• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 29 prill deri në 5 maj

Të dashur lexues ju uroj një maj të mbarë, i cili në të vërtetë është një nga muajt më të mirë të vitit. Ky muaj do t’ju jap mundësinë të vendosni bazat për planet dhe projektet e dëshiruara dhe do të ndihmojë për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Gjatë javës duhet t’ju japim rrugëzgjidhje të menjëhershme çështjeve që na preokupojnë, ndërkohë që komunikimi midis nesh do të jetë me vështirësi dhe problematik. Shmangni tendencat për konflikte dhe mendimet negative, veçanërisht të mërkurën 1/5 dhe të premten 3/5. Tregohuni elastikë në zgjidhjen e problemeve. Të enjten dhe të premten ekziston mundësia të zbulojmë apo të mësojmë sekrete dhe njëkohësisht disa prej nesh të kemi lajme të mira. Në 5 maj zhvillohet Hëna e re në shenjën e Demit, e cila është mjaft pozitive për realizimin e planeve dhe projekteve dinamike dhe favorizon kryesisht përfaqësuesit e Demit, Virgjëreshës dhe Bricjapit të lindur në dhjetëditëshin e dytë të shenjës.

DASHI
Me bisedime dhe takime gjatë të cilave do të keni debate apo konflikte zhvillohet kjo javë. Për të arritur atë që dëshironi duhet të tregoheni sa më elastikë, duke shmangur konfliktet me eprorët dhe duke trajtuar problemet me zgjuarsi. Në jetën sentimentale, në qoftë se do të lindin konflikte, mos harroni se jeni ju ata që duhet të merrni iniciativën për normalizimin e tyre. Menaxhoni mirë financat tuaja dhe mos hyni në borxhe. Jepini rëndësi hollësirave në planet apo udhëtimin që mund të organizoni në fund të javës.

DEMI
Nuk është momenti të zgjidhni problemet që mund t’ju stresojnë, merrni kohën e duhur dhe vendosni pak më vonë për ato. Në fushën profesionale mos bëni fillime të reja dhe investime gjatë kësaj jave, pasi Hëna e re në shenjën tuaj në 5/5 do t’ju jap favorizimin e duhur javës që vjen. Në fushën financiare do të merrni ndoshta bonus apo një ndihmë në fillim të javës dhe mirë është të shmangni tendencat për shpërdorim dhe shpenzime të tepruara në fund të saj. Jeta sentimentale është më premtuese dhe disa prej jush do të krijojnë një lidhje të re erotike.

BINJAKËT
Gjatë kësaj jave do të jeni të ngarkuar me lëvizje, biseda dhe kontakte për zhvillimin e bashkëpunimeve tuaja. Të jeni të kujdesshëm gjatë zhvillimit të tyre duke mos insistuar në kërkesat tuaja, por njëkohësisht do të merrni dhe lajme apo të dhëna, të cilat do t’ju ndihmojnë dhe do t’ju shtyjnë në veprimtari. Në jetën sentimentale gjërat shkojnë mirë, megjithatë ju do të jeni të pakënaqur. Kujdes në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja në fund të javës, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Kujdesuni për shëndetin.

GAFORRJA
Gjatë kësaj jave do të keni ngjarje të cilat do t’ju detyrojnë të ndryshoni programin tuaj. Disa prej jush do të përballeni me probleme të së kaluarës, për të cilat do të keni mundësinë t’i zgjidhni më lehtë në këto momente. Trajtoni me zgjuarsi, tregohuni elastikë në problemet që do të keni në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet dhe të jeni të programuar në financat tuaja. Lodhja e tepërt mund të ketë pasoja në shëndetin tuaj në fund të javës. Me Hënën e re në 5/5 fillon për ju një periudhë realizimi dhe zhvillimi në shumë sfera të jetës.

LUANI
Përqëndrohuni në sferën profesionale duke mbrojtur interesat tuaja dhe duke mbështetur fuqimisht zhvillimin e saj. Vështirësitë dhe pengesat në komunikim si dhe në jetën sociale nuk do të mungojnë, por aty ku do të ndiheni më të stresuar do të jenë financat, pasi dhe kërkesat tuaja në përgjithësi janë të mëdha. Shmangni konfliktet dhe ekzagjerimet në fund të javës, ndërkohë që është një periudhë shumë pozitive për përparim dhe zhvillim profesional nga data 5/5.

VIRGJËRESHA
Kjo periudhë nuk është negative për ju, megjithatë ana juaj psikologjike nuk do të jetë në formë të mirë, diçka që nuk do ju lejoj të shijoni momentet e mira gjatë javës. Preokupimi juaj do të jetë rregullimi i detyrimeve financiare ndaj të tjerëve ku do të hasni pengesa dhe vështirësi, por do të gjeni një zgjidhje. Mundohuni të jeni të qetë duke shmangur debatet dhe duke ulur ritmet në punë dhe në jetën tuaj të përditshme. Në fund të javës do të keni tendenca shpërthyese dhe do të doni të bëni “kryengritje” personale, edhe pse mund të mos keni arsye reale. Shfrytëzoni momentin për të zgjidhur çështjet familjare dhe përfitoni nga Hëna e re në 5/5, e cila është shumë premtuese për ju.

PESHORJA
Kjo javë do të ketë vështirësi dhe pengesa për ju, megjithatë gjendja juaj shpirtërore dhe dëshira për aventurë do të jenë në nivele të kënaqshme. Lërini mënjanë mërzitjet dhe problemet që ju kanë shkaktuar bashkëpunëtorët apo njerëzit e familjes dhe vendosni synime apo bëni plane të reja për periudhën në vijim. Një njohje apo lidhje erotike gjatë një udhëtimi të vogël premton java në jetën tuaj sentimentale, ndërsa në sferën ekonomike kërkon prej jush menaxhim të mirë dhe një kontroll në tendencat e theksuara për shpenzime që do të keni në fund të saj. Hëna e re në 5/5 hap perspektiva të reja në bashkëpunimet tuaja, por edhe në jetën personale.

AKREPI
Detyrimet dhe kërkesat profesionale do të jenë mjaft të rritura gjatë kësaj periudhe dhe pikërisht tani është momenti të tregoni dhe aftësitë tuaja. Rregulloni detyrimet dhe mos bëni lëvizje të ekzagjeruara në sferën financiare. Java ka vështirësi në komunikim, prandaj shfrytëzoni talentin që keni në trajtimin e situatave me strategji, pa qenë nevoja të hyni në konflikte duke imponuar mendimet tuaja. Jeta sentimentale dhe marrëdhëniet nuk kanë stabilitet për momentin, por me Hënën e re në 5/5 hapen perspektiva të reja. Në qoftë se disa nga planet tuaja nuk shkojnë siç ju dëshironi apo jeni të detyruar t’i anuloni nuk ka arsye shqetësimi, pasi nga shtatori do të keni mundësinë të merrni vendime lidhur me ato.

SHIGJETARI
Gjatë kësaj jave përqëndrohuni kryesisht në financat tuaja dhe bëni një menaxhim të mirë të tyre. Ndoshta disa prej jush mund të keni një ndihmë apo një rritje të të ardhurave, por në përgjithësi në këtë fushë do të keni vështirësi dhe pengesa. Përpiquni për një organizim më të mirë, jepni rëndësinë e duhur hollësive, mendohuni mirë dhe thellë dhe mos reagoni me impulsivitet në të gjitha drejtimet gjatë kësaj periudhe, pasi jo gjithmonë gjërat janë ashtu siç duken apo paraqiten. Përsa i përket jetës sentimentale, java premton momente të bukura me të dashurit dhe njohje apo lidhje dashurie për ju të interesuarit e shenjës. Gjithsesi ruani ekuilibrin midis jetës personale dhe asaj profesionale duke iu dhënë rëndësinë e duhur të dyjave.

BRICJAPI
Kryesorja për ju gjatë kësaj jave është të mos hyni në konflikte duke imponuar mendimet apo projektet tuaja, pasi është kohë e humbur dhe lodhje e tepërt. Shumë prej jush gjenden në një fazë të re jete apo në zbatimin e një projekti të ri në fushën profesionale, të cilat për momentin mund të ndjeni se po pengohen, megjithatë mos i jepni rëndësi, pasi pas verës situata do të jetë më e qartë dhe me të dhëna të reja. Përfitoni nga Hëna e re në 5/5 duke promovuar plane dhe projekte dinamike dhe duke marrë vendime që do të ndikojnë pozitivisht në financat tuaja. Mjaft premtuese është Hëna e re për jetën tuaj sentimentale dhe erotike. Gjithsesi fillimi i javës, deri të enjten, është favorizues për zgjidhjen e disa nga problemeve që ju preokupojnë, ndërsa fundi i saj kërkon të çlodheni dhe të kujdeseni për shëndetin.

UJORI
Bisedime dhe takime të këndshme që kanë si qëllim përparimin dhe zhvillimin tuaj profesional do të keni gjatë kësaj jave. Në fund të javës duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mos e teproni, pasi tendenca për të hyrë në konflikt me miqtë apo të dashurit tuaj është shumë e theksuar, ndërkohë që dëshira për flirt dhe dashuri do të jetë në nivele të lart gjatë gjithë javës. Të qenit elastik në mendime dhe sjellje është rruga më e mirë në këto momente. Financat nuk ju ndihmojnë, por së shpejti situata do të ndryshojë duke ju dhënë mundësinë për një rritje të konsiderueshme. Hëna e re në 5/5 hap perspektiva të reja si në sferën profesionale, ashtu dhe në atë personale.

PESHQIT
Lajme dhe bisedime mjaft pozitive rreth jush do të keni në fillim të javës, por dhe në vazhdim të saj me një trajtim të mirë të çështjeve mund të arrini të realizoni mjaft nga ato që dëshironi, si në sferën personale ashtu dhe në atë profesionale. Me pak fjalë, është në dorën tuaj se sa të kënaqur apo të plotësuar do të ndiheni në çdo drejtim, në nivel sentimental apo në anën praktike të gjërave. Nga e shtuna dhe për disa ditë është shumë e lehtë ta ekzagjeroni me sjelljen dhe me fjalët tuaja, duke krijuar një situatë që nuk do t’ju favorizoj, por përkundrazi mund të sjellë pasoja të padëshirueshme si në familje ashtu dhe në punë. Kujdes të veçantë ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Hëna e re në 5/5 krijon perspektiva të shkëlqyera për promovimin e planeve dhe projekteve tuaja. /revistawho.com