• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 16 deri në 22 shtator

Jemi duke kaluar një javë të qetë në krahasim me periudhën e kaluar, megjithëse jemi akoma nën ndikimin e Hënës së plotë që u zhvillua në 14 shtator, e cila krijoi një ambient të turbullt dhe solli vështirësi, pengesa dhe zhgënjim. Gjatë kësaj jave do të kemi tendencë të vlerësojmë gabim gjërat apo situatat duke i parë ato te ekzagjeruara dhe jo në përmasat reale. Megjithatë duke filluar prej kësaj jave dhe deri në fund të vitit  do të jetë më e qartë  dhe më e programuar për secilin prej nesh jeta në përgjithësi dhe vepra jonë në çdo drejtim. Nga e mërkura dhe deri të shtunën do të kemi mundësinë të promovojmë me sukses çdo gjë që na preokupon, ndërsa në 22 dhe 23 shtator komunikimi mes nesh është i vështirë, ndërkohë që mendimet negative dhe kokëfortësia janë të theksuara. Mos hyni në diskutime serioze dhe mos merrni vendime gjatë këtyre dy ditëve.

DASHI

Mos u jepni situatave përmasa më të mëdha se ato ekzistuese sepse kjo ju streson. Nga e mërkura dhe deri të shtunën promovoni karrierën dhe punën tuaj, ndërsa në 22 dhe 23 shtator tregohuni të kujdesshëm gjatë bisedimeve pasi nuk është ditë e përshtatshme për to. Disa prej jush do të shpërblehen për punën dhe mundin e deri tanishëm.

DEMI

Projektet dhe rruga për realizimin e tyre prej kësaj jave janë më të qarta dhe pa pengesa, madje mund të mbështeteni dhe në ndihmën e një personi me potencë mjaft të mos bazoheni totalisht aty. Nga e mërkura deri të shtunën organizoni një udhëtim, i cili do t’ju japë mundësinë jo vetëm të kaloni bukur, por të takoni dhe dashurinë. Në 22 dhe 23 shtator shmangni gabimet dhe keqkuptimet ne jetën e përditshme.

BINJAKËT

Te ndjeshëm, të hallakatur dhe plot dyshime do të kaloni ketë javë. Mos u ndikoni nga persona apo situatat që do të hasni. Sfera financiare do të fillojë të funksionojë në mënyrë më të organizuar, ndërsa disa nga problemet e familjes apo të shtëpisë suaj do të gjejnë zgjidhje nga e mërkura dhe deri të shtunën. Ekziston mundësia që disa prej jush të ndërrojnë punë. Kujdesuni për anën tuaj psikologjike në 22 dhe 23 shtator.

GAFORRJA

Tregoni korrektësi në punë dhe në jetën tuaj të përditshme. Do të keni mundësinë të vlerësoni dhe të trajtoni ashtu siç duhet dhe në favorin tuaj marrëdhëniet dhe bashkëpunimet, nga e mërkura dhe deri të shtunën, ndërkohë që ju jepen mjaft shanse  dhe  në sferën profesionale. Dashuria dhe pasioni nuk do të mungojnë gjatë kësaj periudhe. Komunikimi do të jetë problematik në 22 dhe 23 shtator dhe nuk është nevoja të nxitoheni të nxirrni konkluzione.

LUANI

Asgjë nuk ju kënaq dhe ndoshta për të plotësuar këtë boshllëk do të hyni në shpenzime të tepërta dhe pa vend. Në fushën profesionale situata  fillon të bëhet më qartë dhe pa pengesa dhe ju do të forconi pozitat në të. Nga e mërkura dhe deri të shtunën keni mundësinë të rrisni të ardhurat ose të gjeni një burim të ri për përmirësimin e tyre. Shmangni gabimet në 22 dhe 23 shtator dhe tregohuni korrekt për të mos qenë ju arsyeja e anulimit të takimit.

VIRGJËRESHA

 

Nën ndikimin e Hënës së plotë përballë jush ndoshta jeni në një fazë me probleme në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja. Gjithsesi imazhi që keni për situatën nuk është i kthjellët dhe ju jeni nën ndikimin e ambientit dhe të njerëzve që ju rrethojnë. Gjithsesi nga e mërkura dhe deri të shtunën do të keni mundësinë  të zgjidhni disa nga çështjet që ju preokupojnë lidhur me to. Ju të tjerët, të interesuarit e shenjës, do të krijoni një lidhje të re dashurie. Mos merrni vendime në 22 dhe 23 shtator, mos investoni dhe mos u bazoni tek të tjerët.

PESHORJA

Jepni rëndësinë e duhur problemeve që do të dalin gjate javës dhe mos i trajtoni ato në mënyrë sipërfaqësore. Shumë të lodhur dhe të munduar jeni nga problemet dhe përgjegjësitë e familjes kohët e fundit, por nga e mërkura deri të shtunën ju jepet mundësia të zgjidhni disa prej tyre. Do të ndiheni disi të çliruar edhe pse ato mund të mos kenë marrë plotësisht fund. Shmangni nervozizmin në 22 dhe 23 shtator dhe mos merrni vendime.

AKREPI

Optimizmi juaj në lidhje me financat mund t’ju udhëheqë në shpenzime dhe kryesisht në investime, të cilat në qofte se jeni të vendosur t’i bëni hetojini mirë se ndoshta nuk do të ngeleni të kënaqur nga rezultatet. Nga e mërkura dhe deri të shtunën të jeni mjaft social, të kontaktoni miq dhe të njohur, të cilët do të ndihmojnë në realizimin e projekteve tuaja dhe në shtimin e klientelës. Lajmet apo ato që do të dëgjoni ne 22 dhe 23 shtator nuk do t’ju pëlqejnë.

SHIGJETARI

Merrni seriozisht problemet familjare që mund të lindin edhe pse mund të mos jenë shumë të mëdha. Mënyra se si i shikoni gjërat apo situatat në këtë periudhë nuk është afër realitetit dhe ju jeni më optimistë se sa duhet. Në sferën financiare do të filloni të keni stabilitet dhe nga e mërkura deri të shtunën keni mundësi të mëdha për përmirësimin e të ardhurave, ndërsa në 22 dhe 23 shtator shmangni shpenzimet dhe lëvizjet ekonomike.

BRICJAPI

Jeta juaj ka ndryshime të mëdha gjithë këto vitet e fundit dhe shumë prej jush kane mbyllur apo mbyllin një kapitull duke filluar diçka tjetër të re. Me pak fjalë ju bëni një ‘restart’. Përgjegjësitë dhe pengesat ndoshta nuk kanë mbaruar për të gjithë, por gjithsesi nga e mërkura dhe deri te shtunën do të keni mundësinë të përfitoni nga shanset për të realizuar me sukses ato që ju dëshironi. Mos hyni në debate me eproret në 22 dhe 23 shtator dhe mos bëni diskutime serioze.

UJORI

Prej kësaj jave ju jepet mundësia të programoni më mirë jetën tuaj të përditshme dhe të shikoni realitetin me një sy tjetër, më pozitiv për ju. Nuk do të mungojë dhe mbështetja nga personat e duhur. Në qoftë se keni probleme lidhur me pronën apo pasurinë mirë është të merreni me zgjidhjen e tyre më vonë. Java, veçanërisht nga e mërkura deri të shtunën, ju jep mundësinë të krijoni lidhje erotike te reja, ndërsa ne 22 dhe 23 shtator mos hyni në biseda dhe takime intime apo sekrete.

PESHQIT

Gjatë kësaj jave, veçanërisht nga e mërkura deri të shtunën, ju jepet mundësia të krijoni një rreth shoqëror të ri, të takoni persona të fuqishëm, me të cilët do të krijoni bashkëpunime apo marrëdhënie që do të ndikojnë pozitivisht dhe fuqimisht në realizimin e projekteve tuaja.  Qëndroni më afër realitetit duke vlerësuar më objektivisht situatat dhe kontrolloni entuziazmin apo optimizmin tuaj, që disa herë është më i madh se sa duhet, me rrezik të udhëhiqeni në gabime.