Nga sonte kemi zyrtarisht 4 spektakle që duan të na bëjnë të qeshim: “Portokalli”, “Al Pazar”, “Klanifornia” dhe “Kosherja”. Të katërt në garë të fortë audience dhe konkurrencë mes ish-kolegësh, ish-autorësh e ish-prezantuesish. Shumica e nisën në “Portokalli” dhe më pas u shpërndanë sa në një skenë në tjetrën.
‘Portokallia’ qe programi i parë ku nisën karrierën shumë aktorë të humorit. Më pas Agron Llakaj krijoi ‘Al Pazar’, që transmeton prej 9 vitesh por ja që dy nuk mjaftuan. Në përpjekje për të sjellë çdo sezon frymë të re, personazhe të rinj e sidomos të qeshura, ajo që gjithmonë e më shumë po bëjnë formatet e humorit, është t’i japin më shumë peshë prezantuesve. Nga formula “thuaj skeletën e prezanto” vajzat e kabareve po marrin më shumë hapësirë. Lëvizjet e largimet e tyre bëjnë bujë dhe konkretisht sot presim për herë të parë të shohim Fjoralba Ponarin dhe Jona Spahiun në rrobat e reja të prezantueseve të spektakleve të humorit. E para zëvendëson Eneda Tarifën dhe e dyta prezanton për herë të parë “Kosheren” në “Abc”, që është krijuar nga Altin Basha. Dyshja e vajzave i rri përballë Marina Vjollcës dhe Inger Skurës, sepse edhe “Al Pazar” u përshtat me ndryshimet e viteve të fundit, duke integruar në sezonin e ri një figurë femërore një nga vajzat simpatike të ‘Vizion Plus’. Të gjitha ndajnë skenën me një xhentëlmen, pjesë e rëndësishme e trupës së aktorëve, përkatësisht Fjoralba me Salsano Rrapin, Ingeri me Agron Llakajn, Jona me Bes Kallakun, përveç Marinës që mban ‘Klanifornia’-n e vetme, por mbase do ishte interesante ta shihnim bashkë me ndonjë partner-aktor ose aktore në krah. Pas kaq kohësh ne jemi mësuar që vajzat t’i shohim edhe me role të vogla. Sot jemi sy e veshë për të parë çfarë do bëjnë Fjoralba dhe Jona./revistawho.com