Ditët e fundit kanë qenë të mbushura me të reja nga sezoni i ri televiziv. Si rrallë herë, kjo vjeshtë i ka surprizuar të gjithë me lëvizjet nga një ekran në tjetrin të figurave më të rëndësishme televizive. Siç u zbulua para pak ditësh, Eni Vasili ka lidhur kontratë me ‘Top Channel’ pas 5 vitesh si pjesë e ‘News 24’. Në një intervistë për ‘Mapo’ për herë të parë gazetarja e njohur ka zbuluar arsyet pse u largua drejt televizionit kombëtar.
“Nuk kam asgjë për të fshehur nëse pohoj se gushti më ka përfshirë në negociata të ethshme me Top Channel. Vendimi nuk ka qenë i thjeshtë dhe negociatat kanë qenë komplekse, por të frytshme për sa kohë interesi i përbashkët është t’i japim tregut mediatik një produkt dinjitoz”,-është shprehur Eni. Më tej ajo ka treguar konsideratën e lartë për televizionin në të cilin tashmë do të jetë pjesë e pandashme.
“Top Channel është Top Channel, televizioni që lindi si një ëndërr e dikujt dhe u bë ëndërr e shumëkujt. Është një nga pasuritë dhe asetet më të rëndësishme kombëtare, një shtëpi mediatike që çdokush do të donte ta ndjente veten pjesë. Jam sigurisht e lumtur që ‘Top Channel’ më ftoi të jem pjesë e skuadrës dhe shpresoj ta justifikoj besimin”,-ka thënë Eni. Sipas informacioneve të dhëna deri tani, gazetarja do të drejtojë një emision politik i cili do të ketë një koncept komplet ndryshe nga ç’jemi mësuar të shohim dhe do të sjellë një frymë të re debati politik në ekranet shqiptare./revistawho.com