• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 22 deri në 28 prill

Fillimi i javës premton surpriza në sferën sentimentale dhe financiare, si dhe takime të papritura me persona, të cilët nuk do të tregohen aspak indiferent. Ky aspekt bëhet më i theksuar në datën 23 të muajit dhe ndikon kryesisht përfaqësuesit e Demit, Akrepit, Luanit, Ujorit, Virgjëreshës dhe Bricjapit të lindur në dhjetëditëshin e parë të shenjës. Nuk do të mungojnë ngjarjet e papritura dhe anulimet. Fundi i javës ka tendenca të na largoj nga realiteti duke shfrenuar fantazinë. Idealizimi i situatës, zhgënjimi si dhe mashtrimi janë më të theksuara në datën 27 dhe ndikojnë kryesisht përfaqësuesit e shenjës së Binjakëve, Shigjetarit, Virgjëreshës dhe Peshqve.

DASHI

Java fillon me shanse në sferën financiare dhe takime me persona të cilët do t’ju lenë mbresa të forta. Gjatë pjesës së dytë të javës kujdes se çfarë do të thoni dhe ku do ta thoni, pasi mund të jepni shkak për biseda të mëtejshme rreth jush mbrapa shpinës. Gabimet në punë apo në marrëdhëniet tuaja në datën 27 do të kushtojnë, prandaj të jeni të kujdesshëm. Gjeni kohën për t’u çlodhur dhe bëni një udhëtim në fund të javës.

DEMI

Dëshira për të bërë ndryshime në fushën personale dhe profesionale do të jetë shumë e theksuar, kryesisht për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës. Takime dhe ngjarje të papritura mund të keni në fillim të javës, shfrytëzoni rrethanat e momentit dhe gjeni zgjidhjen e duhur. Fundi i javës vendos theksin në financat tuaja dhe kërkon të jeni të kujdesshëm në menaxhimin e tyre, duke shmangur shpenzimet e tepërta dhe lëvizjet e gabuara.

BINJAKËT

Ngjarjet në fillim të javës do t’ju detyrojnë të anuloni apo të ndryshoni planet tuaja. Mos bëni ndryshime të nxituara në sferën profesionale kryesisht në fund të javës. Shmangni idealizimin e situatës, por dhe zhgënjimin duke qëndruar sa më afër realitetit. Në jetën sentimentale mos kërkoni idealen dhe vendosni, këtë radhë, logjikën për rezultate më të mira. Veçanërisht të kujdesshëm duhet të jeni ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës rreth datës 27/4.

GAFORRJA

Përmirësimin e financave, përmes kontakteve që do të bëni në rrethin social, premton fillimi i javës. Prej kësaj jave dhe për një periudhë të gjatë do t’ju preokupojnë në thellësi marrëdhëniet tuaja, për të cilat mirë është të mos merrni vendime përpara tetorit. Mos u jepni rëndësi fjalëve apo informacioneve që do të dëgjoni në fund të javës dhe gjeni mënyrën si dhe kohën për t’u çlodhur.

LUANI

Ndryshime të papritura në lidhje me një bashkëpunim apo një marrëdhënie do të keni në fillim të javës. Mos u shqetësoni nëse për momentin këto ndryshime mund t’ju mos pëlqejnë, çdo gjë bëhet për të mirën tuaj. Kontakte me persona që do të ndihmojnë në përparimin dhe zhvillimin tuaj premton 23 prilli. Në fund të javës mos besoni premtimet që do t’ju japin lidhur me ndihmën që mund të kërkoni. Prej kësaj jave dhe për një kohë të gjatë do të preokupoheni me mënyrën e organizimit të jetës suaj të përditshme e cila ju ka lodhur shumë kohët e fundit, bëni plane por realizimin e tyre do ta shikoni nga tetori.

VIRGJËRESHA

Lajme, të reja apo ndryshime që do t’ju befasojnë, do të keni në fillim të javës. Këto do të kenë të bëjnë kryesisht me jetën tuaj të përditshme dhe shëndetin. Përsa i përket jetës sentimentale do të kaloni në një periudhë të gjatë, ku duhet të qartësoni brenda jush çfarë pikërisht doni dhe kërkoni. Fundi i javës sjell probleme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, të cilat duan t’ju imponojnë kërkesat apo pretendimet e tyre. Kujdes ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës, rreth datës 27/4 qëndroni sa më afër realitetit duke shmangur idealizimin apo zhgënjimin.

PESHORJA

Është një javë mjaft premtuese për jetën tuaj sentimentale, veçanërisht në fillim të saj. Shumë prej jush gjatë kësaj periudhe do të kenë mundësinë të takojnë një person, për të cilin jo vetëm do të kenë ndjenja erotike, por do të marrin dhe ndihmë për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Kujdesin tuaj kërkon fundi i javës në çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin dhe jetën tuaj të përditshme. Të jeni të vëmendshëm në punët që do të bëni dhe të shmangni gabimet kryesisht në datën 27 të muajit.

AKREPI

Ndryshime në marrëdhëniet, bashkëpunimet dhe në lidhje me shtëpinë, apo familjen, sjell fillimi i javës, të cilat mund të shoqërohen me ndryshime në punë apo në jetën tuaj në përgjithësi. Shikoni gjërat në thellësi dhe do të shikoni se disa ndryshime ndoshta janë të domosdoshme. Në pjesën e dytë të javës dëshira për argëtim dhe për të kaluar bukur mund t’ju udhëheqë në shpenzime të tepërta, për të cilat në fillim të javës tjetër do të pendoheni. Kujdes në lojërat e fatit dhe në investime në 27 prill! Mos e teproni!

SHIGJETARI

Trajtoni me qetësi dhe pa nxitim çështje apo situata që mund të lindin në punë apo në jetën tuaj të përditshme, kryesisht në fillim të javës. Pavarësisht nga ato, gjërat në fushën profesionale për ju në përgjithësi shkojnë mirë. Nuk do të mungojnë problemet ndoshta në ambientin familjar në fund të javës. Mos i zmadhoni gjërat, qëndroni sa më afër realitetit dhe përpiquni të shmangni keqkuptimet pasi ato që kërkoni nuk përpuqen me ato që thoni dhe mbi të gjitha me ato që kuptojnë të tjerët. Qëndrimi sa më afër realitetit do t’ju mbrojë nga gabimet rreth datës 27/4, kryesisht juve të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës.

BRICJAPI

Surpriza në jetën tuaj sentimentale dhe gëzime nga fëmijët, për ju që jeni prindër, premton fillimi i javës. Disa nga ju, veçanërisht të lindurit në dhjetëditëshin e parë të shenjës, do të takoni një person të cilin do ta dashuroni me shikimin e parë, ndërsa disa të tjerë do të keni një shans apo favorizim në financat tuaja. Në fund të javës do të keni tendenca të mbylleni në vetvete, mendimet do të jenë të shumta, ndërsa veprimet të pakta. Krijoni mendime pozitive duke mos i lejuar vetes ulje psikologjike, të cilat do t’ju bëjnë të ndjeheni të pafuqishëm.

UJORI

Dëshira për gjëra të veçanta dhe sa më origjinale, duke bërë kështu çdo ditë ndryshe nga tjetra do të jetë e theksuar në fillim të javës. Ndërkohë nuk do të mungojnë problemet në marrëdhëniet dhe në familjen tuaj, të cilat do të duhet t’i përballoni me gjakftohtësi dhe pa shpërthime. Erotizmi juaj do të jetë shumë i theksuar dhe ju shtyn në peripeci dhe situata të fshehta. Shmangni investimet dhe shpenzimet e tepërta në fund të javës.

PESHQIT

Në fillim të javës do të ndjeni një pasiguri dhe do të keni shqetësime lidhur me financat tuaja, të cilat mund të mos kenë një bazë reale. Deri të mërkurën të jeni të kujdesshëm gjatë drejtimit të makinës, por dhe në sjelljen tuaj, kryesisht në mënyrën se si do të reagoni. Në pjesën e dytë të javës dhe sidomos në fund të saj kujdesuni më shumë për veten, përballoni me qetësi problemet që mund të dalin në familje dhe mos merrni iniciativa të nxituara, kryesisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës. /revcistawho.com