• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 18 deri në 25 mars

Kjo javë është e rëndësishme përsa i përket mundësive që do të na rijepen për zhvillim të mëtejshëm, por mbi baza dhe kushte të reja. Do të kemi perspektivë dhe mundësi për zgjidhje në tema dhe çështje kryesore të jetës, por veçanërisht në ato financiare. Prej kësaj jave dhe për 15 ditë rëndësi të veçantë do të marrin marrëdhëniet personale, apo profesionale, si dhe mënyra se si do t’i trajtojmë ato. Nga data 22 mars dhe deri në 4, 5 prill të jemi të kujdesshëm në komunikim me qëllim që të shmangim keqkuptimet dhe të kujdesemi më shumë për ruajtjen e sendeve tona. Kjo javë është mjaft erotike, por dhe premtuese për financat tona.

DASHI

Gjërat në sferën profesionale shkojnë mirë dhe ju shpërbleheni për përpjekjet dhe punën tuaj. Në sferën financiare paraqiten shanse të reja, të cilat ju rrisin entuziazmin dhe shikoni të ardhmen me tjetër këndvështrim. Kjo nuk do të thotë se ju mund të shpenzoni pa kontroll. Me hënën e plotë përballë jush në 21 mars do t’ju preokupojnë marrëdhëniet kryesisht personale duke nxjerr në pah probleme atje ku ekzistojnë. Disa të tjerë do të jeni të përkushtuar tek një person që është interesant apo i rëndësishëm për ju. Gjeni ekuilibrin dhe mos u bëni të njëanshëm. Mos u jepni rëndësi atyre që do të dëgjoni.

DEMI

Gjatë kësaj jave shmangni bisedimet lidhur me çështje praktike të jetës suaj të përditshme, pasi nuk do të arrini synimet që keni. Prej të enjtes dhe për 15 ditë përvishuni punës dhe programit tuaj të përditshëm, me qëllim që të mos ju jepni shkak diskutimeve që më vonë mund t’ju kushtojnë. Do të takoni shumë shok e miq gjatë periudhës në vijim, nëpërmjet të cilëve do të keni të dhënat që ju duhen për punën apo biznesin tuaj. Lajme të mira do të keni nga e marta deri të enjten.

BINJAKËT

Prej kësaj jave dhe për 15 ditë do të dëgjoni shumë komente rreth vetes suaj, por mirë është të mos u jepni rëndësi. Mos nxirrni konkluzione subjektive dhe mos zmadhoni situatat në lidhje me lajmet që do të merrni, pasi e vetmja gjë që mund të bëni është të mërzisni veten. Në jetën sentimentale do të keni mundësinë të njiheni me persona dhe të krijoni lidhje që kanë të ardhme dhe perspektivë. Të njëjtin favorizim kanë dhe marrëdhëniet profesionale. Entuziazmi dhe besimi në vetvete janë faktorë shumë pozitivë, mjaft të mos kaloni kufijtë. Kujdesuni për shëndetin dhe organizoni sa më mirë rutinën e përditshme.

GAFORRJA

Kjo javë ju premton mundësi dhe ndihmë në promovimin tuaj social dhe profesional, mjafton që ju të jeni elastikë në propozimet që ju bëhen dhe të mos këmbëngulni në planet tuaja. Përsa i përket jetës sentimentale, ju që jeni në një marrëdhënie serioze dhe të testuar do të kaloni në formalizimin e saj, ndërkohë ju të tjerët, hëna e plotë në shenjën e Peshores nuk do t’ju lërë indiferentë dhe pa probleme. Nga e mërkura dhe për 15 ditë do të preokupoheni me botën tuaj shpirtërore dhe me familjen. Mos u mbyllni në vetvete duke u larguar nga kontaktet e zakonshme, pasi periudha premton ndihmë, ndryshime në ritmin e jetës së përditshme.

LUANI

Në fushën profesionale sukseset do të jenë të dukshme pasi jo vetëm do të themeloni ato që keni arritur, por dhe do të shpërbleheni për ato duke ju udhëhequr në përmirësimin e jetës suaj. Prej kësaj jave dhe për 15 ditë mund të bëni një program afatshkurtër për jetën tuaj, mjafton të keni parasysh hollësirat lidhur me të. Mos lejoni të tjerët të fusin hundët në planet tuaja profesionale. Jeta sentimentale është shumë premtuese dhe ju ofron dashuri dhe lidhje serioze, ndërkohë që nuk do të mungojnë problemet në marrëdhëniet ekzistuese apo dëshira për peripeci. Kujdesuni për shëndetin!

VIRGJËRESHA

Erdhi momenti të flisni hapur dhe me sinqeritet me njeriun tuaj apo bashkëshortët për problemet që ju preokupojnë midis jush, apo në lidhje me fëmijët, pasi vetëm në këtë mënyrë do të arrini në zgjidhjen e tyre. Java mund t’ju stresoj në realizimin e detyrimeve dhe të planeve tuaja, por nuk ka arsye shqetësimi. Bëni një programim më të mirë jo vetëm të javës apo të rutinës, por dhe të financave tuaja duke shmangur shpenzimet e tepërta. Disa prej jush do të preokupohen me dekorimin apo përmirësimin e ambientit të shtëpisë. Përsa i përket jetës sentimentale një person do të tërheq vëmendjen dhe interesin tuaj, por mos u angazhoni në asnjë premtim deri në 5 prill.

PESHORJA

Tashmë ju jepet mundësia të çliroheni nga pengesa apo bllokime që ekzistojnë në sferën ekonomike, prandaj shfrytëzojeni në maksimum atë. Pavarësisht nga favorizimi në financat tuaja nuk është momenti të investoni veçanërisht në qoftë se nuk jeni absolutisht të sigurtë për rezultatin. Me Hënën e plotë në shenjën tuaj në datën 21 të muajit problemet e marrëdhënieve dalin në sipërfaqe, nuk ndiheni të kënaqur nga jeta juaj erotike dhe sentimentale. Ndoshta këto ndjenja, jo dhe aq pozitive, nuk kanë bazë dhe janë prodhim i psikologjisë suaj, prandaj mos u nxitoni të vlerësoni gabim situatën. Pranoni ftesat që ju bëhen pasi aty do të takoni personin që ju intereson.

AKREPI

Ndoshta lodhja dhe detyrimet e larta ju udhëheqin në nervozizëm dhe nxitim, prandaj ruani gjakftohtësinë dhe mos ngarkoni problemet tuaja tek të tjerët. Të jeni sa më tipikë në punën tuaj dhe mos reagoni në komentet që mund të dëgjoni. Gjeni kohën dhe mënyrën për çlodhje dhe relaksim dhe mos i lejoni vetes ulje psikologjike. Financat tuaja janë mjaft premtuese duke rritur të ardhurat nga burime të ndryshme. Pavarësisht nga kjo mirë është të mos investoni, pasi nuk keni qartësi dhe me saktësi do të udhëhiqeni në gabime.

SHIGJETARI

Kjo javë ju jep mundësinë për krijimin e marrëdhënieve profesionale me interes, përmes të cilave do të rrisni dhe të ardhurat tuaja. Gjithsesi financat do të njohin ngritje gjatë kësaj periudhe, mjafton të shmangni optimizmin e ekzagjeruar dhe të jeni të kujdesshëm në sjelljen me kolegët. Dëshira për flirt dhe për komunikim mund të shkaktoj xhelozi tek të dashurit tuaj, por ka dhe anën pozitive në lidhje me fushën profesionale. Ruani një ekuilibër dhe mos e teproni. Nga data 22 deri në 5 prill ju të lindurit në dhjetëditëshin e dytë të shenjës nuk do të keni kthjelltësi, prandaj të jeni të kujdesshëm në veprimet kryesisht ekonomike dhe në ruajtjen e sendeve për të mos i humbur.

BRICJAPI

Fryn erë optimizmi për ju, të keni besim dhe të investoni tek jeta në përgjithësi, pasi këtë radhë vijnë perspektiva më të mira. Në fushën profesionale do të keni zhvillim, ndërsa në atë financiare do të keni një burim të ri të ardhurash, por dhe mbështetje apo ndihmë në çështje që deri tani nuk shkonin mirë. Megjithatë tregoni kujdes në menaxhimin e financave pasi nuk është momenti të vlerësoni saktë gjërat. Kujdes në drejtimin e automjetit nga data 22 mars deri në 4 prill.

UJORI

Gjatë kësaj jave do të krijoni kontakte me persona, përmes të cilëve do të merrni të dhëna dhe do të nxirrni konkluzionet e duhura për punën apo biznesin tuaj. Megjithatë tregohuni të kujdesshëm në vendimet që do të merrni dhe sigurohuni për informacionet që do të keni. Java ju jep shanse në të gjitha drejtimet, por ju nuk duhet të veproni në mënyrë të nxituar nën ndikimin e ambientit apo të personave të tjerë. Vlerësoni saktë situatën financiare dhe mos hyni në marrëdhënie shitje- blerje. Është momenti të çliroheni nga ngarkesa apo problemet familjare.

PESHQIT

Ndihmë në promovimin e planeve lidhur me biznesin apo punën tuaj premton kjo javë. Do të dalloheni në fushën profesionale dhe do të zhvilloni rrjetin tuaj social. Mos hyni në debate dhe mos jepni të dhëna apo diskutime të tepruara me njerëzit e ambientit apo të rrethit tuaj të afërm. Nga e enjtja deri të shtunën do të keni bisedime apo kontakte intime me persona që do t’ju ndihmojnë dhe do t’ju mbështesin në planet profesionale. Prej datës 22 dhe deri në 4 prill do të jeni mjaft sensibël dhe shumë lehtë situatat do të ndikojnë tek ju duke ju ndryshuar psikologjinë. Qëndroni larg problemeve të të tjerëve. /revistawho.com