Flaka Krelani është një nga këngëtaret me zërin më potent dhe pavarësisht se ka vite në skenën shqiptare vazhdon të mbetet shumë aktive. Së fundmi artistja ka qenë e ftuar speciale në emisionin e mëngjesit “Gjesi” në televizionin “T7”. Këngëtarja ka folur gjatë për jetën e saj, por kryesisht për karrierën dhe projektet e reja. Flaka ka treguar se në punën e saj është shumë detajiste, ndaj punon gjatë derisa të publikojë një këngë të re. Gjatë emisionit u prek dhe tema e klikimeve të blera, një debat shumë i fortë që është përhapur sot në rrethin e artistëve. Flaka ka treguar se ajo vetë nuk ka bërë kurrë kompromise dhe as nuk e ka ndërmend këtë gjë për të pasur disa klikime më shumë. “Njerëzi e kanë të vështirë ta perceptojnë se unë nuk bëj kompromise dhe mendojnë se unë nuk di të bëj shumë njerëz për vete. Për mua qoftë 2-3 veta, maksimumi 10 veta të më dëgjojnë unë mendoj se kam bërë punën time. Përderisa ata njerëz që më dëgjojnë e ndjejnë atë këngë, për mua është maksimale. Unë nuk mund të punoj për klikime, nuk mund të hyj në kredi për klikime, nuk dua të bëj diçka që nuk më takon mua dhe nuk dua të dal prej vetes. Ato klikime që kam janë reale dhe jam e lumtur që i kam rezistuar kohës”, është shprehur këngëtarja. Së fundmi artistja e njohur ka publikuar këngën “Slay”, që është pritur shumë mirë nga fansat e saj. /revistawho.com