Të bësh krepa është një moment shumë i bukur dhe nuk ka një shpjegim pse kemi këtë ndjesi, por ndonjëherë fundjava i dedikohet vetëm atyre, ose kur duam të ndihemi sikur është fundjavë edhe në mes të javës mund të përgatisim krepa për një vakt.
Sot do ju njohim me recetën e saktë të krepave integrale, në këtë mënyrë edhe ju që vdisni për brum, por jeni në dietë, të mos e keni problem që po hani krepa.
Krepat integrale me krem lajthish
Përbërësit për 4 krepa: miell integral 85 g, 1 vezë mesatare, qumësht të freskët 170 g, gjalpë 35 g + pak për gatim, sheqer 20 g, pastë lajthie 150 g, çokollatë të zezë 50% 250 g, lajthi të plota
Procedurat: shkrini çokollatën, shtoni pastën e lajthisë dhe lëreni të pushojë. Ndërkohë, në një tas, punojmë miellin e situr së bashku me sheqerin dhe i derdhim qumështin ngadalë. Shtoni vezën e rrahur dhe pasi të jenë përzier shtoni edhe gjalpin e shkrirë. Nxehni mirë një tigan me diametër 20 cm dhe hidhni brumin me garuzhde. Mbushini krepat me kremin dhe shërbejini me lajthitë e thekura dhe të coptuara trashë.
Krepa me reçel
Përbërësit për 4 krepa: 85 g miell gruri, 1 vezë mesatare, 170 g qumësht të freskët, 35 g gjalpë + pak për të gatuar, 1 majë luge kripe, reçel për shije.
Procedura: Në një enë, punoni miellin e situr së bashku me kripën dhe me qumështin duke e derdhur nga pak. Tani shtoni vezën e rrahur dhe pasi të jetë bërë një me brumin shtoni edhe gjalpin e shkrirë. Nxehni mirë një tigan me diametër 20 cm dhe gatuani me radhë krepat. Përhapni në sipërfaqe reçelin tuaj të preferuar dhe mblidheni krepin në formën që doni./revistawho.com