Nuk besojmë se ka një shqiptar që nuk e njeh Luana Vjollcën. Sigurisht ajo nuk është moderatorja më e mirë shqiptare por as ajo vetë kurrë nuk e ka thënë këtë. Por ja që Luanën e njohin, e ndjekin dhe e duan më shumë se shumë kolege të sajat. Eshtë një nga figurat historike të “Top Channel”, ekran në të cilin është shfaqur për herë të parë e ku pas kaq vitesh vazhdon punon. Kur Luana doli në televizor ishte një adoleshente që ra në sy për bukurinë e saj. Ndaj kuptohet se ndryshimi i fizikut të më të voglës së motrave Vjollca, nga viti në vit qe i madh e shumë i dukshëm. Luana u rrit në televizion për t’u bërë ylli që është sot. Por ndryshimet në pamjen e saj pafund u komentuan e shpesh u keqkuptuan. Luana duke dalë në ekran u zgjat, u shëndosh, investoi në grim, flokë e veshje duke na sjellë nga një sezon në tjetrin një imazh të ri. E pyetur shpesh për ndërhyrjet që mendohet se ka kryer, ajo është përgjigjur se “njerëzit ngatërrojnë ndërhyrjet me rritjen”, duke sqaruar se transformimi i saj lidhet vetëm me moshën e me asgjë tjetër. Po le t’i hedhim një sy albumit të viteve të fundit për të kuptuar më shumë mbi personazhin më të ndjekur të momentit.
VELINA E “FIKS FARE”
Siç e dini qasja e parë e Luanës me ekranin ishte si velinë e programit investigativ të Top Channel, “Fiks Fare” që asokohe drejtohej nga Sajmiri dhe Doktori. Ndonëse pamjet në videon më poshtë nuk janë shumë të qarta, duket që në fillesat e saj Luana ka qenë shumë më ndryshe krahasuar me sot. Më e dobët, trupi i pazhvilluar ende mirë por e gjatë dhe me tiparet e bukura.
FIZIKU
E shënuam edhe më sipër se Luana peshonte disa kilogramë më pak. Pra arsyeja e parë e “lulëzimit” të formave të saj ka qenë shtimi në peshë. Më tej ajo ka investuar për trupin duke bërë rregullisht palestër. Në deklaratën e saj më të fundit kur ishte e ftuar në “Top Show”, showgirl-i u shpreh se pëlqente shumë të shëndoshej, por kësaj here e ka tepruar pak. “Kisha dëshirë të shtoja pak në peshë por e tejkalova. Kam shtuar 16 kilogramë nga pesha ime normale. Premtoj që do i heq dy kile se nuk po marr dot frymë”, tha ajo duke qeshur.
VESHJA
Nëse ka diçka që nuk ka ndryshuar tek Luana, është dëshira e saj për t’u dukur gjithnjë sensuale. Pavarësisht modës së momentit të të gjithë këtyre viteve, ajo gjithnjë është shfaqur me veshje që ia tregojnë format por asnjeherë shumë e ekzagjeruar. Luana konsiderohet si një vajzë me shije e zgjedhja e saj e parë janë kryesisht fustanet e padyshim takat.
GRIMI DHE FLOKET
Tek drejtuesja e “Pa limit” kemi shuar çdo kuriozitet sa i takon ngjyrës së flokëve. Të errëta, të kuqe (disa nuanca të së kuqes), gështenjë e në fund bionde, Luana i ka provuar të gjitha. Duket se me flokët e verdhë ajo ka gjetur paqe pasi u bë kohë që është bionde. Ah dhe diçka. Ajo asnjëherë nuk është shfaqur me flokë të shkurtër. Portreti i Luanës është gjithnjë i kuruar me kujdes. Thuajse kurrë nuk del pa grim dhe preferon sy të errët e buzë me shumë kontur. Ndryshimi më i mirë që ajo ka bërë në fytyrë janë sigurisht vetullat. Dikur me vetulla të holla siç e kërkonte moda ndërsa sot me vetulla të plota që i shkojnë shumë më tepër.