PRP i referohet “plazmës së pasur me trombocite”, e cila prodhon një efekt rinues dhe elasticizues në lëkurën tuaj. Terapia me PRP përdor plazmën e pasur me trombocite (plazmën dhe trombocitet tuaja të marra nga një kampion gjaku vetjak), për të stimuluar kolagjenin dhe për të përmirësuar dukjen e lëkures dhe elasticitetin e saj. Është një trajtim shumë i rëndësishëm për lëkurën, sidomos në zonën rreth syve, qafë, dekolte, gjithë fytyrën dhe duart. Përgjithësisht nevojitet një trajtim në muaj për 3-4 muaj.
Trajtimi zgjat 1 orë. Një protokoll i plotë trajtimi përfshin 3-4 seanca me distancë kohore deri në 1 muaj, dhe rezultatet mund të mirëmbahen me një trajtim në 6-12 muaj, në varësi të specifikave të lëkurës.
Është një trajtim shumë i sigurt, pikë së pari sepse përdoret gjaku juaj, kështu që nuk ka shanse për ndonjë reaksion alergjik, ose efekte anësore serioze. Gjithsesi krahasuar me botox-in, kjo terapi ka një periudhe rekuperimi post-procedurës më të zgjatur. Ënjtja dhe skuqja në zonat që injektohet është e zakonshme, dhe mund të bëhet akoma me e dukshme në zonën përreth syve, zakonisht për 24 orët e para. Pak nxirje e lëkurës, është gjithashtu e pritshme, e cila mund të mbulohet me make-up 24 orët e para, dhe mund të zhduket gradualisht pas 1-2 javësh.
Çfarë është terapia me plazëm?
Plazma e pasur me trombocite merret nga gjaku juaj. Trombocitet janë rruazat e gjakut që ndalojnë hemorragjinë kur ju vriteni. Funksioni tjetër i tyre është të promovojnë shërimin e shpejtë të plagëve duke aktivizuar qelizat e rritjes. Procedura kryhet duke marrë një sasi të vogël gjaku nga trupi juaj (ashtu siç bëhet në marrjen e një analize të zakonshme gjaku), dhe duke e vendosur atë në një proces centrifugimi (me aparatura te posaçme), për të ndarë rruazat e kuqe të gjakut nga trombocitet apo pllakëzat e gjakut. Kjo PRP që centrifugohet, injektohet më pas në lëkurë, me një sërë injeksionesh të vogla.
Trajtimi me PRP është diçka që njihej edhe më parë në botë, si terapi efikase për të bërë përshpejtimin e shërimit të plagës në kirurgji dhe në traumat sportive.
TERAPIA ME PLAZËM ËSHTË IDEALE PËR:
– Rrudhat
– Përmirësimin e dukjes së lekurës
– Lëkura e thatë pa shkëlqim
– Stimulimin e rritjes së flokut, rënien e flokut dhe flokët e hollë
ZONAT KU PËRDORET MË SHPESH:
Gjithë fytyra
Qafa
Zona përreth syve
Dekolteja
Duart
SA KOHË ZGJAT REZULTATI ME PRP?
Rezultatet e trajtimit variojnë, por në momentin që indi rigjenerohet, ky rezultat mund të jetë i përhershëm. Megjithatë ndërsa ne plakemi, problematika bëhet më e shprehur, dhe mund të duhet një mirëmbajtje e cila mund të bëhet 1 herë në 9-18 muaj.
SI TË PËRGATITEMI PËRPARA TERAPISË ME PRP
Nëse doni rezultat është mirë të evitoni duhanin. Mos përdorni drogëra, evitoni alkolin e tepërt, dhe në mënyre absolute mos pini aspirinë dhe medikamente te ngjashme si Nurofen, Ibuprofen dhe Voltaren 2 javë përpara trajtimit dhe 4 -6 javë pas. Në qoftë se merrni suplemente nga goja me omega3, duhet t’i ndaloni në të njëjtën periudhë si medikamentet e sipërpërmendura.
SA KUSHTON NJË SEANCË
Një seancë kushton 100-150 euro në varësi të kombinimit ose jo me dermapen (aparaturë që përdor mikrogjilpëra njëpërdorimëshe, për një rezultat më të mirë).
REZULTATET PAS PROCEDURËS
Menjëhere pas procedurës, ju do të ndjeni ënjtje nga injektimi i likidit. Pas disa javësh, trombocitet stimulojnë faktorët e rritjes, dhe ju do nisni të shihni efektin në lëkurën tuaj. Qafa reagon më me vonesë se fytyra. Përdorimi i mikrogjilpërave rrit rezultatin. Një aparaturë me age të vogla (dermapen) ose dermaroller, mund të përdoret në momentin e terapisë. Nëse ju konsumoni shumë alkool, duhan, ose lloje të ndryshme drogërash, përmirësimi i lëkurës tuaj është minimal.
Rrudhosja shumë e shprehur dhe çikatriçet e rënda mund të reagojnë më me vonesë, apo të kërkojnë procedura të tjera estetike për rezultat të kënaqshëm.
KUSH NUK MUND TË PËRDORË PRP
Personat që abuzojnë me alkool, duhan apo drogëra të tjera. Ky trajtim nuk rekomandohet gjithashtu për personat me sëmundje të gjakut, probleme të mpiksjes së gjakut, gjendje septike apo infeksioni, sëmundjet kronike, gjendjet kanceroze apo sëmundje shumë të shprehura të mëlçisë. Personat që përdorin preparate të tilla si aspirina, ëarfarina, Plavix (clopidogrel), Perantinë apo Cyclokapron, nuk janë kandidatë për këtë procedurë.
Është shumë e rëndësishme që të flisni përpara procedurës me mjekun që do të kryejë procedurën, të informoheni shumë mirë për efektet anësore të mundshme, të bëni pyetje në rast paqartësie, si dhe plotësimi gjithnjë i fletës së konsensusit.