Është publikuar një vit më parë, por deri më tani filmin “Gjyshja” të Eduart Grishajt patën mundësi ta shihnin vetëm të ftuarit e natës së premierës. Sot filmi u publikua online dhe mund të shihet prej të gjithëve.
Këtë e bëri të ditur Arbana përmes postimeve në Instagram dhe vetëm pak minuta pasi moderatorja bëri këtë njoftim, serveri ka rënë nga numri i madh i klikimeve, ç’ka tregon interesimin e madh të publikut për ta parë.
“Gjyshja”, një film me metrazh të shkurtër është debutimi i parë i Eduartit në botën e filmit dhe në të luajnë artistë të mëdhenj si Ema Andrea, Rita Gjeka, Çun Lajçi.
Në premierën e filmit, Eduarti deklaroi se është inspiruar nga Malësia e Madhe dhe Arbana ka qenë ajo që e ka udhëhequr drejt këtij vendimi për realizimin e filmit.
“Këtë film e kemi bërë me shumë dashuri dhe vërtet ashtu është bërë, kjo dhe si meritë e vendit në të cilin xhironim në malësinë e madhe, vend i cili ka ndodhur dhe ngjarja vërtet, nga e cila jam inspiruar. Kur kam qenë në hapat e para të hulumtimit të një filmi, me një histori shqiptare kam biseduar me shumë persona, përfshirë këtu edhe profesorët e mi të universitetit të arteve të masterit, por po e veçoj një bisedë me njërin i cili nuk është këtu me ne sonte, me profesor Gjergj Xhuvanin i cili më thoshte: “Edi mos shko shumë larg për të kërkuar një histori për filmin tënd sepse çdo njeri e ka nga një histori dhe dramë brenda shtëpisë së tij, e çdo regjisor që ka ambicie për t’u bërë i madh mund ta kthejë atë në film”-ka thënë Grishaj.
“Nëse unë kam një gjë të mirë, ajo është Arbana Osmani”, përfundoi regjisori.