Prej ditësh mediat po shkruajnë për një ndarje të mundshme të A$AP Rocky dhe Rihanna-s dhe si shkak u dha tradhtia e reperit me Amina Muaddi, një stiliste shumë e njohur këpucësh.
Kjo e fundit, në një reagim zyrtar hodhi poshtë të gjitha lajmet që qarkullojnë duke e mohuar këtë histori dhe duke folur ashpër kundër mediave.
“Kam menduar përherë se thashethemet e shpërndara online nuk meritojnë përgjigje, por për hir të raportit që kam ndaj A$AP Rocky dhe Rihanna-s vendosa të flas”, e nis deklaratën Amina.
Më tej ajo thekson se vuri re mungesë respekti ndaj dy personave që i vlerëson shumë.
“Mendova në fillim se ky lajm nuk do merrej seriozisht, por 24 orët e fundit vërtetuan se jetojmë në një shoqëri që flet shpejt dhe përhap fjalë edhe pa prova reale dhe fakte. Por gjithashtu pa treguar respekt për njerëzit apo periudhat e bukura që ata po kalojnë”, vijon më tej stilistja.
Ndërsa e mbyll me fjalët: “Teksa Riri jeton dhe shijon shtatzëninë e saj e veshur shumë bukur, unë po i kthehem punëve të mia duke ju uruar një fundjavë Pashkësh të bukur”.
Rikujtojmë se ditët e fundit, në kryefaqen e mediave në të gjithë botën ka qenë tradhtia e supozuar e A$AP Rocky ndaj Rihanna-s me stilisten në fjalë. Sipas disa mediave, këngëtarja i kishte “kapur” ata bashkë dhe kishte kërkuar ndarjen. “TMZ” e hodhi poshtë lajmin disa pak orë pasi u përhap, por reagimi i parë dhe i vetëm zyrtar erdhi së fundmi nga vetë Amina, që u bë pjesë e trekëndëshit.