Ditët e fundit qarkulloi lajmi se Fjoralba Ponari do të marrë drejtimin e spektaklit “Portokalli” këtë sezon dhe shumë shpejt zërat i ka konfirmuar edhe vetë moderatorja. Gjatë emisionit “E diell”, ditën e sotme Fjoralba pranoi se do të jetë prezantuesja e re e “Portokallisë” duke treguar se nuk e priste kurrë një ofertë të tillë.
“Sapo më është besuar, e them me bindje, projekti më sfidues në televizionin e Top Channel. Bëhet fjalë për Portokallinë. Për hir të së vërtetës ka qenë një nga ato projekte që nuk e kam menduar veten kurrë që do të bëhesha pjesë e aq më tepër që do e moderoja. Për një arsye të thjeshtë, sepse kam menduar historikisht se aty do të ishte dikush që kishte një background që i përket aktrimit. Megjithatë po të shihni historikun e moderatorëve, nuk kanë qenë aktore të gjitha apo aktorë të gjithë ata që e kanë moderuar. Por me aq sa më tha dhe bordi drejtues e rëndësishme është që të kesh të dhëna të mira dhe të jesh bashkëpunues dhe çdo gjë tjetër zgjidhet. A do të zgjidhet? Mbetet për t’u parë”-u shpreh Fjoralba.
E pyetur se cila nga moderatoret e “Portokallisë” është e preferuara e saj, Fjoralba pa hezitim tha emrin e Xhemit.
“Xhemi Shehu padiskutim, ka qenë një nga figurat jo vetëm e dashur dhe e zonja, por me një kimi të mrekullueshme me Salsanon, gjë që unë realisht e shikoj si shembull dhe do të doja të arrija në ato nivele bashkëpunimi”- tha Fjoralba.