familjen, shtëpinë dhe veten tuaj. Psikologjia juaj ripërtërihet dhe do të gjeni qefin për të vazhduar më tej. Interes të veçantë paraqet jeta juaj sentimentale gjatë gjithë javës dhe një njohje apo lidhje serioze ju premton fundi i saj, prej të enjtes deri të shtunën.

UJORI
Vëmendja juaj gjatë kësaj jave përqendrohet në financat tuaja, pasi aty do të paraqiten raste dhe shanse të ndryshme. Është e domosdoshme t’i kaloni nga mikroskopi dhe të mos i konsideroni ideale në datën 10, ndërsa në datën 12 të shikoni gjithë hollësitë e çështjes në qoftë se doni të investoni ose të shmangni ekzagjerimet apo shpenzimet e tepërta. Do të këshilloja asnjë investim deri të shtunën, pasi nuk do të arrini ato që dëshironi. Filloni të organizoni dhe të programoni sa më mirë biznesin, karrierën apo punën tuaj dhe shfrytëzoni datat 14 dhe 15 të muajit për suksese dhe zhvillim në këtë drejtim.

PESHQIT
Fillimi i javës ju gjen të përqëndruar në vetvete dhe shumë prej jush do të kërkoni qetësinë, ndërkohë që shoku i jetës do të ketë kërkesa dhe pretendime. Java është pozitive, por ndjenjat tuaja janë të ndryshme, herë pozitive dhe herë negative. Përpiquni për një psikologji sa më të mirë, pasi andej varet dhe këndvështrimi i jetës. Kjo javë ju jep shumë shanse ekonomike por do të dilni të fituar vetëm në qoftë se do të masni mirë gjërat dhe në pjesën e dytë të saj shmangni shpenzimet e tepruara. Vëmendjen tuaj duhet ta ktheni tek karriera apo biznesi juaj këtë javë, pasi është një periudhë mjaft pozitive me shanse unike nga e shtuna deri të hënën. Shfrytëzoni favorizimin e ditëve dhe shikoni si do të trajtoni situatat apo shanset që paraqiten. /revistawho.com