• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Lajme

Floriana Garo flet për ndarjen me Tedin: Kam derdhur lot, më shumë se një

Lajmi për ndarjen e Floriana Garos nga Tedi Ngjela, bëri bujë mediatike. Kjo, jo vetëm për faktin se ajo është bukuroshe dhe ai miliarder, por sepse ata kishin filluar të shiheshin nga publiku si shembulli i relalizimit të ëndrrës së dashurisë. Historia e tyre na u përcoll si një përrallë. Vajza shumë e bukur nga Amerika, la gjithçka për të qenë pranë të dashurit, i cili rastisi të jetë një djalë shumë i pasur nga një familje e fuqishme. Të lumtur, të buzëqeshur, ata ndanin me dëshirë çaste nga jeta e tyre e bukur. Mirëpo edhe për ta, erdhi lajmi i ndarjes. Kanë kaluar disa javë dhe asnjëri prej të dyve nuk foli për këtë ndryshim në jetën e tyre, që u duk i papritur. Por nuk ka qenë dhe aq. Floriana Garo tregon se vendimin për ndarjen e morën të dy. Ajo flet për herë të parë lidhur me lajmin e fundvitit, për gazetarin Genti Minga, pasi është zgjedhur të jetë personazhi i kopertinës së revistës “Living”. “Me kalimin e kohës ndoshta do t’i bëj një bilanc më të saktë kësaj që ndodhi. Kur më kërkojnë të flas për ndarjen jam e rezervuar pasi është herët. Përvojat e jetës janë të rëndësishme për t’u ndarë nga njerëzit publikë por duhet të kalojë njëfarë kohe dhe duhet të kuptojmë se është njerëzore të ndryshosh mendim. Nesër këto ngjarje mund t’i gjykoj ndryshe nga sot, por unë nuk dua që njerëzit të mendojnë se s’jam koherente në ato çka them. Brenda një kohe të shkurtër ndyshon çdo gjë në jetën tënde ndaj duhet të jesh i përgatitur”, ka thënë ajo. Shumë e përfolur në publik, moderatorja është e vetëdijshme se arritjet e saj i atribuohen edhe dikujt tjetër. “Unë jam e ndërgjegjshme që shumë më kanë cilësuar si një vajzë që i ka arritur gjërat në saj të të tjerëve, jo vetes. Unë do të dëshmoj që e kanë pasur gabim”, shprehet Floriana. Nëse do të mbetet shoqe me Tedin, është ende herët për ta thënë… “Në raportet me familjen Ngjela unë s’kam mllefe. është familja ku kam jetuar për pesë vjet dhe i vlerësoj, i dua. Nuk do të flisja kurrë keq për ta. Mamanë e Tedit e ndjej ende të afërt dhe tezen e tij e kam si tezen time”, sqaron prezantuesja e “Jo vetëm modë”. Pyetjes së gazetarit se pse erdhi kjo ndarje e papritur, bukuroshja e TV Klan i përgjigjet: “Nëse ndjen se diçka nuk shkon në jetën tënde, duhet ndryshuar. Kuptuam se diçka nuk shkonte në ndjenjat tona dhe morrëm një vendim të përbashkët. Nëse njeriu s’është i lumtur me situatën e tij ose toleron, ose gjen forcën dhe kurajon që t’i ndryshojë gjërat”. Floriana tregon se po përpiqet të kalojë mbi këtë periudhë të vështirë, duke u munduar t’i japë vetes rehati. “Sigurisht nga lidhja me Tedin kisha krijuar rehati. Tani atë rehati që kisha përpiqem t’ia krijoj vetes. Këtu nis gjithçka se çfarë bën ti për të përmirësuar jetën tënde”. Megjithatë ajo pranon edhe se e ka vuajtur këtë ndarje, duke thënë se ka derdhur lot:  “Patjetër që kam derdhur lot, madje më shumë se një”.