“Euro 2016” po futet në fazën finale dhe gara për “Këpucën e artë” është po aq e paparashikueshme, siç është edhe gara për titull kampioni.
Kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje në Evropian, tre futbollistë gjenden në krye të renditjes së golashënuesve më të mirë me nga tre gola.
Sulmuesi uellsian Gareth Bale kryeson listën falë edhe një asistimi të bërë, para Antoine Griezmannit të Francës dhe Alvaro Moratas të Spanjës tashmë të eliminuar.
Prapa kësaj tresheje janë 11 lojtarë që kanë shënuar nga dy gola, katër prej tyre nga përfaqësuese tashmë të eliminuara nga “Euro 2016”.
Historikisht “Këpucën e artë” në kampionate evropiane e ka fituar një lojtar që ka shënuar afro pesë gola. Vetëm në vitin 1984, kur Michel Platini shënoi nëntë gola, është regjistruar shifër më e madhe se pesë gola.
Derisa sa i përket titullit, tashmë favoritët kanë ndryshuar. Nëse Italia ishte jashtë katër apo pesë favoritëve për të triumfuar, tani është në mesin e më të mirëve, ndoshta edhe më favorite se vetë nikoqirja e këtij kompeticioni, Franca.
Me Anglinë e Spanjën të eliminuar, Italia, Gjermania e Franca janë favoritët për të triumfuar në këtë Evropian, pa lënë anash Belgjikën dhe Portugalinë, që renditen pas asaj treshe. /Express/