• youuinsttaaffccbb
TEST
Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 22 deri në 28 korrik

Dalëngadalë po lemë pas ditët e vështira të korrikut dhe hyjmë në një klimë optimiste dhe mjaft pozitive për psikologjinë tonë. Aspektet astrologjike të javës na japin mundësinë të udhëtojmë, të krijojmë dhe të argëtohemi. Në jetën sentimentale takime me persona nga e kaluara apo rikthime në një dashuri të së kaluarës do të jetë tema e javës. Në fushën financiare rregulloni çështje të lëna pezull dhe kërkoni të ardhurat që ju detyrohen të tjerët dhe që ende nuk i keni marrë. Gjatë kësaj jave mund të bëni fillime, rezultatet e të cilave do t’i shikoni nga fundi i gushtit. Gjithsesi, në vija të përgjithshme java përshkruhet pozitive dhe shënon fillimin e një periudhe mjaft argëtuese për ne, e cila do të zgjasë pothuajse deri në fund të gushtit.

DASHI

Java shënon fillimin e një periudhe mjaft pozitive për ju deri në 20 gusht. Erdhi momenti të plotësoni dëshirat tuaja dhe të bëni plane për të ardhmen dhe zhvillimin apo përparimin tuaj. Periudha prej kësaj jave dhe deri në 20 gusht është shumë premtuese për jetën tuaj personale dhe sentimentale. Fati është me ju dhe dashuria jo vetëm ju troket derën, por është dhe me perspektivë për të ardhmen. Të njëjtin favorizim do të ketë dhe fusha financiare, duke ju premtuar rritjen e të ardhurave. Një udhëtim të bukur me të dashurit apo një udhëtim, ku do të takoni dashurinë e bën javën më interesante.

DEMI

Jeni në fazën e ndryshimeve të mëdha në fushën personale apo profesionale dhe në të njëjtën kohë keni mjaft detyrime, të cilat i keni lënë varur. Ndryshimet mund të vijnë nga faktorë të jashtëm, por edhe nga vetë ju si pasojë e një ndërgjegjësimi të situatës ku gjendeni. Gjithsesi java është pozitive dhe premton shanse si në jetën tuaj erotike ashtu dhe në financat. Përfitoni nga shanset apo favorizimet që do të keni dhe përballoni me qetësi ndryshimet që vijnë. Nga data 28 korrik dhe deri në 20 gusht do të kaloni momente të bukura në shtëpinë tuaj së bashku me të dashurit, miqtë dhe të ftuar. Bëni fotografi të bukura që të kujtoni momentet unike që do të kaloni. Disa prej jush do të preokupoheni me zbukurimin e ambientit të shtëpisë.

BINJAKËT

Kjo javë është mjaft e mirë dhe me rezultate për ju, mjafton të përfitoni prej saj duke vepruar dhe duke mos u konsumuar në mendime të tepërta dhe në rishikime të situatave që ju preokupojnë. Java ju jep mundësinë të zgjidhni çështje ekonomike që keni lënë pezull, si dhe të merrni paratë që ju detyrohen të tjerët dhe që deri tani nuk kishin arritur tek ju. Në fushën profesionale do të keni shumë shanse për bashkëpunime frytdhënëse, ndërsa në jetën sentimentale do të takoni dashurinë në ambientin tuaj miqësor. Prej datës 28 korrik dhe deri në 20 gusht dëshira për flirt dhe dashuri do të jetë pjesë e jetës së përditshme duke fituar simpatinë e të tjerëve në bisedat, apo kontaktet personale, apo profesionale që do të keni.

GAFORRJA

Vazhdojnë akoma t’ju preokupojnë problemet që lindën gjatë eklipseve që sapo kaluan dhe kryesisht keni probleme me marrëdhëniet apo bashkëpunimet, të cilat nuk shkojnë siç do të dëshironit. Mos humbisni kohën dhe shfrytëzoni shanset e momentit, të cilat paraqiten si në sferën profesionale ashtu dhe në financat tuaja. Sfera financiare do të paraqesë shanse akoma më të mira prej datës 28 korrik deri në 20 gusht dhe të ardhurat tuaja do të jenë në rritje gjatë kësaj periudhe. Përqëndrohuni në përparimin dhe zhvillimin profesional.

LUANI

Kjo javë është shumë favorizuese për ju dhe madje shënon dhe fillimin e një periudhe mjaft pozitive dhe krijuese. Është momenti të preokupoheni me një projekt krijues, të filloni një hob, të dashuroheni, por mbi të gjitha të kujdesuni për çlodhjen dhe shëndetin tuaj. Lajme të gëzuara do të keni nga të dashurit dhe fëmijët. Pa bërë shumë përpjekje do të joshni dhe do tërhiqni vëmendjen e të tjerëve me kalimin tuaj. Biseda dhe kontakte intime për çështje të ndryshme do të keni gjatë javës. Plane për ndryshime në fushën profesionale do t’ju preokupojnë, të cilat do të fillojnë të bëhen më të dukshme dhe të realizueshme nga fillimi i gushtit.

VIRGJËRESHA

Është një javë e këndshme dhe me shanse për të rregulluar çështje të së kaluarës dhe të lëna pezull, të cilat do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë pas përfundimit të tyre. Përfitoni nga java për të vepruar dhe për të shfrytëzuar në favorin tuaj bashkëpunime të së kaluarës apo shanse që ishin paraqitur dhe herë tjetër, por kishin ngelur vetëm në fjalë. Nga data 28 korrik ju jepet mundësia të kaloni momente shumë të bukura larg zhurmës dhe vendeve me shumë njerëz. Intimiteti ju përshtatet më shumë dhe bën që të ndiheni më bukur. Një dashuri e fshehtë ka gjithë shanset që të zhvillohet gjatë kësaj periudhe.

PESHORJA

Kjo javë është mjaft pozitive për planet dhe projektet tuaja lidhur me biznesin apo karrierën. Mundësia për realizimin e tyre, suksesi si dhe zhvillimi profesional janë tendencat e kësaj periudhe. Nuk do t’ju mungoj dhe ndihma nga njerëz të fuqishëm apo nga të dashurit tuaj. Në të vërtetë është momenti për të shkuar me pushime, por ju duhet të vendosni fokus në sferën profesionale. Prej 28 korrikut deri në 20 gusht do të kaloni momente mjaft të bukura me miq, do të jeni shumë social dhe jeta sentimentale do të jetë e zjarrtë. Njëkohësisht me pushimet dhe argëtimin duhet të parashikoni dhe të punoni për planet dhe projektet profesionale, të cilat do t’i shikoni të realizohen nga fundi i gushtit dhe në vijim.

AKREPI

Kjo javë premton rritjen e të ardhurave financiare dhe fitime në përgjithësi. Në të njëjtën kohë paraqiten shanse për punë me shpërblim mjaft të kënaqshëm. Në sferën profesionale do të keni zhvillim dhe ngritje si dhe ndihmën e bashkëpunëtorëve apo të dashurve tuaj. Lajme të mira dhe të gëzuara do të zbukurojnë javën që po kaloni, ndërsa prej 28 korrikut dhe deri në 20 gusht do të keni shanse unike për zhvillimin e mëtejshëm të biznesit dhe karrierës suaj. Mendimet e të tjerëve do të jenë mjaft pozitive dhe ju do t’i joshni me prezencën tuaj, në këtë mënyrë mund të arrini më lehtë rezultatet e dëshiruara. Mjaft favorizuese dhe premtuese do të jetë dhe jeta juaj personale dhe sentimentale gjatë gjithë periudhës në vijim.

SHIGJETARI

Një periudhë shumë favorizuese dhe optimiste do të jetë për ju kjo javë dhe gjithë ditët në vijim deri në 20 gusht. Udhëtime të bukura, dëshirë për flirt, dashuri, argëtim dhe krijimtari përmban agjenda e ditëve që vijojnë. Jeta juaj erotike do të jetë e zjarrtë dhe disa prej jush mund të bëni një fejesë, martesë apo thjesht të bashkëjetoni. Në sferën profesionale promovoni dhe trajtoni çështjet tuaja mes kontakteve dhe bisedave, rezultatet e të cilave do t’i shikoni nga fundi i gushtit, ndërsa në fushën financiare rregulloni detyrimet ndaj të tjerëve, bankave,tatimeve etj.

BRICJAPI

Është një javë e këndshme për ju, e cila ju jep mundësinë të shijoni jetën personale në intimitet larg syve të të tjerëve. Gjeni kohën të çlodheni, të relaksoheni dhe të mbusheni me energji, pasi jeni vështirësuar shumë kohët e fundit dhe do të vështirësoheni dhe në vijim. Një histori dashurie mund të zhvillohet gjatë kësaj jave, e cila nuk përjashtohet mundësia të marr përmasa më të mëdha nga ato që mendoni. Në marrëdhëniet ekzistuese do të hyni në bisedë me të dashurit tuaj dhe do të gjeni zgjidhje për problemet që ekzistojnë duke ardhur në këtë mënyrë më afër njëri tjetrit. Në sferën profesionale biseda dhe bashkëpunime që ju kishin preokupuar në të kaluarën do të gjejnë zgjidhje, madje do të jenë dhe frytdhënëse.

UJORI

Mjaft pozitive dhe premtuese do të jetë për ju kjo javë për sa i përket marrëdhënieve dhe bashkëpunimeve tuaja. Kjo do të ndihmojë shumë në sferën profesionale duke ju dhënë një shtytje të mëtejshme drejt zhvillimit dhe përparimit. Ndërkohë kërkohet prej jush të bëni një riorganizim të programit, të punës dhe të jetës tuaj të përditshme. Sugjerime, që ju ishin bërë dhe në të kaluarën do të dalin prapë përpara jush, prandaj të jeni vigjilent dhe të përfitoni prej tyre. Prej 28 korrikut dhe deri në 20 gusht do të keni mundësi të dashuroheni dhe të krijoni lidhje me perspektivë. Ju të tjerët do të kaloni më bukur me të dashurit tuaj duke i kushtuar më shumë kohë njëri tjetrit. Të njëjtin favorizim do të kenë dhe bashkëpunimet lidhur me punën apo biznesin tuaj. Pranoni ftesat që do t’ju bëhen dhe përfitoni nga mundësitë që do t’ju jepen.

PESHQIT

Mundësi dhe perspektivë për zhvillim dhe përparim në sferën profesionale do të sjell kjo javë. Puna që keni bërë dhe përpjekjet për organizimin e saj do të njihen dhe do të shpërbleheni për atë. Lajme të mira do të keni nga të dashurit dhe fëmijët tuaj, ndërsa në jetën sentimentale do të takoheni apo do të rilidheni me persona të së kaluarës duke kujtuar me nostalgji momentet e bukura që kishit kaluar. Java është mjaft premtuese për jetën personale dhe sentimentale, ndërkohë që periudha nga 28 korrik deri në 20 gusht bën më të bukur, më interesante dhe më premtuese jetën e përditshme dhe punën tuaj. Gjatë kësaj periudhe mund të preokupoheni më shumë me shëndetin tuaj dhe me programimin e një mënyre jetese sa më të shëndetshme. /revistawho.com