• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Horoskopi

Parashikimi i yjeve për javën 15-21 prill

Java fillon bukur me një favorizim dhe optimizëm të veçantë. Fillimi i javës është mjaft pozitiv për marrëdhëniet njerëzore në përgjithësi, personale apo profesionale, si dhe për çështje ekonomike. Mos qëndroni vetëm në entuziazmin e ditëve, por përpiquni të rregulloni çështjet që ju preokupojnë duke shmangur dhe shpenzimet e tepërta, pasi ekziston dhe kjo tendencë gjatë këtyre ditëve. Në 19 prill zhvillohet Hëna e plotë në shenjën e Peshores, duke vendosur theksin në marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tona, të cilat do të marrin një rrjedhë të papritur në ditët që vijojnë. Gjithashtu, prej kësaj jave dhe deri në fillim të majit do të shohim zhvillimin e projekteve apo situatave që filluan me Hënën e re në 5 prill. Së fundmi, me kalimin e Mërkurit në shenjën e Dashit, nga e mërkura dhe deri në 6 maj, ekziston tendenca të nxjerrim konkluzione të nxituara.

DASHI
Fillimi i javës ju gjen mjaft optimistë dhe entuziastë me tendenca ekzagjerimi në çdo drejtim. Mos humbisni favorizimin e ditëve, kryesisht në fushën e marrëdhënieve dhe të financave. Hëna e plotë përballë jush nxjerrë në pah probleme që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dhe bashkëpunimet tuaja dhe ndikon kryesisht të lindurit në ditët e fundit të shenjës. Me kalimin e Mërkurit në shenjën tuaj, jeta juaj e përditshme dhe organizimi i saj del në plan të parë, duke ju bërë më të komunikueshëm, por dhe më të nxituar. Jeta juaj sentimentale bëhet më interesante dhe ju përqëndroheni akoma më shumë tek të dashurit apo tek personi që ju intereson, prej të premtes dhe pothuajse për një muaj në vazhdim.

DEMI
Fillimi i javës është mjaft pozitiv për të ardhurat tuaja pasi premton një ndihmë apo një ofertë në formë investimi nga bashkëpunëtorë, banka apo burime të tjera. Ndërkohë duhet të jeni të jeni të matur dhe të mos e teproni. Ju të tjerët që jeni të interesuar për të bërë investime në shtëpi mirë është të bëni një plan deri të martën, por ta vendosni në zbatim nga e mërkura. Nga data 19 dhe në vazhdim ju pret shumë punë me rezultate të kënaqshme, por dhe ndihmë nga persona me potencë. Në të njëjtën kohë do të jeni të zhytur në mendime, pa dëshirë për të shprehur mendimet apo shqetësimet tuaja. Kujdesuni për shëndetin dhe shmangni thashethemet dhe prapaskenat.

BINJAKËT
Shfrytëzoni fillimin e javës për të krijuar kontakte, të cilat do t’ju sjellin bashkëpunime, që ndihmojnë në realizimin e synimeve tuaj. Kjo javë ju jep mundësinë të bëni një hapje më të madhe në biznesin apo punën tuaj përmes kontakteve që do të keni me miq apo të njohur. Dëshira për komunikim apo për të qenë social rritet akoma më shumë nga e enjtja dhe në vijim, duke ju dhënë mundësinë të argëtoheni dhe të dashuroheni. Shmangni ankthin dhe stresin dhe mos u bëni më shumë antagonistë seç duhet.

GAFORRJA
Fillimi i javës ka një optimizëm të veçantë që mund t’ju udhëheq me lehtësi në gabime, kryesisht në punë të cilat mund t’ju kushtojnë pak. Nga e mërkura dhe në vijim çështjet e punës apo të karrierës suaj bëhen akoma më të theksuara dhe prej datës 21 situata zhvillohet në favorin tuaj në këtë fushë. Shmangni bisedat e tepërta dhe mendohuni përpara se të flisni. Hëna e plotë në 19 prill ndikon kryesisht të lindurit në ditët e fundit të shenjës dhe nxjerr në sipërfaqe probleme familjare apo çështje lidhur me shtëpinë tuaj, duke kërkuar prej jush një ekuilibër midis karrierës dhe familjes. Probleme apo ngjarje të papritura mund të ndryshojnë përkohësisht situatën apo planet tuaja, ndërkohë që nuk do të mungojnë kontradiktat në marrëdhëniet apo bashkëpunimet.

LUANI
Kjo javë është e përshtatshme për rritjen e të ardhurave dhe për lëvizje të tilla në fushën profesionale, të cilat do të sjellin përmirësimin e financave në vijim. Fati është me ju, por dhe ju duhet të jeni të kujdesshëm dhe të mos e teproni në shpenzimet, veçanërisht në fillim të javës. Nga e mërkura fillon për ju një periudhë, e cila do të zgjasë një muaj dhe do të sjell biseda, kontakte, udhëtime, hapjen e horizontit të dijeve si dhe njohje me persona që nuk do t’ju lënë indiferent. Ndoshta një marrëdhënie apo një bashkëpunim mund t’ju preokupojë gjatë javës, ndërkohë që kërkohet të jeni korrekt në punën dhe programin tuaj.

VIRGJËRESHA
Kjo javë, sidomos në fillim të saj, kërkon vëmendjen tuaj në çështje ekonomike që kanë të bëjnë me të tjerët, bashkëpunëtorë, banka, tatime. Mund të bëni lëvizje, pasi e hëna dhe e marta janë ditë që favorizojnë, mjafton që të shmangni ekzagjerimet dhe gabimet. Hëna e plotë në datën 19 të muajit vendos theksin në nevojën për një programim dhe organizim ekonomik me qëllim përballimin e detyrimeve të papritura që mund të dalin. Nga e mërkura dhe deri në 6 maj ndoshta do të bëheni më pretendues në dëshirat tuaja, gjë që mund t’ju shkaktojë dhe një nervozizëm të tepruar, mbyllje në vetvete dhe pastabilitet psikologjik. Nga 21 prilli, të ardhurat financiare përmirësohen dhe ndihma nuk do të mungoj.

PESHORJA
Fillimi i javës është mjaft premtues dhe entuziast, prandaj mirë është të përfitoni, por pa pasur siguri të tepruar. Hëna e plotë në shenjën tuaj ju vendos në qendër të mikroskopit dhe në asnjë mënyrë, nuk mund të kaloni pa u vënë re. Jepni kujdesin e duhur në plotësimin e rolit që keni marrë përsipër si dhe në marrëdhëniet apo bashkëpunimet, veçanërisht ju të lindurit në ditët e fundit të shenjës, pasi ato mund të marrin një drejtim të papritur. Gjithsesi, me kalimin e Mërkurit dhe disa ditë më vonë të Venusit në shenjën e Dashit dhe në shtëpinë tuaj të shtatë, marrëdhëniet dhe bashkëpunimet marrin interes të veçantë. Bisedimet, kontaktet për realizimin e qëllimeve tuaja profesionale do të jenë të shumta, por dhe agjenda e jetës suaj sentimentale do të jetë e pasur. Për ju të interesuarit e shenjës është momenti të gjeni të dashurit tuaj, ndërsa ju të tjerët të ripërtërini marrëdhëniet ekzistuese.

AKREPI
Në fillim të javës do të jeni të preokupuar me çështje financiare apo investime që doni të bëni, të cilat janë të favorizuara, mjafton të jeni të kujdesshëm dhe të shmangni ekzagjerimet. Gjithsesi financat tuaja favorizohen gjatë gjithë vitit, por këtë javë të ardhurat mund të arrijnë tek ju andej nga nuk e prisni. Kryesorja për këtë periudhë është të gjeni kohën të çlodheni dhe të qetësoheni, larg stresit të jetës së përditshme, e cila bëhet më e ngarkuar nga data 16 dhe në vijim. Probleme familjare nuk do të mungojnë gjatë javës, ndërsa puna dhe jeta e përditshme bëhen më të këndshme nga e diela dhe në vijim. Përshtatni një mënyrë jetese sa më të shëndetshme.

SHIGJETARI
Fillimi i javës ju gjen mjaft entuziastë, optimistë, ambicioz dhe në fakt jeni të favorizuar në çdo drejtim mjaft të mos bëni gabime si rezultat i sigurisë së tepërt që ndjeni. Gjatë kësaj periudhe do të jeni mjaft social duke krijuar kontakte me persona të rëndësishëm, të cilët do të ndihmojnë në realizimin e projekteve dhe planeve tuaja ekonomike. Prej kësaj jave do të afroheni më shumë me të dashurit dhe fëmijët, ndërkohë që do të kujdeseni më tepër për veten duke gjetur kohë për t’u argëtuar. Flirti dhe dashuria, që asnjëherë nuk mungojnë nga jeta juaj, këtë herë do të jenë dhe më të theksuara.

BRICJAPI
E vërteta është se ndjeni përgjegjësi të madhe, por dhe vështirësi kohët e fundit, veçanërisht ju të lindurit në dhjetëditëshin e tretë të shenjës. Ndërsa për ju të lindurit në dhjetëditëshin e parë, që tashmë vështirësitë i keni kaluar, vjen një periudhë e re me ndryshime pozitive, e cila do bëhet më e ndjeshme nga fundi i kësaj jave. Megjithatë do të thosha se pavarësisht nga vështirësitë që ekzistojnë, keni mbrojtje dhe fati ju ndihmon në momentin që do të keni nevojë. Madje një ndihmë ekonomike mund të keni në fillim të javës. Hëna e plotë në 19 prill vendos theksin në biznesin, karrierën apo punën tuaj, duke sjellë ndryshime të papritura apo probleme. Familja apo shtëpia do t’ju preokupojnë mjaft prej kësaj jave dhe në vijim, prandaj është e domosdoshme të vendosni një ekuilibër midis punës dhe jetës tuaj personale. Nga data 20 puna dhe jeta juaj e përditshme do të bëhen më të këndshme dhe do të japin rezultate.

UJORI
Në fillim të javës do të jeni të preokupuar me investime që doni të bëni dhe për të cilat duhet të jeni të kujdesshëm, të matur dhe të mos e teproni. Java favorizon bisedat dhe kontaktet, prej të cilave do të gjeni zgjidhje për ato që ju preokupojnë dhe ju interesojnë. Me Hënën e plotë në shenjën e Peshores në datën 19 të muajit do të bëni ndryshime, projekte për të ardhmen dhe do të organizoni një udhëtim. Jeta sentimentale premton flirt, dashuri dhe persona të rinj në jetën tuaj.

PESHQIT
Fillimi i javës është shumë premtues për biznesin apo karrierën tuaj. Shumë prej jush do të shpërbleheni me një post më të lartë pune ose bonus. Me Hënën e plotë në 19 prill çështjet ekonomike do të dalin në sipërfaqe, duke ju preokupuar dhe duke kërkuar zgjidhje prej jush. Në përgjithësi, prej datës 16 dhe për një muaj, financat tuaja do të jenë tema e bisedës me bashkëshortin/en dhe bashkëpunëtorët tuaj. Gjithsesi financat do të favorizohen dhe do të kenë rritje gjatë periudhës në vijim, pa përjashtuar dhe detyrime të papritura që mund të dalin. /revistawho.com

CLOSE
CLOSE