• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 17 deri në 24 qershor

Java fillon me Hënën e plotë në shenjën e Shigjetarit, e cila i jep javës nota optimiste dhe romantike. Dëshira për të kaluar sa më bukur do të jetë e madhe dhe në fakt veçanërisht sivjet kemi shumë nevojë. Duhet të shmangim ekzagjerimet, të mos idealizojmë situatat dhe të mos lejojmë iluzionet të na largojnë nga realiteti. Gjatë javës nuk do të mungojnë dhe tensionet, kontradiktat si dhe tendencat për aksidente. Moto e javës është: Mos humbisni kontrollin! Kujdes të madh në 19 dhe 20 qershor.

DASHI

Është momenti të organizoni pushimet, mjafton t’i jepni rëndësinë e duhur dhe hollësisë më të vogël. Për këtë periudhë vendosni plane me afat të shkurtër dhe kujdesuni që të bëni zgjedhje sa më të mira duke lënë vendimet e mëdha t’i merrni nga shtatori, pasi entuziazmi që do të ndjeni gjatë kësaj periudhe mund t’ju udhëheqë në gabime. Vështirësitë dhe konfliktet në 19 dhe 20/6 nuk do të mungojnë as nga ambienti familjar dhe as nga fusha profesionale, por ju duhet të vendosni një ekuilibër mes tyre dhe veçanërisht të ruani gjakftohtësinë dhe kontrollin me qëllim shmangien e pasojave që ndoshta më vonë është vështirë të korrigjohen. Mos bëni lëvizje të nxituara në sferën financiare.

DEMI

Në përgjithësi gjatë javës do të ndjeheni mjaft mirë për sa i përket anës psikologjike dhe kjo do t’ju shtyjë të bëni shpenzime të shumta për veten, paraqitjen dhe imazhin tuaj. Ekziston mundësia të ekzagjeroni dhe të dilni jashtë planeve tuaja. Dëshirat do të jenë të shumta, por ju duhet të vendosni kufijtë, pasi shumë shpejt mund të largoheni nga qëllimi kryesor duke u shpërndarë në iluzione. Në datat 19 dhe 20 të muajit duhet të jeni të kujdesshëm në mënyrë që të shmangni tendencën për aksidente dhe të mos hyni në debate apo kontradikta me miqtë, komshinjtë apo njerëzit e ambientit të përditshëm. Tregohuni elastikë dhe kanalizoni forcën dhe fuqinë tuaj në veprimtari produktive.

BINJAKËT

Marrëdhëniet dhe bashkëpunimet dalin në sipërfaqe dhe bëhen tema kryesore për ju gjatë kësaj jave. Marrëdhëniet profesionale, që si qëllim kryesor tani kanë kontratat financiare, kërkojnë vëmendjen tuaj veçanërisht në hollësitë dhe në shkronjat apo gërmat e vogla, pasi gjërat nuk janë kaq ideale sa duken. Vlerësoni dhe trajtoni mirë situatën në 19 dhe 20/6, sepse ekziston mundësia të hyni në konflikte për çështje ekonomike, të cilat mund të sjellin dhe fundin e një miqësie apo të një bashkëpunimi. Në jetën sentimentale do të kaloni momente të bukura dhe romantike me të dashurit tuaj, madje me fjalë dhe premtime të mëdha.

GAFORRJA

Gjatë kësaj jave do të jeni shumë të preokupuar me jetën e përditshme dhe punën tuaj. Kërkohet prej jush të jeni shumë tipikë në detyrimet ndaj punës dhe të mos hyni në diskutime apo marrëveshje të fshehta. Ditët e vështira të javës do të jenë 19 dhe 20/6 gjatë të cilave mund të hyni në mosmarrëveshje dhe kontradikta, ndoshta për çështje ekonomike me njerëzit e rrethit tuaj. Në përgjithësi gjatë këtyre ditëve duhet të ruani qetësinë, që në përgjithësi ju karakterizon, me qëllim shmangien e pasojave si në marrëdhëniet tuaja ashtu edhe në punë. Shanset dhe sugjerimet që paraqiten në fund të javës nuk janë kaq ideale sa duken.

LUANI

Entuziastë, optimistë, dinamikë dhe me dëshirë për të kaluar sa më bukur ju gjen kjo javë. Megjithatë lodhja si dhe detyrimet e shumta në jetën tuaj të përditshme ndoshta nuk do t’ju lejojnë ta shijoni sa do të dëshironit. Kontakte dhe biseda për çështje ekonomike do të keni gjatë kësaj jave, për të cilat duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mos merrni vendime lidhur me ato deri të enjten. Premtimet që do t’ju jepen në fund të javës nuk do të jenë reale dhe të realizueshme, prandaj mos u bazoni tek to. Kujdesuni për shëndetin në radhë të parë duke gjetur mënyrën t’u çlodhur pasi stresi dhe gjendja psikologjike janë disa nga arsyet që e dëmtojnë atë. Problemet që tani duken të vogla mund të bëhen kronike.

VIRGJËRESHA

Gjatë kësaj jave vëmendja juaj përqëndrohet kryesisht tek familja dhe shtëpia juaj. Dëshira për të krijuar një ambient të bukur dhe relaksues ku do të keni mundësinë të qetësoheni, të ripërtërini psikologjinë apo të merreni me botën tuaj të brendshme do të jetë e theksuar në fillim dhe në fund të javës. Mos lejoni të tjerët të prishin qetësinë dhe harmoninë familjare duke krijuar probleme që në fakt nuk kanë një bazë reale, por thjesht janë mësuar të kenë kontrollin mbi të tjerët. Çështjet financiare që do të paraqiten mund t’i trajtoni në favorin tuaj, pavarësisht nga pengesat apo vështirësitë që do të hasni. Kujdes në 19 dhe 20 /6 në trajtimin e situatës që do të paraqitet, sepse marrëdhënie apo bashkëpunime do të testohen dhe mund të marrin fund.

PESHORJA

Detyrat dhe përgjegjësitë, që do të shtohen gjatë kësaj jave, do t’ju stresojnë dhe ndoshta do të jenë shkaku i pakënaqësisë suaj. Gjithashtu bisedat apo kontaktet me qëllim rritjen dhe përmirësimin e financave nuk do të kenë rezultatet e dëshirueshme. Kujdes gjatë javës, mos hyni në marrëveshje pa hetuar mirë situatën, pasi nuk është aq ideale sa duket. Veprimet apo lëvizjet që doni të bëni të përputhen me ligjin dhe rregullat e shtetit, në të kundërt mund të gjendeni përballë me pasoja. Në fund të javës do të merreni me veten, do të jeni më të bukur dhe më joshës duke tërhequr vëmendjen e të tjerëve në kalimin tuaj. Jeta juaj sentimentale bëhet më interesante, flirti zbukuron rutinën tuaj dhe dashuria ju troket derën.

AKREPI

Në përgjithësi gjërat zhvillohen mirë për ju pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat. Vëmendja juaj gjatë kësaj jave përqëndrohet kryesisht në financat, me dëshirë për risk dhe investime. Ekziston mundësia që lëvizjet që mund të bëni apo vendimet që mund të merrni në këtë drejtim t’ju udhëheqin në gabime. Gjatë javës nuk do të mungojnë tensionet apo konfliktet, veçanërisht në 19 dhe 20/6 , të cilat ju me qëndrimin tuaj apo tendencat për të kontrolluar gjithçka mund t’i shkaktoni. Kujdesuni për shëndetin dhe gjatë drejtimit të makinës. Është vështirë të bëni një programim të financave për momentin, por gjithsesi mund të jeni më të përmbajtur në shpenzime, të cilat për momentin do të tejkalojnë kufirin.

SHIGJETARI

Gjithë qejf, plot me energji dhe shumë entuziastë ju gjen kjo javë. Preokupimi juaj kryesor do të jenë marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, ku do të keni raste dhe shanse të ndryshme, të cilat do t’ju duken ideale, por në vijim mund të ndjeheni të zhgënjyer. Duhet të jeni sa më realistë dhe të hetoni mirë situatën, në qoftë se bëhet fjalë për çështje serioze. Ju që jeni të martuar apo në një lidhje serioze mos hyni në situata që mund të sjellin probleme në marrëdhëniet tuaja. Gjithsesi probleme në ambientin familjar, që ndoshta janë kronike dhe jo të momentit, do t’ju shqetësojnë gjatë javës. Shmangni kontratat apo lëvizjet financiare prej të martës deri të enjten dhe mos merrni risk të madh në lojërat e fatit.

BRICJAPI

Nevoja për t’u çlodhur është e madhe, pasi jeni munduar shumë vitet e fundit. Duhet të gjeni mënyrën të çlodheni gjatë kësaj jave dhe tjetrës, sepse në korrik me eklipset nuk do të mundeni. Bisedat dhe kontaktet që doni të bëni gjatë javës nuk do të sjellin rezultatet e dëshirueshme, përkundrazi. Tregohuni më elastikë dhe mos impononi tek të tjerët mendimet apo vendimet tuaja absolute. Mos ushtroni presion në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja, sepse shumë kollaj mund të thyhen. Prandaj vendimet serioze apo bisedat me karakter financiar mirë është t’i lini për javën që vjen. Është momenti për relaksim dhe për të përshtatur një mënyrë jete sa më të shëndetshme.

UJORI

Ju do të jeni mjaft të komunikueshëm gjatë kësaj jave dhe në këtë mënyrë do ju jepet mundësia për një zhvillim të mëtejshëm të biznesit apo karrierës suaj. Java ju jep mundësinë të keni rezultate dhe suksese, por njëkohësisht do të keni mendime apo dëshirën për të bërë disa ndryshime në situatën ekzistuese. Mendohuni mirë dhe merrni parasysh gjithë parametrat përpara se të veproni dhe mos merrni vendime për investime gjatë kësaj jave, mundësia për lëvizje të gabuara është e madhe. Shmangni stresin dhe kujdesuni për shëndetin veçanërisht në 19 dhe 20/6. Mendimet negative dhe fobitë vetëm shëndetin mund të rëndojnë. Fundi i javës është fantastik për ju, optimist dhe entuziast me dëshirë për flirt, peripeci dhe dashuri.

PESHQIT

Në përgjithësi është një javë e mirë për ju, pavarësisht nga vështirësia e ditëve 19 dhe 20/6. Gjatë këtyre dy ditëve duhet të tregoheni të kujdesshëm dhe të veproni me strategji duke sjellë gjërat atje ku dëshironi, në qoftë se doni të ruani marrëdhëniet apo bashkëpunimet që ju interesojnë. Kryesorja për ju gjatë kësaj jave është që të mos largoheni nga qëllimi kryesor dhe kjo arrihet duke qenë sa më afër realitetit dhe duke mos idealizuar situatat. Entuziazmi dhe siguria e tepërt udhëheqin me saktësi në gabime. Është momenti të zgjidhni problemet familjare edhe pse mund të jenë të vogla dhe mbi të gjitha të vendosni një ekuilibër midis familjes dhe karrierës, në këtë mënyrë ankesat e të dashurve shmangen. /revistawho.com